E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjysmë milioni për zgjedhjet në Istog e Partesh

Buxheti fillestar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) sipas planit buxhetor për zgjedhjet e 11 prillit në Istog dhe 20 qershorit në Partesh kap shifrën prej 490 mijë eurosh, me mundësi të rritjes, sidomos për komunën e re të Parteshit.

Kjo u bë e ditur të premten në mbledhjen e KQZ-së, me ç’rast u hartua plani buxhetor për zgjedhjet në këto dy komuna.

Sipas planit fillestar të KQZ-së, për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Istogut nevojiten rreth 294 mijë euro, ndërkaq për komunën e re të Parteshit, janë paraparë 194 mijë euro, me mundësi të rritjes së kësaj shume.

Blerim Burjani, anëtar i KQZ-së për buxhet dhe financa, tha se shuma e miratuar përfshin një shifër të përgjithësuar dhe varësisht nga rrethanat shifra mund të jetë edhe më e lartë.

“Për zgjedhjet në këto dy komuna ne kemi menduar shumën prej 490 mijë e 158 euro. Aktualisht ky është një plan jo i plotë, sepse varet gjithçka nga procedurat dhe kontraktimet e mëvonshme. Por ky aktualisht është një buxhet bazë. Buxheti për këto dy komuna mund të ndryshoj sipas rrethanave”, është shprehur Burjani, transmeton KosovaPress.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›