Goditet organizata kriminale me qendër në Elbasan, sekuestrohen pasuri me vlerë 4 mln euro

Një organizatë kriminale me qendër në Elbasan është goditur nga SPAK dhe autoritetet Italiane, duke çuar në sekuestrimin e pasurive me vlerë 4 milionë euro.
Sipas SPAK, organizata kriminale nga Elbasani vepronte në Verona të Italisë dhe ishte përgjegjëse për transportin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në tregun europian.
Janë sekuestruar një ndërtesë, në Nogarole Rocca (Verona), një ndërtesë, me vlerë rreth 3 milionë euro, e përbërë nga 30 njësi (zyra dhe dyqane) në Verona, një llogari bankare ku depozitoheshin qiratë e zyrave dhe dyqaneve, rreth 400 mijë euro në vit dhe një shoqëri tregtare që operonte në fushën e ndërtimit, me kuota 100% në Itali.
Sipas hetimeve, këto pasuri janë krijuar dhe financuar me përfitimet nga trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut në tregjet europiane. Vëmendja u përqendrua tek një shoqëri e pasurive të paluajtshme në Itali, të cilës i dërgoheshin shifra të mëdha parash, përmes sistemit bankar.
Sipas SPAK, ka rezultuar se paratë vinin nga Shqipëria, pasi organizata kriminale i transferonte të ardhurat nga një shoqëri tregtare në Shqipëri, në pronësi të dy vëllezërve shqiptarë dhe këto shuma investoheshin në Itali në ndërtim, rikonstruksionin e ndërtesave, të cilat, më pas jepeshin me qira.
Njëri prej dy vëllezërve është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa tjetri ndodhet në një burg në Belgjikë. Ky i fundit u arrestua në Verona, në qershor të vitit 2024, pas ekzekutimit të një urdhër-arresti, të lëshuar nga autoritetet belge, mbi dyshimet për përfshirje në një vrasje mafioze në Antwerp, si pasojë e konflikteve mes grupeve rivale të trafikut të drogës.
Nga hetimet u konstatua se përdorimi i burimeve të mëdha financiare që derdheshin nga Shqipëria në ekonominë italiane, përfaqësonte edhe hallkën përfundimtare të pastrimit të parave, të kryera nga jashtë vendit përmes një shoqërie tregtare në Shqipëri, në pronësi të organizatës kriminale.
“Në Shqipëri, janë kryer transaksione të dyshimta të pasurive të paluajtshme, me qëllim pengimin e gjurmueshmërisë së origjinës së paligjshme të parave dhe në këtë mënyrë organizata përfitonte shërbime të ‘pastruara’, me fitimin e përftuar nga transaksionet e dyshuara, të cilat mund të ripërdoreshin në investime në prona të paluajtshme, në territorin italian”, shkruan SPAK.
Gjithashtu janë sekuestruar pasuritë e paluajtshme dhe burimet financiare që i përkasin administratorit të një shoqërie të pasurive të paluajtshme në Verona, në pronësi të një çifti shqiptarësh, të përfshirë në të kaluarën në trafikun e lëndëve narkotike. Ata konsideroheshin si njerëzit e besuar të dy vëllezërve dhe rezultuan të figuronin në listën e pagesave të organizatës kriminale.
/rtsh.al/