E Diel, 1 Nëntor 2026

21 janari, Topi dhe kabllogramet degradojnë Berishën

Nga Mero Baze

Tanimë më nuk është çështje emocionale, as politike dhe as oratorie. Në Rrajcë të Librazhdit, aty ku nuk kish në krah Presidentin Topi dhe as përballë Ambasadorin Arvizu, i cili e trazon me makthin e SHBA, por thjesht ish- kooperativistë që dikur kanë pasur shef Ridvan Boden, kryeministri e humbi sërish fillin e bisedës. Ngatërresa e parë erdhi me emrin e kryetarit të komunës, e cila shpesh justifikohet. Më pas ka dashtë tu flasë për kullotat dhe u foli për kulloshtrën deri sa erdhi ngatërresa e tij fatale, e cila duket i rri e fjetur në mendje qysh kur është rikthyer në pushtet në vitin 2005. Çdo shqiptar duhet të punojë që të krijojë sa më shumë të ardhura për familjen time. Kjo fjali pak a shumë është bërë refren i kritikëve të Berishës thuajse nga viti 2006, kur metastazat e familjes së tij filluan të shtrihen në ekonominë shqiptare. Fillimisht me emërimet në poste kyçe të njerëzve që mund të përdoreshin për të kapur shtetin dhe më pas me fillimin e bizneseve direkte të familjarëve të tij siç ishte biznesi vdekjeprurës i Gërdecit, konfirmuar tashmë dhe nga kabllogramet e Ambasadorit Withers, pushteti i Familjes në Shqipëri u bë shumë familjar. Pas vitit 2007, ai është një realitet i pranuar me dëshpërim nga shumica e shqiptarëve. Djali i tij ishte një tutor i biznesit në Gërdec dhe më pas një sekser zyrtar i shitje- blerjeve të tokave në bregdetin shqiptar, për të cilin deklaron dhe fitimin e tij si biznesmen. Vajza e tij është dokumentuar nga media si avokate që u kërkon përqindje biznesmenëve të huaj, që duhet të marrin koncesione në Shqipëri me firmën e babait të saj siç ka qenë rasti i një biznesmeni arab që kërkoi të ndërtonte në TEC në Portoromano. Gruaja e tij njihet për darkat bamirëse të fondacionit të saj, ku ftesat tek biznesmenët shkojnë nga drejtoria e VIP-ve në tatime dhe kush humb prej tyre kanë rastin të dalin nga një foto me të dhe ta përdorin si kartëvizitë nëse dikush u bie më qafë. Në ato lista gjen emra të dënuarish ordinerë dhe të akuzuarish për kontrabandë, biznesmenë të ndershëm dhe të hileqarë, por që të gjithë barazohen në faktin se janë kontributore të Asaj.

Ky perceptim popullor për Pushtetin e Familjes, është shprehur qartë në disa prej kabllogrameve të diplomatëve amerikanë nga Tirana, të cilat kanë theksuar se Pushteti i Familjes po dominon drejtësinë dhe institucionet e tjera nga frika e ndëshkimit.

Sali Berishës siç shihet i është bërë shume familjare kjo fjalë. Nuk dua tu hyj as shpjegimeve frojdiane për subkoshiencën e tij në ngatërresa të tilla, dhe as degradimit të tij të frikshëm kohët e fundit, por dua të theksoj faktin se kryeministri ynë është familjarizuar me qëllimin e pushtetit që ka dhe ky qëllim është pikërisht pasurimi i familjes së tij.

Para kësaj gafe të gjithë mbajnë mend ngatërresën e tij të 11 Shtatorit me 11 Janarin, e cila na kujton se makthi i tij për katër të vrarët në bulevard për arsye politike, po e degradon. Kaloi ka kohë dhe në skenë u shfaq presidenti Topi si sfidues politik i tij dhe fill pas Topit ai skandalizoi gjithë pjesëmarrësit në festimet e 20 vjetorit të hapjes së ambasadës amerikane në Tiranë duke i thirrur edhe zonjës Topalli, edhe zotit Arvizu në emrin dhe postin e Bamir Topit. Tashmë pas konfirmimit nga ambasadori Withers me dinjitet dhe vendosmëri të punës së tij si diplomat në Tiranë, ku volumin kryesor të tij e ka zënë kontrolli mbi Sali Berishën dhe analiza psiko-politike e tij, Sali Berisha shfaq makthin e tij të radhës, fatin e Pushtetit të Familjes. Nëse makthin e parë ia kish krijuar 21 Janari dhe duart e përgjakura të tij në atë krim, makthin e dytë ia krijoi Bamir Topi, këtë të fundit që është një perceptim shumë popullor për të, ia krijoi me sa duket konfirmimi nga ambasadori Withers i atij që quhet problem i pushtetit të Familjes Berisha në Shqipëri.

Pamjet filmike të transmetuara dje publikisht nga Fiks Fare, flasin qartë për një udhëheqës që nuk komunikon me njerëzit me mesazhe politike, por me makthet e tij, të prodhuara nga keqqeverisja dhe abuzimi me pushtetin. Mesazhet e tij politike tashmë janë të diktuara nga ato që ai i konsideron probleme për fatin e tij politik, siç është 21 Janari, kundërshtari Topi dhe Pushteti i Familjes. Janë tri makthe që po e bëjnë qesharak dhe gati- gati pacient që duhet të mbahet i izoluar dhe larg njerëzve. Të gjithë qeshin dhe tregojnë anekdota me ngatërresat e tij, por asnjë mjek nuk është i aftë ta shpëtojë nga rruga ku është nisur. Edhe nëse e qetësojmë duke i thënë se nuk do të ketë hakmarrje për 21 Janarin, dhe nëse e bindim se nuk do të rrëzohet prej Bamir Topit nga pushteti, dhe nëse i themi se Familja jote do të jetë e qetë po ike nga pushteti, ai nuk beson më asnjë premtim. Ai ndryshe nga shumë prej nesh e di se çfarë ka bërë, ndaj nuk e qetësojmë dot me asnjë lloj premtimi për ta falur. Përditë e më shumë do të dëgjoni se si ai do të belbëzojë makthet e veta në vend të ideve të veta dhe si do të ngatërrojë fatin e tij dhe Familjes së tij me fatin e pushtetit dhe atyre që megjithatë e kanë votuar duke menduar se do të jenë në pushtet.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›