"Të gjithë me huqe", pacientët rikthen në skenën teatrore
Në skenën e Teatrit Kombëtar është rikthyer komedia. Shfaqja "Të gjithë me huqe" me regji të Gëzim Kames e histori të francezit Laurent Baffi, ka sjellë historinë e gjashtë pacientëve, të cilët vuajnë nga tike të ndryshme nervore dhe ka ringjitur në skenë pas 20 vjetësh edhe Viktor Zhustin. Shfaqja do të vijojë dhe këtë fundjavë për publikun, duke bërë që ai të ndjekë në skenën teatrore një histori, e cila përpos probleme që ndeshen në realitetin shqiptar, do ti shkaktojë dhe të qeshura.
Në rolin e mjekut por dhe personazhi kryesor është Viktor Zhusti, ndërkohë që pacientët e tjerë të Kames ishin dhe Rajmonda Bulku, Genc Fuga, Ermela Teli, Olta Daku dhe Roland Trebicka. "Të gjithë me Huqe" edhe pse e shkruar nga francezi Baffi në vitin 2005, është ngjitur në shumë skena ndërkombëtare nga komedianë të njohur. Edhe komedia franceze, ka lindur si reagim i shqetësimeve të përditshme dhe Kame, ka menduar ta përshtatë atë me ambientin shqiptar. Ata janë gjashtë persona të cilët vuajnë nga simptoma të ndryshme. Me orë të tëra presin mjekun psiko-analist për t'u konsultuar por më kot pasi, e shohin se me njëri- tjetrin, me durimin dhe humanizmin, ia dalin pa nevojën e tij. Ky është pak a shumë mesazhi që sjell komedia Të gjithë me huqe, e autorit francez Laurent Baf, që u ngjit premierë në skenën e Teatrit Kombëtar. Kjo komedi vjen e përshtatur në gjuhën shqipe nga Nonda Varfi dhe Viktor Bakillari. Pas vënies në skenë të dramës Pjata prej druri, dhe Kohë për tu çmendur, regjisori Gëzim Kame vjen dhe këtë herë në TK me një pjesë e cila shënoi suksesin e tij të radhës. E kam zgjedhur këtë vepër pasi më interesoi që në momentin e parë që e pashë, konkretisht kontaktin e parë me të e pata rreth një vit më parë. Arsyet janë të shumta, por ajo që është më kryesorja dhe në të njëjtën kohë me bëri përshtypje filozofia e përgjithshme reale dhe njerëzore që ajo ka. Ka shumë humanizëm brenda. Kjo është njëra nga arsyet, pasi një tjetër do të veçoja faktin që ajo është një komedi tepër intelektuale është si të thuash e qëndisur në aspektin profesional, është e ndërtuar shumë bukur, është një komedi karakteresh që ka vite që unë nuk kam lexuar një komedi të kësaj natyre. Është shumë aktuale për terrenin shqiptar dhe të gjitha këto bëjnë që ajo në të gjitha drejtimet të ketë të gjitha pluset për t`u vendosur në skenën shqiptare, u shpreh regjisori Gëzim Kame. Komedia Toc -Toc, shkruar vetëm 3-4 vjet më parë është ngjitur, jo vetëm në skenat e Francës, por është përkthyer dhe përshtatur për skena të ndryshme botërore. Autori është 50 vjeç dhe po gëzon famën e tij për krijimet origjinale në fushën e teatrit, kinemasë, por edhe televizionit.