E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikoliç: Kam reaguar emocionalisht kundër Shkupit për njohjen e Kosovës

Presidenti serb Tomislav Nikoliç ka pranuar se kishte reaguar emocionalisht kur Maqedonia njohu Republikën e Kosovës, kohë në të cilën ai ka qenë në opozitë.
 

“Unë tani nuk jam në opozitë dhe sot jam president shteti. Për shumë çështje duhet të mendoj ashtu që gjithçka të reflektohet në të ardhmen e shtetit dhe popullit. Ishte një reagim emocional kur Maqedonia pranoi pavarësinë e Kosovës. Por, atëherë kur Serbia refuzoi pranimin e ambasadorit të Maqedonisë në Beograd, unë thash se ishte një akt i turpshëm. Unë atëherë thash se ja kemi gjetur shtetin më të vogël për ta dënuar”, theksoi sot presidenti Nikoliç, i pyetur rreth qëndrimit të tij se a ka ndryshuar qasja ndaj emrit kushtetues të Maqedonisë në kontekst të njohjes së Kosovës.
 

I pyetur lidhur me kontestin e emrit midis Shkupit dhe Athinës, Nikoliç theksoi se dyja vendet janë vende mike të Serbisë, por sipas tij, ashtu siç është i shqetësuar për vendin e tij për tu bërë anëtare e BE-së, ashtu është i shqetësuar edhe për Maqedoninë. Ai ka folur edhe lidhur me kontestin midis Kishës Serbe dhe asaj Maqedonase, duke inkurajuar që përmes dialogut të zgjidhen mosmarrëveshjet.
 

Nikoliç ka falenderuar presidentin Ivanov dhe udhëheqjen shtetërore të Maqedonisë që i krijoi mundësi delegacionit të Serbisë që të shënojë 100 vjetorin e fillimit të luftërave Ballkanike.

“Këtu jam për të marrë pjesë në shënimin e 100 vjetorit të Luftërave Ballkanike. Serbia ka pasur beteja të mëdha në Ballkan që i ka udhëhequr në Maqedoni”, theksoi Nikolliç, vizita e të cilit mbi këtë çështje ka nxitur debate tek historianët shqiptarë, të cilët akuzojnë se kjo vizitë bëhet për të përkujtuar betejën dhe masakrat serbe kundër shqiptarëve.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›