E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiunët përçajnë Kuvendin

Opozita braktis komisionin. PD: Nuk tërhiqemi nga projektligji

Socialistët braktisën dje sallën e komisionit të ligjeve kur do të fillonte shqyrtimi nen për nen i projektligjit të ri të PD-së për pastërtinë e figurave, por demokratët thanë se nuk do të tërhiqen. “Shpresojmë që opozita të ketë vullnetin për ta kaluar këtë ligj. Ne nuk tërhiqemi nga projektligji. Projektligji do të kalojë. Mirë do të ishte që të kishte edhe konsensusin e opozitës”- i tha “Korrierit”, pas mbledhjes së komisionit, relatori demokrat Aldo Bumçi. Në krahun tjetër socialistët u dukën mëse të vendosur për të mos u bërë palë e shqyrtimin e votimit të këtij ligji, që për ta ishte i papranueshëm. Relatori socialist Arben Isaraj, tha në mbledhjen e komisionit, se partia e tij, ishte për hapjen e arkivave të gjithë periudhës komuniste të cilat të mund të kishin aksesin e publikut. Ligji për lustrimin që sipas tij do të bëjë PD-ja, Shqipëria e ka bërë, kur ka vepruar edhe komisioni Mezini e ai Bezhani. “Shqipëria sipas Këshillit të Evropës, e ka mbyllur këtë çështje. ulemi për të hapur dosjet për të gjithë, jo lustrime. Nëse diskutoni nen për nen ne nuk do të bëhemi pjesë”- tha qartë socialisti Isaraj. Veç tij projektligji u kundërshtua edhe nga LSI-ja. Spartak Braho e cilësoi ligjin antikushtetues ndërsa gjatë fjalës së tij tha se edhe kryeministri Berisha, nuk do të jetë më kryeministër, nëse hapen letrat. Edhe deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi, ishte kundër projektligjit. Sipas tij, arkivat, që aktualisht janë të mbyllura, duhet të kalojnë në arkivin e shtetit dhe në bazë të një ligji që duhet punuar, të mund të sigurohet akses mbi to. Ai propozoi që relatorët të punojnë pikërisht mbi këto kritere. Por, në emër të mazhorancës kreu i Komisionit Fatos Beja, kërkoi fillimin e shqyrtimit nen për nen, që u pasua me largimin e deputetëve të opozitës, ndërsa shqyrtimi nuk vijoi më tej pasi nuk plotësohej kuorumi, në mungesë të Ilir Rusmalit dhe Arenca Trashanit. Palët të paktën deri më dje, janë të palëkundura, demokratët për të kaluar ligjin e socialistët për të mos u bërë pjesë.

Projektligji

Demokratët, sikundër tha një ditë më parë, Aldo Bumçi për “Korrierin”, kishin përfunduar projektligjin e ri, që veç relatorit socialist Arben Isaraj, iu paraqit edhe deputetëve të tjerë të komisionit. Projektligji, sipas demokratëve, synon të kontrollojë pastërtinë e figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo emëruar lidhur me pjesëmarrjen e tyre në strukturat politik-bërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës, si edhe në strukturat e Sigurimit të Shtetit për periudhën 29 nëntor ’44 deri më 8 dhjetor ‘90. Bie në sy se ndryshe nga diskutimi paraprak, nuk flitet më vetëm për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit, por për një gamë shumë më të gjerë postesh. Papajtueshmëria e funksioneve, fillon me anëtarët ose kandidatët e byrosë politike, vazhdon me anëtarët e Komitetit Qendror, bashkëpunëtorët e deri tek denoncuesit apo dëshmitarët e akuzës në proceset gjyqësore politike. Në nenin 22, saktësohet se kushdo që verifikohet me funksione të papranueshme, skualifikohet nga vazhdimi i mëtejshëm i proçedurës së emërimit ose zgjedhjes për shkak të padenjësisë së figurës së tij ndërsa në nenin 23 thuhet se ata që janë aktualisht në funksionet shtetërore, ndërpresin marrdhëniet e punës. Gjithë procesi për verifikimin e figurës së çdo funksionari në detyrë përfundon brenda 6 muajve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›