E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditja shqiptare

Share

Nga Lumir Abdixhiku

Pas Serbisë, Bosnjës e Maqedonisë, tash edhe Shqipëria na trajton si hiçgjë. Bllokada unilaterale e disa produkteve kosovare është treguesi i fundit i indiferencës së Tiranës drejt bashkimit potencial ekonomik aq të kërkuar në Prishtinë

Retorika e bashkimit ekonomik shqiptar edhe një herë mori formë. Shqipëria për të dytën herë në dy vjet vendos marrëdhënie unilaterale ekonomike në dëm të prodhuesve kosovarë. Këtë vit çdo prodhues patateje apo vere merr trajtim bllokues nga Tirana. Qeveria shqiptare pa ndonjë njoftim paraprak, pa brengën më të vogël dhe me arrogancën më të madhe të mundshme duke mos na bërë hesap fare, vendos çmime reference (prej 18 centë) ndaj patateve kosovare si dhe kuotime sasiore për verën. Për të parën i bie që Shqipëria do të taksojë kilogramin e patates me çmim shumë herë më të lartë se ai real (i prodhimit), duke e bërë të njëjtën gjë më të kushtueshme dhe rrjedhimisht fare të konkurrueshme në tregun shqiptar. Për të dytën, masat kuotuese kufizojnë sasinë që Kosova ka të drejtë të eksportojë në Shqipëri, duke shkaktuar kështu tepricë vere tek prodhuesit që paraprakisht kishin llogaritur një treg të tërë. Të dy masat vijnë pas një sërë marrëveshjesh të përbashkëta me qëllim të unifikimit të tregut.

Në kohën kur kryeministri Berisha shterë zë e shëndet për të ngopur urinë e shqiptarëve të Kosovës rreth patriotizmit aq të kërkuar këndej, promovon autostradën e kombit dhjetëra herë sa herë që shtrohet një copë asfalti, jep vulë, gisht e nënshkrim në çdo marrëveshje tregtare, në kohën kur turistët politikë kosovarë marrin rrahje shpine në vizitat zyrtare për bashkim ekonomik, në kohën kur potencialet për unifikim të tregut kanë arritur rekordet si asnjëherë më parë, në kohë si sot, goditje si këto janë tërësisht të panevojshme, tërësisht turpëruese dhe për më tepër tërësisht befasuese. Të marrësh marrëdhënie bllokuese nga Serbia, Bosnja e besa dhe nga Maqedonia për Kosovën është edhe e pritshme. Do të kemi punë reciprokuese me vende si këto në shumë mot. Por një kosovar i shkretë që jep mund e djersë për të mbjellë, rritur e mbledhur pak patate apo rrush, të marrë trajtim të tillë nga një vend që në probabilitetin më të madh e sheh dhe si të vetin, është po se po befasuese e denigruese.

Tirana mundet edhe të mos ketë vullnetin e gatishmërinë për të parë tregun kosovar si pjesëmarrës të barabartë të një tregu unik. Politikanët e Shqipërisë mund të kenë parë Kosovën vetëm si një treg potencial për të shitur, e jo dhe anasjelltas, pra për të blerë. Në të dy rastet, pavarësisht konceptimit të gabuar të tyre, Kosova për Shqipërinë nuk është eksluzivisht një blerës. Përkundrazi, potencialet bujqësore këndej janë shumë herë më të avancuara e të konsoliduara se andej dhe në çfarëdo skenari të barabartë konkurrimi, produktet kosovare do të jenë më të mira e më të lira. Mirësia e lirshmëria do ti bëjnë ato domosdo më atraktive e më të kërkuara. Vetëm me ndërhyrje të njëanshme si këto, bilanci konkurrues do të zhbëhet. Por ndërhyrje të tilla zhbëjnë dhe tendencat unifikuese të tregut që na e mbajnë gojën plot. Nëse Tirana ka tendenca bllokuese ndaj Kosovës, ashtu siç ka Serbia, Bosnja e së fundi dhe Maqedonia, atëherë ku qëndron rëndësia e të mërziturit për të pasur marrëdhënie të veçanta me tregun shqiptar? Për më tepër, nëse qëndrimi i një unifikimi ekonomik vullnetar është vetëm retorike e paraqitjeve politike, dhe nëse Shqipëria nuk trajton prodhuesin kosovar as mendësisht si të tregut të saj, atëherë çfarë është përgjegjësia e Tiranës drejt marrëveshjeve bilaterale e besa dhe ndërkombëtare si ajo e CEFTA-s? A mbet vend pa shkelur këtë marrëveshje ndaj nesh?

Tirana mund dhe të arsyetohet me skandalet e vitit të kaluar, kur disa prodhues kosovarë kreativë për së mbrapshti kishin importuar produkte serbe për ti shitur ato më pas në kuota shumë herë më profitabile në Shqipëri; gjithmonë falë gatishmërisë stimuluese fiskale të imponuar në produktet tona. Por ja që të njëjtat defekte ka kohë që janë trajtuar e shëruar, e pas marrëveshjeve të verës së shkuar, ato tashmë janë të harruara. Kosova mund dhe është duke dokumentuar origjinën e patateve (për bllokimin e verës, arsyet, çfarëdo qofshin ato, janë sigurt të pakuptimta; tipike protektive). Por edhe në një rast hipotetik, edhe sikur të kishte keqpërdorim të lirisë, them se para arrogancës së treguar nga Shqipëria do të ishte e udhës sikur dy vende që flasim gjuhë të njëjtë, të komunikojnë problemin (nëse evident) para se të japim outpute të njëanshme bllokuese. Shumë herë më e pëlqyeshme do të ishte një adresim tërësisht miqësor, për një hall.

Kosova nuk ka luksin të trajtojë në veçanti çdo masë bllokuese nga shtetet fqinje, sidomos kur tashti ato bëhen mjaft të shpeshta. Herën e fundit me Maqedoninë ne humbëm plot katër muaj për të hapur tregun e miellit, dhe madje vetëm pasi maqedonasit ishin ngopur me miell të brendshëm dhe ky i yni pas hapjes nuk u hynte në punë. Me Serbinë e Bosnjën, për argumentet e stërshtjerra tanimë vazhdojmë të sillemi të paaftë. Me Shqipërinë, them të shpejtojmë. Nëse Qeveria e Tiranës bëhet e shurdhër ndaj problemeve si këto, them ti japim kuotime në të gjitha produktet që Kosova importon nga atje. Po nuk na lënë të shesim lirshëm verë, pse ti lëmë ne të shesin këtu jo vetëm verë, por çdo produkt tjetër. Ja bëjmë tregti siç duhet, ja hiç! Për gjysmakë të mos na marrin. Madje për masa si këto, nuk besoj se na duhen paralajmërime e as konferenca për shtyp. Përderisa jemi blerës sa herë bllokojmë, hall hapim te shitësi. Kur maunat shqiptare do të ishin kthyer andej, jam i bindur se me emergjencën e paparë kryeministri Berisha do mblidhte Qeverinë e Ipad-ëve për të zhbërë bllokadën e bërë nga doganierët e tij. Ndoshta Qeveria e Kosovës duhet të nxjerrë një vendim gjithëpërfshirës reciprokues ndaj çdo vendi. Në një kornizë të tillë ligjore, doganat kosovare do të kishin autoritet të plotë reciprokues dhe madje pa humbur shumë kohë. Moshumbja e kohës sjell presion të menjëhershëm në palën unilaterale, dhe zgjidhje po aq të shpejtë për ne.

Deri atëherë, Shqipëria le të mbledhë më shumë mend. Në vend se të ndihmojë bashkëkombësit e fundit të Evropës, që pas dymbëdhjetë vjetësh arrin kundër çdo gjase të prodhojnë, ajo i mbyll e i kuoton. Në vend se ti heqë gjithë barrierat mes dy vendeve, më shumë se me çdo vend tjetër, të nxisë bashkëpunim ndërbiznesor, të krijojë vlerë të shtuar për shkak të homogjeniteteve gjuhësore, kulturore e historike, e pse jo dhe të jetë shembull, lider e mësues i storieve të suksesit (e dështimit), ajo bën mu të kundërtën, shfaq mbyllje, kuotim, e indiferencë në komunikim. E ne, derisa sillemi me tolerancë ndaj çdokujt që na merr si hiç, do të mbesim me verë plot e patate dhe më shumë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›