Goditi kryetarin e fshatit, në pranga pas 4 muajsh
SHKODËR- Bie në prangat e policisë 32-vjeçari Kastriot Gavoçi nga fshati Stajkë i komunës Bushat në rrethin e Shkodrës, i cili ishte person i shpallur në kërkim nga policia. Burime zyrtare të drejtorisë së policisë së qarkut Shkodër bëjnë të ditur se Kastriot Gavoçi është ndaluar në orët e vona të së dielës në vendin e quajtur Kryebushat. Ndalimi i tij u bë pasi prokuroria kishte nxjerrë urdhër-ndalimi që në shtator të vitit 2008, sepse dyshohet se është autor i goditjes për shkak të detyrës së kryetarit të fshatit Stajkë, Ardjan Doçi, ngjarje kjo e ndodhur më 23 gusht 2008. Ka qenë vetë i dëmtuari që pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin ushtarak të Tiranës ka bërë publike ngjarjen duke treguar sesi katër persona, ku njërin e ka identifikuar, i kanë zënë pritë pranë rrugës hyrëse për në oborrin e shtëpisë. Doçi ka qenë duke u kthyer në banesën ku jeton me gruan dhe dy fëmijët e mitur me automjetin e tij. Sipas tij, personat që e kanë goditur kanë qenë të maskuar dhe një pa maskë dhe, pasi e kanë goditur me mjete të forta dhe e kanë lënë pa ndjenja, kanë marrë në automjetin e tij, një sasi parash që ai i kishte me vete, 30 000 lekë të reja, vulën e kryetarit të fshatit dhe celularin. Lidhur me këtë ngjarje pati reaguar dhe këshilli i komunës Bushat ku përfshihet fshati Stajkë, kryesia e këtij fshati, kryesitë e fshatrave të kësaj komune dhe administrata e komunës. Në deklaratën e këtyre strukturave është dënuar ngjarja e rëndë ku kryetari i fshatit Stajkë, Ardian Doçi, u godit duke i shkaktuar gjakderdhje, fraktura e plagë të shumta në kokë dhe u la në gjendje kome. Ardjan Doçi është goditur për shkak të detyrës dhe, sipas tij, gjithçka lidhet me disa kërcënime e raste të përsëritura dhe më parë në këtë fshat. Ndërkohë, policia e Shkodrës ka kryer veprimet përkatëse dhe materialet për këtë çështje i kanë kaluar prokurorisë, ndërsa është bërë shpallja në kërkim e Kastriot Gavoçit, personit të identifikuar nga Ardjan Doçi si njëri prej autorëve të ngjarjes. Kapja e tij është bërë e mundur vetëm të dielën në mbrëmje.