Godelli, kampion Europe për të Rinj në 62 kg: Synoj kampion bote
.jpg)
Shqipëria sërish me një kampion Europe në peshëngritje për të rinj. Dhe sërish me shtangistin e talentuar peqinas Daniel Godelli, me dy medalje ari e një argjendi, duke përmirësuar të gjitha rezultatet e arritura në Kampionatin Europian U-17 të zhvilluar Amiens të Francës (korrik 2008), ku fitoi tre medalje të arta, në stilin e shkëputjes, të shtytjes dhe në dygarësh.
Pas dështimit të pritshëm të Skerdilajd Veizit në peshën 56 kg (92 kg në stilin e shkëputjes dhe 116 në shtytje, pa mundur të futet në zonën e medaljeve), Daniel Godelli i dhuroi shtangës shqiptare dy medalje të arta e një argjendi në peshën 62 kg.
Përvoja jo e pakët ndërkombëtare e Godellit 17-vjecar (ka marrë pjesë në Europianin U-17 në Pavia të Italisë, Landskrones të Suedisë e Amiens të Francës) ka ndikuar te 5-herë medalisti i artë i Shqipërisë.
Në stilin e shkëputjes talenti më i ri i peshëngritjes shqiptare e nisi me 118 kg, e pas provës së parë të sukseshme, ngriti shtangën në peshën 121 kg, por fatkeqësisht dështoi në provën e tretë me 122 kg. Vetëm pesha më e madhe trupore, vetëm 43 gramë më shumë se moldavi Alkesandër Spac (61.92 kg Godelli, 61.49 Spac) i hoqën medaljen e artë peshëngritësit tonë, i cili është më i riu në moshë në garën e tij (vitlindja 92) nga 17 pjesëmarrësit, së bashku me kosovarin Adrian Murati (32 kg në shkëputje e 50 kg në shtytje, 82 kg në dygarësh).
Gjithsesi në krahasim me Europianin U-17 të Francës ku ngriti vetëm 118 kg, rritja është e qartë: 121 kg në Durrës. Në stilin e shtytjes, Danieli dështoi në provën e parë me 148 kg, ndërkohë që ia doli ta ngrejë në të dytën (148 kg) dhe në të tretën 151 kg, duke fituar medaljen e artë. Në Francë, Godelli kishte ngritur 145 kg (fitoi medaljen e artë) e përmërisimi është i dukshëm, me 6 kg. Në dygarësh nga 263 kg në 272 kg. Vendin e dytë e medaljen e argjendtë e siguroi rusi Pavel Sukhanov me 150 kg. Në dy garësh Godelli ngriti 272 kg duke fituar medaljen e dytë të artë. Pas tij u renditën në dygarësh rusi Pavel Sukhanov (267 kg, argjendt) dhe moldavi Spac (266 kg, bronz).
Godelli ishte edhe me i vogli në peshën 62 kg. "Nuk është mosha ime, por unë gjithsesi ia dola. Është një arritje e madhe. Dua të falënderoj familjen time në radhë të parë e trajnerin tim, të cilët më kanë ndihmuar të eci përpara. Ia arrita qëllimit", - tha kampioni i ri i Europës në peshën 62 kg. Pjesëmarrja me ekipin e të rinjve më motivoi shumë. Më kanë ndihmuar të gjithë trajnerët, përfshirë edhe trajnerin tim Petrit Muca, i cili më ka qëndruar afër. Është një trajner i zoti. Garat e ardhshme? Shpresoj të bëj më të mirën, pse jo dhe kampion bote. Kam tentuar dy herë për të thyer rekordin e Gerti Trashës, por për momentin kam dështuar, por besoj në një garë tjetër ta thyej", përfundoi Daniel Godelli.
Në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për të Rinj që po zhvillohet në Durrës (14-21 shtator 2009) e që është i 34-ti për meshkuj dhe i 11-ti për femra, marrin pjesë gjithsej 33 shtete me 197 sportistë, ku midis tyre për herë të parë në një Europian merr pjesë edhe Kosova. Janë 31 ekipe që konkurrojnë për kategorinë e meshkujve dhe 21 ekipe në kategorinë e femrave. Gjithsej përfaqësohen 130 sportistë meshkuj dhe 67 femra.
Pesha 62 kg
Stili i shkëputjes
1. Aleksande Spac (Moldavi) 121 kg p.tr. 61.49 kg
2. Daniel Godelli (Shqipëri) 121 kg p.tr. 61.92 kg
3. Bunyami Sezer (Turqi) 118 kg p.tr. 60.94 kg
Stili i shtytjes
1. Daniel Godelli (Shqipëri) 151 kg p.tr. 61.92 kg
2. Pavel Sukhanov (Rusi) 150 kg p.tr. 61.58 kg
3. Bunyami Sezer (Turqi) 145 kg p.tr. 60.94 kg
Dy garësh
1. Daniel Godelli (Shqipëri) 272 kg p.tr. 61.92 kg
2. Pavel Sukhanov (Rusi) 267 kg p.tr. 61.58 kg
3. Aleksande Spac (Moldavi) 266 kg p.tr. 61.49 kg