Italia dhe Frattini, avokatë më të mirë të Shqipërisë
Ambasadori italian Saba DElia ka deklaruar se Italia dhe ministri i jashtëm i saj, Franko Frattini janë avokatët më të mirë të Shqipërisë në procesin e integrimit të saj në familjen evropiane. Gjatë një vizite të qytetin e Shkodrës ai ka theksuar se Shqipëria ndodhet shumë pranë liberalizimit të vizave me BE, duke vlerësuar në këtë drejtim progresin që vendi ynë ka bërë në përmbushje të objektivave për integrim në familjen Evropiane.
Jemi ndër mbështetësit më të bindur të mundësive që ka Shqipëria për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, si mund të them avokatët më të mirë të saj. Flitet prej kohësh për perspektivën e liberalizimit të vizave. Ajo që mund të ripërsëris janë fjalët e ministrit të jashtëm Frattini, i cili në një vizitë pak muaj më parë në Shqipëri është shprehur qartë për heqje të regjimit të vizave, nënvizoi ambasadori italian. Përsa i përket zgjedhjeve të qershorit, DElia theksoi se ato nuk janë vetëm kusht teknik, por një standard për të cilin partnerët evropianë janë të bindur se Shqipëria do ta plotësojë, duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm në përafrimin e saj me Unionin Europian. Zhvillimi i këtyre zgjedhjeve dhe fakti që ato ashtu si në të gjithë shpresojmë dhe jemi të bindur se do të jenë korrekte dhe transparente është një element që do të ndikojë pozitivisht në përmbushjen e objektivit që ka Shqipëria për tu bërë sa më shpejt pjesë e familjes evropiane, vijoi ai. Gjithashtu, ambasadori italian konfirmoi se Rruga Shkodër - Hani i Hotit me vlerë 30 milionë euro dhe zona industriale në Koplik janë dy prej projekteve, që do të marrin udhë brenda këtij viti.