E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durmishi i dorëzoi kredencialet

Ushtruesi i detyrës së Ambasadorit të Kosovës në Maqedoni, Skënder Durmishi, i ka dorëzuar të premten ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, Antonio Milososki, letrat kredenciale të Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni.

Me këtë rast, Durmishi ka realizuar një takim me Sekretarin Shtetëror të MPJ’së së Maqedonisë, Abdulkadar Memedi. “Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin e deritanishëm midis dy vendeve, përfundimin e suksesshëm të demarkacionit të kufirit si një shembull pozitiv për gjithë rajonin, procedurat e iniciuara për hapjen e vendkalimeve të reja kufitare (Tanushë – Debelde dhe Belanoc- Stançiç) si dhe për iniciativat e shumta për firmosje të marrëveshjeve dypalëshe", thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë.

Marrëdhëniet diplomatike mes Maqedonisë dhe Kosovës janë vendosur në tetor të vitit të kaluar, ndërsa Maqedonia e ka njohur Kosovën si shtet, më 9 tetor të vitit 2008.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›