“Gligorov, kontribut të madh për paqen dhe stabilitetin e rajonit”

Kryeministri Berisha zhvilloi homazhe në ambasadën e Maqedonisë në Tiranë, në nderim të ish-Presidentit Kiro Gligorov
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje homazhe dhe shprehu ngushëllime në ambasadën e Maqedonisë në Tiranë, për ndarjen nga jeta të ish- Presidentit Kiro Gligorov. Berisha la një shënim në librin e ngushëllimeve, të çelur me këtë rast nga ambasada, ku vlerësoi kontributin e ish- Presidentit Gligorov në paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë, të rajonit të Ballkanit jugor, si dhe në bashkëpunimin rajonal. “Erdha për t’i shprehur nderimin tim, ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së ish- Presidentit Kiro Gligorov, qeverisë së Maqedonisë dhe mbarë qytetarëve të këtij vendi”, u shpreh kryeministri Berisha. “Kiro Gligorov ishte shtetari që me mençurinë, guximin, urtësinë dhe vendosmërinë e tij shkëputi në rrethana shumë të vështira Republikën e Maqedonisë nga Federata Jugosllave që po shpërbëhej dhe e shkëputi atë në mënyrë paqësore”, tha Berisha. “Ai ishte Presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Republikën e Maqedonisë”, theksoi kryeministri. Sipas Kryeministrit, “me politikën që ndoqi, me qëndrimet dhe maturinë e tij, ai dha një kontribut të madh në paqen, stabilitetin, bashkëpunimin në Ballkanin jugor. Vdekja e tij është një humbje e madhe për Maqedoninë mike dhe për të gjithë miqtë e saj në rajon e kudo në botë. Gligorov lë emrin e themeluesit të Maqedonisë së lirë, por dhe të shtetarit të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal”, përfundoi Kryeministri Berisha.
...