Giffoni arrin në Vlorë
“Giffoni” shqiptar, mbërriti dje në Vlorë. Interesimi ishte shumë i madh nga fëmijët, të cilët janë bërë protagonistë të diskutimit të botës së kinemasë. Aktiviteti këtë herë do të shtrihet në gjithë qytetet turistike, ku Vlora është qyteti i dytë pas Sarandës, që mirëpret edicionin e katërt të Festivalit të Filmit, ndërsa synimi kryesor mbetet rikthimi i vëmendjes te filmi shqiptar për fëmijë. Salla e Teatrit “Petro Marko”, u mbush plot me fëmijëtë shkollave 9- vjeçare, interesim ky që është vlerësuar edhe nga organizatorët. Drejtori ekzekutiv, Namik Ajazi, e shikon këtë si një sipërmarrje të suksesshme, ku fëmijët shqiptarë bëhen pjesë e diskutimit për filmat e prezantuar gjatë ditës. Por është edhe një nxitje. Pas 20 vjet shkëputjeje nga bota kinematografike e prodhimit të filmit shqiptar, një interesim i tillë sjell domosdoshmërisht rifillimin e një prodhimi të tillë, i cili do të pasurojë artin kinematografik shqiptar, por edhe përfaqësimin e tij në botë. “Ende nuk mund të flitet për projekte konkrete, por vëmendja po tërhiqet për të ndërhyrë”,- tha Ajazi. Dje në ekranin e kinemasë së vendosur në Teatrin “Petro Marko” u shfaqën filmat “Miq përjetë”, “Fia, magjistarja e vogël”, “Misa e ujqërve”, “Efekte të rrezikshme” dhe “Ndihmë, u bëra djalë”. Pas Vlorës, festivali do të udhëtojë drejt Pogradecit, Durrësit e Lezhës.