E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria përgatit botimin e një gazete me emrin “TemA”

Antena brenda familjes

Një lajm i rëndësishëm mbërriti dje në redaksinë e gazetës “TemA”. Një punonjës i ATSH nga numri i telefonit 0682084373 njoftoi se ATSH po organizon botimin e gazetës javore “TemA”, botues i së cilës do të jetë një shtetas nga Kosova. U çuditëm shumë dhe menduam se dikush bëri gallatë. Pas pesë minutash bie telefoni nga disa kolegë televizionesh, të cilët shprehën çudi për këtë lajm. Madje, me rekomandim të drejtoreshës së ATSH ishte kërkuar që lajmi të jepej dhe me titra në disa televizione.

Drejtori i gazetës “TemA”, i cili ka botuar së pari gazetën “TemA Javore” që në korrik të vitit 1999, filloi të qeshte dhe na u lut ne të rubrikës të gjenim financuesin e gazetës dhe t’i kërkonim t’ia bënim ne dhe këtë gazetë. Por, pavarësisht humorit të drejtorit ne filluam të gërmojmë se ç’ka ndodhur realisht.

Flamuri, i cili na ndihmon në këto raste, pasi gërmoi disa minuta na dha dhe versionin më serioz.

- Ideja, - tha, - qenka e Genc Pollos. I ka trokitur doktorit në zyrë dhe i paska thënë: “E gjeta zgjidhjen për atë plehrën e “TemA”-s.

- Çfarë zgjidhjeje? - i tha doktori. - Ku flitet me atë.

- Ka, - i tha, - Pollo. - Ka përvojë në këtë punë. Të kujtohet atëherë, kur u zumë bashkë, si ta bëra? Të vodha emrin. Ashtu t’ia bëjmë dhe atij.

- Sikur nuk shkon, - i tha doktori, - se ai dihet që është themelues i gazetës “TemA” e ka dhe të regjistruar. Do bëhet zhurmë.

- Le të bëhet. Mjafton ta bëjmë banale si situatë. Një “TemA” që mbron qeverinë dhe një që e kritikon. Ata që s’janë të informuar, do ngatërrohen dhe s’do blenë asnjërën.

- Po kë të ngarkojmë? Kush na e bën këtë punë?

- E bën Antoneta në ATSH, - tha Pollo. - Kam folur me të. Ka gjetur dhe një kosovar që do ta paraqesë si botues.

Doktori u bë entuziast menjëherë.

- Bukur shumë. Ta nisë që nesër. Të ndajë lajmërimet. Le, se flas vetë me Antonetën. Qenka e bukur shumë.

Pas dy minutash, në telefon me Antonetën.

- Antoneta, ide e shkëlqyer. Më tha pak Genci. Bravo u qoftë! Ashtu e do ai. S’na kishte shkuar mendja këtu. Dëgjo. Hape numrin e parë me titull: “Qeveria nuk i përkulet kapterit të Gramoz Ruçit”.

- Mirë doktor, do ta bëjmë, po sikur ta heqim këtë emrin e Gramoz Ruçit, se nuk shkon?

- Shkon, shkon, e di unë.

- Po ja, ta lëmë vetëm ‘kapterit’.

- Jo, Antoneta, shkon. E di unë pse duhet, shkon.

- Po, se kam një hall personal, doktor, ndaj të them.

- Çfarë halli ke?

- E kam djalë halle Gramoz Ruçin, jemi kushërinj të parë.

-Si kushërinj? Kushëri tamam?

- Po doktor. S’ke ç’i bën, më ka rënë në pjesë.

- E ke gabim Antonetë. Gramozi është njeri shumë i mirë. Mos ji pishman. Mos shiko çfarë them unë lart e poshtë. Se dua ta denigroj atë tjetrin. Vazhdo punë ti, shkruaje, se flas unë vetë me Gramozin.

- Mirë, doktor, faleminderit!

- Kemi njoftuar këto televizionet, po s’po na e japin me titra.

- Ashtu a? Ia keni dhënë Elvanës, kësaj të “Mediasat”, se ata e japin? Shiko, ata janë televizioni më i pavarur. Lidhuni me ata.

- Dakord, po lidhemi. Dhe diçka tjetër. Si ta bëjmë që të mos merret vesh se gazeta botohet këtu te ne?

- E ke gabim shumë. Duhet të merret vesh patjetër. Aido përgjigje. E keni gjet shumë bukur. Ju përgëzoj. Dhe mos e harro atë të Ruçit. Flas unë me të, se nuk i mbetet qejfi. Aq më shumë që qenkeni dhe kushërinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›