E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studiuesi shkodran Arshi Pipa në letrat shqipe

Qendra e Studimeve Albanologjike i kushton studiuesit dhe përkthyesit një simpozium shkencor
Qendra e Studimeve Albanologjike i ka kushtuar studiuesit dhe përkthyesit shkodran Arshi Pipa një simpozium shkencor. Një nga figurat më të kritikuara të regjimit komunist, ishte në qendër të konferencës shkencore me titull Arshi Pipa në letrat shqipe, e cila u zhvillua dje në mjediset e Ministrisë Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ai u nda nga jeta në vitin 1997, por që nga ajo kohë, madje edhe përgjatë gjithë regjimit komunist, disa nga studimet e Arshi Pipës mbeten ende të panjohura. Vetë albanologët shqiptarë u shprehën se në treg qarkullojnë vetëm disa vepra prej krijimtarisë së Pipës, kryesisht në poezi. Firmën e studiuesit Arshi Pipa e mbajnë dhe një sërë përkthimesh. Ai ka qenë i pari që ka sjellë në gjuhen angleze veprën e njohur të Kadaresë "Kronikë në Gur". Studiuesi Arshi Pipa u konsiderua si disident në periudhën e diktaturës dhe bashkë me Martin Camaj punuan kryesisht në mërgim. Sipas drejtorit të Qendrës së Studimeve Albanologjike Ardian Marashi konferenca, e cila u zhvillua për nder të veprës së tij megjithëse nuk përkonte me ndonjë përvjetor ajo ishte shumë e rëndësishme. Konferenca e sotme nuk përkon me asnjë datë përkujtimore të Pipës, por ajo është shumë e rëndësishme për veprën e tij. Edhe sot nga krijimtaria e tij janë akoma shumë vepra të cilat mbeten të panjohura, u shpreh studiuesi Ardian Marashi, më tej ai shtoi se: vetë konferenca do të kujtohet dhe në vitet në vazhdim. Madje sipas tij kjo konferencë kërkon të sensibilizojë dhe organet shtetërore dhe konkretisht atë të Ministrisë së Kulturës, pasi nuk ka bërë aq sa duhet për këtë figurë të letrave shqipe. Realizimi i konferencës nuk ka për qëllim rehabilitimin e figurës së Arshi Pipës, por rehabilitimin e MTKRS, që e ka lënë në hije këtë personalitet, vijoi matej gjatë fjalës së tij drejtori i QSA Ardian Marashi. Për studiuesen dhe akademiken Floresha Dado, studiuesi Arshi Pipa me veprat dhe studimet e tij ishte në kundërshtim ne regjimin e kohës ku ai jetonte. Ai vinte në kundërshtim me politikat dhe filozofinë e kohës ku jetonte, pasi filozofia e tij ishte e ngjashme me atë të Bergsonit, dhe këtë gjë ai e shfaqte hapur, u shpreh Dado. Arshi Pipa u cilësua në konferencë nga poeti dhe publiçisti Çelo Hoxha si një nga pikat referuese të letërsisë shqipe. Sipas tij: Arshi Pipa gjatë të gjithë krijimtarisë së tij letrare ka shfaqur përherë refleksione të kundërta me zhvillimet në Shqipëri. Për ta njohur dimensionin e tij dhe për të perceptuar mendimin e një njeriu elitar krejtësisht të kthjellët në punët e letërsisë dhe në moralin idealist të të besuarit në vlerat njerëzore, Pipa bëhet pinjolli i dritës mbi obskurancën shqiptare të viteve 70-80 në Shqipëri. Për ta kaluar këtë në një rrafsh tekstor, letrar dhe studimor, u zhvillua dje dhe konferenca Arshi Pipa në letrat shqipe, ku u mblodhën shkrimtarë e personalitete të letrave për të shenjuar prej së pari krijimtarinë letrare të Pipës. Së bashku me publicistin Martin Camaj ishin disidentë të cilët punuan në mërgim dhe që dhanë një kontribut të madh intelektual në fushën e gjuhësisë, letërsisë, filozofisë, sociologjisë, si dhe publicistikës. Ky organizim ofroni një program studimor, por dhe refleksione për çpërfaqësonte në letrat shqipe Pipa duke referuar: Ardian Marashi, studiues: Pipa në gjuhë të huaj dhe në përkthim; Floresha Dado, akademike: Arshi Pipa, filozofia e jetës dhe e artit letrar; Hektor Çiftja, studiues: Arshi Pipa dhe disiplina akademike e studimeve kulturore; Çelo Hoxha, poet, publicist: Antistalinizmi koherent i Arshi Pipës; Myftar Gjana, poet, publicist: Kadare-Pipa: historia e një polemike; Dhurata Shehri, studiuese: Arshi Pipa dhe Migjeni; Agron Tufa, shkrimtar, studiues: Ngushëllimi me Muzat; Baviola Shatro, studiuese: Lindja e poezisë: transfigurimi i ëndrrës në vetëdije për kohën; Hysni Ndreu, studiues: Reportazh poetik nga zgavra e ferrit; Behar Gjoka, shkrimtar, studiues Arshi Pipa-themelvënës i kritikës letrare shqipe; Brikena Smajli, studiuese: Për një Histori të Letërsisë Shqipe: metodika bazë e studimit; Odeta Zhegu, studiuese: Mes Gjergj Elez Alisë dhe Zhuljetës.  
Jeta dhe vepra e studiuesit
Arshi Pipa u lind në Shkodër, në një familje intelektuale të këtij qyteti. Ai u diplomua për filozofi në Universitetin e Firences, në vitin 1942. Pipa dha mësim në Amerikë në Kolegjin e Arkansasit si profesor i filozofisë dhe më vonë si profesor në Universitetin e Minesotës, ku ligjëroi letërsinë italiane. Ka realizuar një sërë veprash letrare, ndër to Lundërtarët, Libri i Burgut, Rusha dhe Meridiana, Letërsia shqiptare, perspektiva sociale, Letërsia shqiptare bashkëkohore, etj. Ka kryer edhe shumë studime si: Tipologjia dhe periodizimi i letërsisë shqiptare, Bisedë me Kadarenë, Dy libra për gjuhën dhe folklorin, etj. Së bashku me publicistin Martin Camaj ishin disidentë, të cilët punuan në mërgim dhe dhanë një kontribut të madh intelektual në fushën e gjuhësisë, letërsisë, filozofisë, sociologjisë si dhe publicistikës. Arshi Pipa, pasi vuajti 10 vjet në burgjet e Shqipërisë, pas lirimit u arratis në Amerikë, ku dhe ndërroi jetë në 20 korrik të 1997.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›