E Diel, 1 Nëntor 2026

Goditet rrjeti i azilantëve të rremë, MB jep detajet

MPB sot pasdite ka zbardhur operacionin e ndalimit të një rrjeti për organizimin e qytetarëve të Maqedonisë që udhëtojnë drejt vendeve të BE-së për të kërkuar statusin e azilit. Në rrjetin e organizatorëve në pranga ka përfunduar edhe një pjesëtar i policisë në pikën kufitare Tabanoc me Serbinë. Polici Ivica.I, nga fshati Bilakovc i Kumanovës për çdo qytetarë që do të largohej për qëllime azili, ai merrte nga 50-70 euro person, për ti lejuar për të kaluar pikën kufitare të Tabanocit.

Ai paratë i siguronte nga ndërmjetësi i këtij krimi të organizuar Dejan.A nga fshati Opajë, i cili ishte një nga organizatorët e rrjetit për sigurimin e depërtimit të qytetarëve azilkërkues të rrejshëm nëpër pikën kufitare të Tabanocit. Gjithashtu në këtë aktivitet të paligjshëm ishin përfshirë edhe Nexhatin dhe Xhamsat.A nga Koçani, të cilët po organizonin dhe transportonin qytetarët azilkërkues që udhëtonin drejt vendeve të BE-së. Ata transportonin familje të tëra për një shumë prej 250-350 euro për person në destinacione të ndryshme evropiane.

Rrjeti u zbulua dy ditë më parë në pikën kufitare Tabanoc pas një kontrolli të kryer, kur në furgonin që transporonte azilkërkuesit u ndaluan shtatë persona të rritur dhe dy të mitur nga Vinica dhe Koçani i Maqedonisë Lindore. Azilkërkuesit fillimisht transportoheshin deri në Kumanovë dhe më pas në mënyrë të organizuar udhëtonin drejt pikës kufitare, kur ishte në orarin e punës, polici ndërmjetës, i cili për kalimin e një furgoni udhëtarësh siguronte rreth 400 euro. MPB këtë aksion e ka ndërmarrë në bashkëpunim me policinë serbe, e cila kishte dyshuar se në disa raste qytetarë të Maqedonisë udhëtonin drejt Serbisë, gjoja për qëllime familjare, ndërsa më pas përfundonin si destinacion drejt vendeve evroperëndimore.

Ndaj rrjetit të organizuar është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, ndërsa pritet të ngriten akuza për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›