E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analizat, ushqimi në hotelin “Akademia” i rregullt

05/08/2010 Drekojnë në Voskopojë, helmohen 6 fëmijë nga Elbasani, alarmohen 34 të tjerë

KORÇË- Një grup fëmijësh jetimë nga qyteti i Elbasanit kanë pësuar helmim ushqimi gjatë një vizite turistike në Voskopojë. Rreth 40 fëmijë ditën e martë kishin udhëtuar drejt pikës turistike, ku dhe kishin drekuar, por në orët e vona të mbrëmjes disa prej tyre kishin nisur të ndiheshin keq dhe të kishin të vjella. Ky konstatim i beftë përcolli alarmin te kujdestarët e fëmijëve, të cilët që në çastin e parë kërkuan ndihmën mjekësore për t’i paraprirë situatës. Por në të njëjtën kohë shqetësimi përfshiu në mënyrë të menjëhershme edhe gjithë fëmijët e tjerë, çka solli që të gjithë së bashku të udhëtonin me urgjencë drejt spitalit të Korçës dhe t’i nënshtroheshin kontrollit mjekësor. Pas marrjes së ndihmës së parë fëmijët u detyruan të ndërprisnin pushimet dhe të udhëtonin sërish në drejtim të Elbasanit.

Në spital

Bëhet e ditur se 6 prej të miturve morën trajtim mjekësor. Ata janë A. D i moshës 8 vjeç, A.D e moshës 4 vjeç, A.N i moshës 13 vjeç, R.M i moshës 12 vjeç, S.Xh i moshës 11 vjeç dhe E.P i moshës 13 vjeç, që të gjithë banorë të qytetit të Elbasanit. Ndërkaq burime pranë drejtorisë së policisë në qarkun e Korçës në lidhje me këtë ngjarje bënë të ditur se fill pas marrjes së njoftimit grupi hetimor u gjet menjëherë në spitalin pediatrik, ku u kontaktua me personelin mjekësor.

Ushqimi i “Akademisë”

Megjithatë, fill pas kësaj ngjarjeje u vu në lëvizje edhe drejtoria e shëndetit publik, e cila ngriti një grup pune për verifikimin dhe kryerjen e analizave mbi kampionet e ushqimit që kishin konsumuar fëmijët gjatë drekës, ku këta të fundit kishin pohuar se kishin ngrënë fileto pule dhe patate. Megjithatë, pas kryerjes së analizave të plota rezultoi se ushqimi kishte qenë i rregullt dhe pa probleme. Në lidhje me këtë ngjarje mjekët shpjeguan se këto simptomash që u vërejtën te fëmijët, mund të vijnë nga ushqimi, uji, por edhe nga ndryshimi i kushteve atmosferike etj. Burimet e policisë shpjeguan gjithashtu se nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se këta fëmijë kishin ardhur në Voskopojë në datën 2.08.2010 dhe ishin akomoduar në hotelin “Akademia” në fshatin Voskopojë të rrethit Korçë. Gjithsesi, pas rëndimit të gjendjes shëndetësore të 6 fëmijëve grupi i fëmijëve dhe kujdestarët që i shoqëronin u detyruan të ndërprisnin pushimet në fshatin turistik të Voskopojës dhe të udhëtonin drejt Elbasanit, por tashmë jashtë çdo rreziku për jetën

Vepror Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›