Gjirokastër, vodhi një banesë, prangoset 39 vjeçari
Një 39 vjeçar është arrestuar nga policia, për disa bidonë raki dhe vegla kuzhine. Robert Gjoni, nga qyteti i Gjirokastrës është vënë në pranga nga ana e specialistëve të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes. Vënia në pranga e Gjonit ka ardhur pasi dy ditë më parë në orët e drekës, në fshatin Çatistër në komunën e Pogonit pranë kufirit me Republikën e Greqisë në rrethin Gjirokastrës, ka vjedhur me thyerje banesën e shtetasit J.V. nga ky fshat, në kohën kur ai ndodhej familjarisht në Greqi.
Shtetasi Robert Gjoni, duke pasur në përdorim një levë hekuri ka thyer derën e jashtme dhe është futur në banesë duke grabitur disa bidonë plastikë të mbushur me raki si dhe enë kuzhine, sende prej bakri, vegla pune etj. Në deklarimin fillestar të tij në polici, Gjoni pati pohuar se marrja e sasisë së rakisë ka qenë qëllimi i hyrjes në banesën e cila ra pre e grabitjes së sendeve të tjera që ndodheshin brenda saj. Më pëlqen rakia e kësaj zone, ndaj dhe mora udhën për të ardhur të siguroja raki për tërë javën, është shprehur Gjoni para oficerëve të policisë i cili ishte në gjendje të alkoolizuar. Denoncimin e kësaj ngjarjeje e ka bërë prezent tek organet policore një banor i fshatit, i cili ka njoftuar policinë dhe brenda tre orësh është bërë e mundur kapja e autorit dhe sekuestrimi i sendeve të vjedhura në cilësinë e provës materiale. Policia nga ana e vet ka kryer të gjitha veprimet proceduriale dhe më pas ka arrestuar në flagrancë 39 vjeçarin gjirokastrit, i cili do ti duhet të përballet me veprën penale të vjedhjes ndërkohë që materialet i kanë kaluar organit të akuzës së Gjirokastrës.