E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për flamujt, vritet militanti i PD

 

“Vrasja ka ardhur pas një sherri të dhunshëm për flamujt e fushatës elektorale. Simpatizanti i Partisë Socialiste ka vrarë atë të Partisë Demokratike”. Ky është versioni edhe i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë edhe i Drejtorisë së Policisë së Durrësit për ngjarjen e djeshme në fshatin Qerret. Sipas të dhënave të policisë, mëngjesin e djeshëm, viktima Artan Zeka, vetëm 25 vjeç, një simpatizant i Partisë Demokratike, është konfliktuar dhe rrahur me autorin e vrasjes Skënder Balla, 46 vjeç, simpatizant i Partisë Socialiste. Ngjarja ka ndodhur para një lokali në qendër të fshatit, ndërsa motivi kishte lidhje me tentativën apo heqjen e një flamuri të fushatës elektorale që kishte siglën dhe shenjat e Partisë Demokratike. Po sipas policisë, pasi janë rrahur, Skënder Balla ka shkuar në shtëpi ku ka marrë një armë, të cilën e ka përdorur për të qëlluar në drejtim të njerëzve me të cilët konsumoi sherrin e dhunshëm. Për rezultat ka mbetur i plagosur dhe më pas ka humbur jetën në spital 25-vjeçari, Artan Zeka.
Skena e vrasjes
“Batutat për flamurët e fushatës kanë nisur disa ditë më parë”, pohoi për “Panorama” Drejtori i Policisë së Durrësit, Ilia Nasi. Sipas zyrtarit të lartë të policisë debatet mes viktimës dhe vrasësit kanë shtuar pikërisht mëngjesin e djeshëm dhe më tej dy palët kanë kaluar në një sherr të dhunshëm. “Është e vërtetë se viktima dhe të tjerë e kanë qëlluar të akuzuarin për vrasjen Skënder Balla, por edhe ai ka kundër-reaguar. Më tej është e pafalshme që ai ka shkuar të arma për të gjetur zgjidhjen e problemeve. Pasi nëse do të kishte lajmëruar policinë, sherri do ishte zgjidhur nga njerëzit që përfaqësojnë shtetin”, tha Drejtori Nasi duke shtuar se një sherr të ngjashëm, veçse për motive të ndryshme, e kishin zgjidhur një ditë më parë duke shoqëruar protagonistët të polici. Sipas shpjegimit të kryepolicit të Durrësit, autori për pak sa nuk ka konsumuar një masakër duke qëlluar plumba të shumtë në adresë të një grumbulli të madh njerëzish. Por, po sipas Nasit, i arrestuari, nuk bëri tentativa të largohej, të fshihej, pra u kap në shtëpinë e tij. Po kështu ai nuk bëri tentativa që të dorëzohej duke e shprehur këtë qoftë me anë të një telefonate. Gjithsesi në ambientet e izolimit, Skënder Balla duket është penduar. Sipas Drejtori Nasi ai është dëgjuar të thotë: Kjo është fatkeqësi imja dhe fatkeqësi e fëmijëve të mi.
Komunikata e policisë
Në komunikatën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë lëshuar për këtë ngjarje thuhet se “sot, rreth orës 09:00 në fshatin Qerret, Sukth është plagosur rëndë me armë zjarri shtetasi Artan Zeka, 25 vjeç, simpatizant i Partisë Demokratike, lindur e banues në Qerret”. Më tej në të njëjtën komunikatë thuhet “...autori kësaj ngjarje shtetasi Skënder Balla, simpatizant i Partisë Socialiste, 45 vjeç është larguar për t’u rikthyer me një armë automatike dhe ka gjuajtur në drejtim të shtetasit Artan Zeka, duke e plagosur rëndë, cili më pas ka gjetur vdekjen në spitalin e qytetit të Durrësit”.

Berisha: Ruani gjakftohtësinë
Kryeministri Sali Berisha ka ngushëlluar dje familjen e Artan Zekës, i cili humbi jetën në Qerret, pasi u qëllua nga Skënder Balla me armë. “Kryeministri Berisha u bën thirrje të gjithë shqiptarëve të ruajnë gjakftohtësinë dhe vetëpërmbajtjen dhe kërkon me forcë zbatimin e plotë të ligjit mbi autorin e këtij akti kriminal. Kryeministri u bën thirrje të gjithë aktivistëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike të mbajnë një minutë heshtje në tubimet e tyre për humbjen e demokratit, mikut Artan Zeka”, thuhet në deklaratën e kreut të qeverisë. Ngjarja u dënua edhe nga zëdhënësja e fushatës elektorale të PD-së, Majlinda Bregu dhe kandidati i qarkut të Durrësit, Ferdinand Xhaferri.

Artan Zeka, vetëm katër orë jetë në spitalin e Durrësit
DURRES - Vetëm 4 orë ka arritur t'i mbijetojë plagëve të plumbave të kallashnikovit 25-vjeçar Artan Zeka. Megjithë transportimin e shpejtë në urgjencën e spitalit të Durrësit dhe angazhimin e plotë të mjekëve, gjendja shëndetësore ka qenë shumë e rëndë. Dy kirurgët më të mirë të Durrësit, Miri Hoti dhe Ilir Shani morën përsipër operacionin për të shpëtuar të plagosurin, i cili mbërriti në sallë në gjendje kritike. Një plumb i vetëm kallashnikovi i kishte depërtuar në brinjë, duke copëtuar gjatë depërtimit të tij organet jetësore. Në orën 12:55 aktivisti demokrat u nda tragjikisht nga jeta. Ai arriti të mbijetojë vetëm katër orë pasi plumbi i kishte copëtuar barkun. Nëse do të kishte jetuar pak më gjatë një helikopter i posaçëm i porositur nga prefekti Klodian Pajuni do ta dërgonte për kurim jashtë shtetit, por fatkeqësisht nuk qe e shkruar kështu. Mësohet se një nga shkaqet e vdekjes ka qenë edhe humbja e madhe e gjakut. Në ankth ishin familjarët e tij, të cilët i ka mbuluar dhimbja e kanë dhënë kujën në spital, sapo kanë mësuar për vdekjen e djalit të tyre. Bashkë me ta, në spital kanë qëndruar për orë të tëra dhe deputet e PD-së së Durrësit. Kryedemokrati i Durrësit Igli Cara, deputetët Osman Metalla, Ferdinant Xhaferri, Dardan Domi si dhe prefekti Klodian Pajuni kanë qëndruar për rreth 3 orë në spitalin rajonal gjatë të gjithë kohës që simpatizanti demokrat, Artan Zeka, luf-tonte mes jetës dhe vdekjes në sallën e operacionit.           o.u

“Skënderin e rrahën e i thyen makinën para se të vriste”

Nga i dërguari ynë,Ferdinand Dervishi

Mëngjesin e djeshëm, pikërisht në kohën kur fëmijët shkojnë për në shkollë, duke e lënë të lirë mesin e rrugës për makinat, kapardisur në një BMW të bukur, Skënder Balla kaloi i qetë para lokalit në qendër të Qerretit, një fshat në veri të Durrësit. Para të njëjtit lokal, ku një orë më pas do të kthehej me kallashnikov në duar për të vrarë një njeri, një bashkëfshatar. Një ngjarje që do trondiste e acaronte politikën e Tiranës në prag të zgjedhjeve elektorale, emetuar me forcë në formatin “simpatizanti i Partisë Socialiste vrau simpatizantin e Partisë Demokratike”, një ngjarje që askush nuk pret të përfundojë me pak pasoja.  
Po e vërteta thotë se mëngjesi i djeshëm nuk kishte pasur asgjë më shumë se sa rutina e zakonshme për familjen Balla. Si përditë Skënderi, ai që do vriste një orë më pas, i kishte thënë së shoqes, Bukuries, të bënte gati gjërat që i duheshin të merrte me vete për të shitur në kioskën e vet që gjendej në afërsi të bregut të detit, në vendin e quajtur Kanali i Gjermanit. Një minutë më pas ai ishte nisur të bënte furnizimin në fshatin fqinj duke kaluar qetësisht me autoveturën BMW para lokalit ku më pas do të kthehej të vriste. Në të njëjtën kohë, në pritje të së shoqit, gruaja rreth të dyzetave, nënë e dy fëmijëve të rritur, kishte mbrehur kalin në karrocën primitive, duke ngarkuar mbi të mallin, sepse Skënderi nuk përdorte autoveturën për të çuar mallin te kioska.
Një orë më pas gruaja zgjohet nga mendimet e zakonshme të halleve të zakonshme prej britmave të fqinjës, që i thoshte se në të hyrë të shtëpisë i shoqi, Skënderi, po rrihej me disa të tjerë.

“Skënderin e rrahën para se të vriste”
“Unë vrapova si e çmendur dhe pashë një skenë që më errësoi sytë. Pashë Skënderin, tim shoq, ta qëllonin katër a pesë vetë barbarisht. Ata kishin hapur derën e makinës së tij dhe e godisnin me shkelma sa të mundnin dhe ku të mundnin”, rrëfen përmes lotëve Bukurie Balla, gruaja e Skënderit, që edhe rreth 7-8 orësh pas ngjarjes, duket nuk arrin ta rrokë atë me gjithë pasojat që dikton. Pas saj, me rolin e sfondit, si për të vulosur pa asnjë dyshim formularin e ekonomisë së dobët të familjes, gjendet një bufe e formatit të kohës së diktaturës.  
“Aty njoha atë të ndjerin, Artan Zekën, të atin dhe kunatin e tij, që qëllonin tim shoq. Një prej tyre në të njëjtën kohë rrëmbeu një gur dhe theu xhamin e parë të makinës, ndërkohë edhe ai i pasmi ishte shkërmoqur. U futa në mes dhe me ndihmën edhe të Ymer Berishës, të zotit të lokalit aty pranë, arritëm ta ndajmë sherrin. Por nuk e mendova kurrë se Skënderi do të reagonte në atë mënyrë”, rrëfen Bukuria. Në fakt, Skënderi ishte sulmuar në kthim, para të njëjtit lokal ku gjysmë ore më parë kishte kaluar qetësisht. Sipas dëshmitarëve, por edhe dëshmive të administruara nga policia, disa simpatizantë të Partisë Demokratike, që gjendeshin në lokal, e kishin sharë e qëlluar me gurë, duke i thyer xhamin e pasmë të makinës nën akuzën se ai kishte tentuar, apo i kishte hequr, një flamur elektoral të kësaj partie, të vendosur nëpër shtyllat e rrugës dhe në ambientet pranë lokalit. Pak më tej, rreth 20 metra, teksa ulte shpejtësinë të merrte kthesën për t’u futur te shtëpia, Skënderin e kishin mbërritur duke e ndjekur nga pas dhe pa pranuar asnjë sqarim e kishin dhunuar. Një tjetër skenë që është dëshmuar në polici jo vetëm nga familjarët e tij.
 Hakmarrje me vrasje
“Skënderit nuk i pashë ndonjë plagë të dukshme në fytyrë, vetëm se më bëri përshtypje se atë e kishte të verdhë, si maskë. Isha me vjehrrën në shtëpi dhe u munduam që ta qetësonim, por ai nuk na dëgjoi. Ndërkohë e pyeta se përse u bë sherri dhe Skënderi më tha që babai i të ndjerit, i të vrarit, e kishte akuzuar se kishte grisur një flamur të Partisë Demokratike. Në të njëjtën kohë, pa lënë të kuptojmë se kishte në mendje të hakmerrej, Skënderi u përvodh, shkoi te kasollja dhe rrëmbeu armën”, vazhdon rrëfimin bashkëshortja e Skënder Ballës. Në të njëjtën kohë, e ëma plakë, 70-vjeçarja Serma Balla, e kishte vënë re të birin tek rrëmbente armën dhe kishte tentuar ta pengonte. “E pashë me armë në dorë pranë kasolles dhe i dola para t’i prisja rrugën, por ai më pa dhe u kthye mbrapsht për të dalë nga ana tjetër, nga pas shtëpisë”, rrëfen e këputur plaka momentin që i ka mbetur më shumë peng në zemër. Pak sekonda më pas dy femrat do të dëgjonin një breshëri të gjatë kallashnikovi. Krisma ogurzeza që vinin jo më shumë se nga 50 metër larg në vijë ajrore.
“Unë në atë kohë dola nga lokali me tabaka në duar për të çuar një porosi në një nga tavolinat jashtë, kur pashë një njeri me armë në duar të drejtuar nga lokali”, nis rrëfimin Ymer Berisha, pronari i lokalit, që çuditërisht nuk e ka ndërprerë punën. Duke lajmëruar të tjerët që të largoheshin ai ishte kthyer mbrapsht, duke tentuar të futej në brendësi të lokalit para se tjetri ta zbrazte. Por buçimën e tytës së kallashnikovit e kishte dëgjuar para se të futej në derë, duke e detyruar veten që në këtë moment të bëjë një kërcim shpëtimtar. “Kërceva brenda në të majtë dhe theva nja dy karrige plastike me peshën e trupit. Por fatmirësisht plumbat nuk më zunë. Në të njëjtën kohë edhe njerëzit që ishin jashtë tentuan të futeshin brenda. Në këtë moment e kapi plumbi edhe atë të ziun, Artan Zekën. Ra te pragu i përgjakur...”, përfundon rrëfimin për ditën më me shumë ngjarje të jetës së tij, i zoti i lokalit.
Në pritje të policisë
“Isha në oborr kur dëgjova krismat dhe ndjeva zemrën që të më ligështohej. Pak sekonda më pas e pashë sërish Skënderin të vinte në drejtim të shtëpisë. Nuk nxitonte, ndërsa kallashin e tërhiqte pothuaj zvarrë. Kur u afrua, me një lëvizje të thatë të krahut e hodhi armën te fasulet e mbjella para avllisë dhe tundi kokën, duke thënë se nuk mund ta kishte duruar atë rrahje që i bënë në sy të të gjithëve. Pastaj pothuaj nuk foli fare”, rrëfen e shoqja, Bukurie Balla. Një çast më pas Skënderi ishte përballur me nënën plakë. “Ah more bir, ç’na bëre”, kishte lëshuar nëna duke mos pasur fuqi për më tepër. Ndërsa i biri kishte përsëritur si automat: “Kisha pesë burra në kurriz duke më rrahur, nuk e kapërdiva dot”. Skënderi kishte qëndruar bashkë me nënën dhe të shoqen në oborr deri në mbërritjen e policisë. “Një çast u shkund dhe kërkoi ujë të lante fytyrën. Vura re se ishte shumë i verdhë në fytyrë dhe se i dridheshin duart”, rrëfen e shoqja, Bukuria. E cila duket përballë figurës dominuese mashkullore të së shoqit, ishte krejt e pafuqishme, ashtu si shumica e grave shqiptare. “Policia erdhi shpejt. Kur e parë Skënderin në oborr, pa armë, ata u afruan, folën me të dhe e morën pa e prangosur. Iku pa e kthyer kokën pas”, përfundon gruaja që nuk di ç’të thotë më shumë. Por ka pasur një njeri që Skënderi e ka përshëndetur para se të shkonte me policët. “Më puthi në ballë, më pa në sy sikur të kërkonte diçka dhe iku pa folur. Iku pa pranga”, përmbyll 70-vjeçarja Serma rrëfimin për ngjarjen e radhës të prodhimit të zakonshëm, të formatit të zakonshëm, të shqiptarit që vazhdon të vrasë, t’i marrë jetën tjetrit, vetëm sepse nuk duron dot fyerjen.

Vajza: Si e pashë babin për herë të fundit

Tetë orë pas ngjarjes, vajza e Skënder Ballës, të akuzuarit për vrasjen e militantit të Partisë Demokratike, Artan Zeka, gjendej pranë së ëmës. “E pashë babin për herë të fundit kur po shkoja për në shkollë. Isha me shoqet, kur ai më kaloi pranë me makinë. E dija që shkonte të merrte furnizimin për kioskën ku punon, por nuk i fola se atë mëngjes më kishte dhënë ca të holla”, rrëfen vajza që ka një moshë rreth të katërmbëdhjetave. Më pas ajo ka dëgjuar të shtënat e një arme, pasi shkolla e mesme ishte në afërsi të vendit të ngjarjes. Më tej shoqet nuk i kanë treguar të vërtetën, por dikush dikur ia ka thënë dhe ajo ka rendur për në shtëpi, por pa mundur ta shohë të atin sërish, pasi ndërkohë ai ishte marrë nga policia.

“Vrasësi të dënohet, s’ka lidhje me PS”
Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha dje se “kërkojmë dënimin maksimal të autorit, duke nënvizuar me forcë, se nuk ka asnjë lidhje me Partinë Socialiste dhe se përfshirja e emrit të PS-së në këtë ngjarje, është një spekulim i ulët, që ne e refuzojmë me përbuzje”. Kryesocialisti shtoi se “shpreh keqardhjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës, për këtë ngjarje tragjike, që është ndodhi për botën e tretë dhe jo për një vend që është pjesë e Evropës dhe do të integrohet në BE, siç është Shqipëria, ku politika duhet të jetë një hapësirë, ku ballafaqimi zhvillohet në mënyrë qytetare dhe ku për shkak të ideve të ndryshme, nuk ka absolutisht asnjë arsye për të cenuar dinjitetin e njëri-tjetrit, e jo më integritetin fizik të personit.

Skena e krimit

Skënder Balla, sipas policisë së Durrësit, ka qëlluar 14 plumba me armën e tij të tipit “kallashnikov” të vendosur në pozicionin me breshëri. Ai sipas dëshmive të të pranishmëve, ai ka qëlluar në pozicion diagonal, që nga rruga në drejtim të lokalit, në një distancë rreth 40 metër. Objektivi i armës së tij ka qenë viktima Artan Zeka dhe disa të afërm të tij të ulur në një tavolinë jashtë, në oborrin e lokalit. Menjëherë pas dëgjimit të krismave të para, të gjithë ata që ndodheshin jashtë janë munduar të futen në brendësi. Pikërisht në këtë moment viktima Zeka është rrëzuar në hyrje të lokalit i gjakosur. Ndërkohë Skënder Balla e ka lëshuar këmbëzën e armës vetëm kur ka zbrazur gjysmën e plumbave, 14 të tillë. Habi bën se predhat e kanë goditur fasadën e lokalit edhe lart, në ekstremet e saj, duke dëshmuar se ai që qëllonte nuk ishte shumë i zoti në kontrollin e armës.

Meta: Jo dhunës në zgjedhje
Lëvizja Socialiste dënon krimin e rëndë të ndodhur dje në Qerret të Kavajës, mes dy simpatizantëve të  PS dhe PD-së, që rezultoi me humbjen e jetës së një shtetasi. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në një prononcim për median u shpreh se “e dënojmë krimin e rëndë në Qerret të Kavajës. LSI është në mënyrë kategorike: jo dhunës në zgjedhje. Qytetarët të qëndrojnë larg dhunës”, deklaroi nga Shkodra lideri i LSI-së, Meta. Vrasja e simpatizantit të PD-së në Qerret të Kavajës përbën incidentin më të rëndë të ndodhur gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ku debati mes dy shtetasve përfundoi me kanosjen për jetën. Deri më parë ishin regjistruar incidente
të izoluara ndërmjet partive politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›