Gloria shfaqet tek Marubi
Pas filmave homazh, të regjisorit të madh Ingmar Bergman, në ekranin e madh të Kinemasë së Akademisë “Marubi” vjen një tjetër emër i njohur në kinematografinë botërore. Kinemaja e së enjtes fton shikuesit të ndjekin një tjetër film nga repertori kinematografik botëror. Bëhet fjalë për filmin “Gloria”, një prodhim i vitit 1980, me regji dhe skenar të John Cassavetes, i konsideruar si pionier i filmit të pavarur. Heroina e filmit, Gloria, e dashura e një gangsteri arratiset me një djalë të ri, i cili është në ndjekje nga banda për një informacion të cilin mundet ta ketë ose jo. Rolet kryesore interpretohen nga Gena Rowlands dhe John Adames. Në të vërtetë, Cassavetes nuk mendonte të realizonte vetë regjinë e këtij filmi. Ai kishte menduar t’ia shiste skenarin shtëpisë kinematografike “Columbia Pictures”. Por kur e shoqja e tj Gena Rowlands u kërkua për të luajtur rolin e protagonistes, ajo i kërkoi atij të realizonte regjinë, si një favor personal. Për rolin e Glorias, Gena Rowlands është kandiduar nga Academy Award si aktorja më e mirë, ndërsa filmi fitoi “Luanin e Artë”, “Golden Lion” në Festivalin e filmit në Venecia. Ky nuk ishte çmimi i vetëm I regjisorit në Venecia. Cassavetes, një i ri me origjinë greke, e shfaqi herët pasionin për kinemanë. Fillimisht e nisi me aktrimin, për t’u hedhur më pas në botën e regjisë, por pa u ndarë nga aktrimi. Ka bashkëpunuar me regjisorë si Roman Polanski dhe është kandiduar për trofe të rëndësishëm, si aktori më i mirë. Disa nga filmat që ka drejtuar janë “Shadoës”, “Too Late Blues”, “A Child Is Waiting”, “Faces”, “Husbands”, “Minnie and Moskowitz”, “A Woman Under the Influence”, “The Killing of a Chinese Bookie”, “Opening Night”, etj.