Rekordi i Beqajt, 5 ndeshja pa pësuar gol

450 minuta i panjollosur. As nga Ibrahimovic i Suedisë në eliminatoret e Kampionatit Botëror e as nga Diego i Verder Bremenit në Ligën e Kampioneve. Arjan Beqajt nuk mund t'i shënosh dot gol.
Portieri i Kombëtares shqiptare ka pesë ndeshje të kombinuara midis skuadrës kombëtare shqiptare (2 të tilla, kundër Suedisë 0-0 e Maltës 3-0), kampionatit qipriot (2, kundër Apep Kyperounda 3-0 e Doxa 1-0 ) e Ligës së Kampioneve (1, kundër Bremenit 0-0) në harkun e 16 ditëve, nga 1-16 shtator.
Një rekord unikal personal për 33-vjecarin Beqaj, lojtarin i shpallur dy herë "MVP" kundër Olimpiakosit dhe portierin më të mirë kampionatit qiprit për sezonin e kaluar.
Beqaj i vuri "drynin" portës së tij përballë një gjiganti europian si Verder Bremen me emra të tillë si Diego e Sanogo. "Vazhdon të shkruajë historinë Anorthosis Famagusta midis 32 më të mirave të Europës", - shkruante me krenari faqja qipriote kerkida.net.
"Zonja" (kështu thirret Anorthosis në Qipro) e nisi me sukses aventurën e saj në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve, duke barazuar pa gola kundër Verder Bremenit në "Vesershtadion".
Portieri i Kombëtares shqiptare ashtu si në ndeshjet e fundit të ekipit të tij, ishte një nga të dalluarit të formacionit të Timur Ketsbaia. Gjermanët patën disa mundësi të mira, por Beqaj me paraqitjen e tij u tha "Jo", lojtarëve të Verder Bremenit, pavarësisht se trajneri Tomas Shaf në fund të talimit pati në lojë katër sulmues.
Katër pritje shpëtitmare të Arjanit, ku spikat ajo e minutës së 91-të, Gjithsesi, nënkampionët e Gjërmanisë shënuan dy gola në pozicion jashtë loje.
"Përgëzime lojtarëve të mij për këtë perfomancë. Ne luajtëm shumë mirë përballë një ekipi të fuqishëm. Unë jam realish krenar për ekipin tim e startin e mirë në Ligën e Kampioneve ", - tha trajneri i Anorthosit, Temuri Ketsbaia për uefa.com. "Ne sigurisht që shpresonim të merrnim një rezultat të ndryshëm, por fatkeqësisht nuk ia arritëm. Ne patëm pesë apo gjashtë raste, por na mungoi përqëndrimi përpara portës", - pranoi pas ndeshjes trajneri i Verder Bremenit, Tomas Shaf.
Barazimi i qipriotëve të Anorthosis Famagusta e fitorja e rumunëve të Kluzhit ndaj Romës (2-1)në shtëpinë e kësaj të fundit, ishin edhe surprizat më të këndshme të ditës së parë të Ligës së Kampioneve.
Pesë ndeshjet pa gola te Beqajt
Me Kombëtaren shqiptare
06.09.2008: Shqipëri-Suedi 0-0
10.09.2008: Shqipëri-Maltë 3-0
Në kampionatin qipriot
01.09.2008: Anorthosis-APEP 3-0
12.09.2008: Doxa-Anorthosis 0-1
Në Ligën e Kampioneve
16.09.2008: Verder Bremen-Anorthosis 0-0