Juliana Pasha: Dua 6 minuta kohë për Shqipërinë

Në vigjilje të Festivalit Evropian të Këngës Juliana Pasha uron vetëm që Shqipëria të hyjë në finale. E sigurt edhe për kushtet teknike që jep skena e Eurovisionit
Një zë i fortë dhe performancë e kohës. Janë dy veçoritë që vihen në pah nga komentuesit e Eurovisionit por edhe nga media e huaj më 17 maj, ditën kur këngëtarja shqiptare Juliana Pasha bëri provën e parë në skenën e Festivalit Evropian të Këngës.
Gazetari amerikan Will Adams është shprehur se "Juliana Pasha, është transformuar nga një këngëtare e veshur pa shije si me një parukë në kokë, në një yll diskoteke që lëviz ijet aq lirshëm sa flokët".
Në faqen zyrtare të Eurovisionit përshkruhet edhe atmosfera që ajo krijoi në skenën e purpurt, e zbukuruar me sfera të argjendta. "Ajo performoi këngën pop me shumë ritëm dhe bindshëm, me një zë të fortë dhe një koreografi të përshtatur mirë, me violinistin që i sillet rrotull gjatë gjithë këngës dhe njëherë gjunjëzohet përpara saj", thuhet aty, duke e cilësuar paraqitjen e këngëtares si një "provë të parë shumë të mirë". Konkurrentja shqiptare është e para që hap gjysmëfinalen mes 39 shteteve pjesëmarrëse.
Juliana Pasha këndon në skenën e Eurovisionit këngën "Nuk mundem pa ty" (It's all about you), me muzikë të Ardit Gjebresë, tekst të Gjebresë dhe Pirro Çakos, më 25 maj. Shoqërohet nga violinisti Olen Çezari dhe tri back-vokaliste amerikane Joy Garrison, Glenys Vargas dhe Desiree Kedjour. Një ditë para nisjes për në Eurovision, në orët e fundit të përgatitjes së veshjes, Pasha dha këtë intervistë për "Shekullin".
Juliana, si ndihesh përpara nisjes për në Festivalin Evropian?
U bë një kohë e gjatë që punohet me këngën dhe që eksperimentoj në lokalet ku këndoj. E kam kënduar gjithë kohën "live". Megjithatë përballja e parë ime atje me skenën dhe me teknikën për të cilën bëhet fjalë, besoj se do të më japë siguri më të madhe sesa skena shqiptare. Jam e bindur që do të ketë një dëgjim të mirë të muzikës, do të kem një dëgjim të mirë të vetes sime. Nuk kam pse të kem emocione negative që të më mbysin.
Deri tani e ke prezantuar këngën në Bosnje-Hercegovinë, Greqi, Holandë. Ç'mendojnë të huajt?
Për ta është gjë e re që Shqipëria merr pjesë me një këngë me frymë evropiane. Vite më parë pothuajse në të gjitha performancat tona, kemi patur paksa frymën shqiptare nëpër këngë, jemi bazuar tek polifonia. Ardit Gjebrea këtë vit ka bërë punë të mrekullueshme për përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovision, ka kompozuar këngë me një frymë evopiane. Kjo ka ndikuar shumë për mirë tek të huajt.
Ke frikë nga vlerësimi?
Ajo që ne na vë në dyshim është gjysmëfinalja. Jemi të pozicionuar në një gjysmëfinale ku nuk na favorizojnë aspak shtetet që marrin pjesë, pasi shtatë janë vende ish Jugosllave, ish republika ruse. Pjesa tjetër është veriu i Evropës, Estoni, Letoni, nuk besoj se janë favorizuese për këngën shqiptare. Megjithatë le të shpresojmë. Ndoshta ky është një vit që do të votohet për këngën dhe jo për shtetin fqinj.
Në skenë shoqërohesh nga dy këngëtare amerikane dhe nga violinisti Olen Çezari. Të pëlqen kjo zgjedhje?
Ndihem e plotësuar për faktin se kam mbështetje nga profesionistë. Është menduar të jetë kjo performancë sepse duam të përqendrohemi tek kënga, tek melodia, tek këngëtari. Gjithçka që duam të japim është që njerëzit të kuptojnë mesazhin e këngës, melodinë, prandaj nuk kemi zgjedhur një performancë baleti apo koreografike. Kam menduar gjithmonë se performancat me koreografi janë të dobëta.
Na thuaj diçka për formimin tënd?
Shumë e dinë që nuk kam bërë një shkollë muzike. Vij nga një shkollë gjimnazi, "Qemal Stafa". Pas gjimnazit ndoqa Akademinë e Arteve, jo për kanto, për muzikologji. Muzikologjia është një degë mjaft e plotësuar, pasi ka të bëjë me historinë e muzikës, me orkestracionin, kompozicionin. Mund të them që është një nga degët më të vështira pas kompozicionit në Akademinë e Arteve.
Ka qenë e vështirë për mua në Akademi sepse vija nga një shkollë jo muzike, por kam patur mbështetjen e profesorëve aty. Fakti që kam bërë muzikë që në moshë fare të vogël, që 6 vjeçe më ka ndihmuar shumë dhe ka rritur mjaftueshëm veshin tim melodik edhe ritmik.
Më tepër sesa shkolla e Akademisë më ka ndihmuar një mësim privat trivjeçar që kam bërë, në moshën 15-16 vjeçare, me profesorin Luan Bakiu. Kam punuar intensivisht, për teknikën e të kënduarit, për mënyrën sesi duhet të qëndroja në skenë, për mënyrën sesi duhet ta nxirrja zërin.
E dyta ka qenë puna ime me të këngën "live". Ajo ma ka dhënë eksperiencën më të mirë. Ndërsa shkolla është një formim i përgjithshëm kulturor, për sa i përket muzikës.
A je ngopur me këtë formim muzikor?
Nuk ngopesh asnjëherë. Njeriu nëse nuk kërkon, dhe nëse nuk punon mbetet në një vend. Mendoj që duhet të kesh talentin, por duhet ta kultivosh atë, dhe duhet të punosh vazhdimisht për ta arritur.
Meqë nuk ke bërë një shkollë të mirëfilltë muzike, çfarë ka lënë mangët tek ty?
Unë nuk mendoj se më mungon diçka, pasi nuk pretendoj të shkruaj këngë. Ka kompozitorë që mund të shkruajnë këngë për mua. Që të jesh këngëtar duhet të dish patjetër të shkruash këngë, apo të luash një vegël.
Ka qenë e vështirë apo e shtruar kjo rrugë që ke ndjekur?
Ka qenë babai im iniciatori që unë të isha pjesëmarrëse në festival dhjetë vjet më parë. Nuk ka qenë e vështirë për mua rruga e këngës. Çmimi i parë ka ardhur si pasojë e eksperiencave ndër vite. I jam dhënë pak e nga pak këtij publiku. Nuk jam velur tek ai, nuk kam dashur ta bëj këtë gjë.
Kam dashur të jem disi misterioze në faktin e daljeve të pakta në skenë, por edhe mosdalja me një videoklip. Ky ishte momenti më i mirë për një videoklip.
Nuk ka qenë e vështirë rruga e muzikës sepse ka një publik të veçantë, i cili pëlqen muzikën që bëj unë dhe ky publik më ka ndjekur kudo, jo vetëm në skenën e festivalit, po edhe në skenat e vogla ku unë këndoj çdo fundjavë.
Në videoklip mungonte ritmi, energjia që pamë në skenë. Pse?
Videoklipi është konceptuar në këtë mënyrë nga Pali Kuke. Ai ka dashur të sjellë kontrastin e rrymave. Edhe pse është një këngë mjaft energjike, ajo flet për një tekst dashurie në fund të fundit. Ndaj, atë dashuri ai ka dashur ta sjellë ashtu krejt natyrshëm, në natyrë, ku gjithçka kishte të bënte me mua. Kujtoj veten time në momente të ndryshme të jetës.
Diku jam e përqafuar me djalin që kam dashur, diku jam pranë rrobave të tij, por unë gjatë gjithë kohës shoh veten time në kohën që ka kaluar. Po qëndroj tashmë me kujtimet e mia.
Nuk je përzierë asnjëherë me komercialen...
Por, nuk kam bërë muzikë komerciale se nuk më është përshtatur. Kam qenë e përqendruar në muzikën pop, në baladë, në rrok, pasi ajo është muzika që më përshtatet mua dhe që di ta përcjellë më mirë tek publiku.
Ia del të jetosh me muzikën?
Fakti që unë jetoj me muzikën, tregon që një artiste edhe mund të jetojë me muzikën.
Përse të duhet të këndosh në lokale nate atëherë?
Unë jam ndjerë gjithmonë shumë mirë që interpretoj "live". Nuk ka më mirë se të kesh publikun vetëm dy metra larg teje dhe ai të të shohë aq afër dhe të ndjejë aq afër, atë që ti i transmeton atij. Këngëtaret më të mira në të gjithë botën kanë dalë nga interpretimi "live" në lokalet ku ato kanë punuar.
Tashmë në Shqipëri është përhapur shumë "live"-i dhe shumë këngëtarë po e përqafojnë dhe këtë mënyre pune, nëse mund ta bëjë mirë kështu, tregon se artisti mund të jetojë me "live".
Po vetë çfarë muzike dëgjon?
Shijoj çdo muzikë që është e bukur dhe që më dhuron emocion në momentin që e dëgjoj. Ndër rrymat që preferoj është blues, pop, baladë, por që në makinë do të më pëlqente "funky" sepse është muzikë shumë ekspresive. Në mbrëmjet me shi do të doja balada romantike. Secili moment ka nevojë për muzikën e veçantë, muzikën që i shkon momentit.
Cilët janë yjet e muzikës për ty?
Kam qenë vetëm një javë më parë në 4 maj në Romë dhe kam shijuar një koncert të mrekullueshëm të Ëhitney Houston. Ka qenë një ndër këngëtaret e mia të para që e kam dashur. E më pas ka qenë Celine Dion ajo që e kam pëlqyer vërtet shumë. Këto janë dy emrat që unë i dua dhe i dëgjoj vazhdimisht.
A po e shijon kohën para Eurovisionit?
Kjo kohë ka qenë e lodhshme. Shijoja më shumë qetësinë. Më pëlqen të jem në shtëpi, të jem në familjen time, duke u marrë me shtëpinë time të re. Kjo ishte një periudhë e veçantë. Them që në Holandë jam ndjerë një artiste. Interpretuam në një koncert. Njerëzit kishin në duar foto të shkarkuara nga interneti, me logo në bluzat e tyre dhe shumica e tyre nuk ishin as shqiptarë. U ndjeva krenare për çfarë kishim bërë deri më tani me këngën.
Interpretova në koncert këngën e Eurovisionit dhe një këngë Eurovisionesh të kaluara, një këngë të vitit 1972, këngën fituese të Luksemuburgut "Après Toi" të Vicky Leandros. Një këngë që ata e dinin të gjithë përmendësh dhe e kanë kënduar me mua gjatë gjithë kohës.
Çfarë do doje të ndodhte më 25 maj?
Suksesi për mua do të jetë finalja. Nuk ka rëndësi se në çfarë vendi do të dalë Shqipëria. E rëndësishme është që ne të jemi në finale. Dua që Shqipëria të ketë 6 minuta kohë për t'u përmendur, për t'u dëgjuar muzika e saj, jo 3 si zakonisht.