E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsiatje të zymta për 21 Dhjetorin

24-12-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Më 21 dhjetor të vitit 1879 pa dritën e diellit për herë të parë, për të çuar në  vdekje të parakoshshme 20 milion viktima, njëri ndër kriminelët më mizorë të historisë botërore: Josif Visarionoviç Xhugashvili, ai që u bë i njohur me emrin e Stalinit. Admiruesi më shpirtkazmë i Stalinit për të shkaktuar mijëra e mijera viktima të pafajshmish shqiptarë, me të njëjtin pikësynim, të vënies në dorë të një pushteti suprem, ishte Enver Hoxha. Tirani shqiptar vdiq 32 vjet pas Stalinit, duke përdorur me të njëjtin zell dhe me të njëjtën ashpërsi të gjitha metodat djallëzore të zhdukjes së atyre që do të flijoheshin, qoftë edhe pa faj, për të konsoliduar pushtetin vetjak të pakufizuar. Kulti i Stalinit, me epitete nga më supërlativët, u ruajtën për Stalinin gjer në vitin 1956-7,  kur Krushovi ia rrëzoi kurorat e lavdisë Stalinit, në prag të Kongresit XX të PK(b) të Bashkimit Sovjetik. Të gjithë ata që kanë qenë “vullnetarë” në ndërtimin e shinave për linjat hekurudhore në vendin tonë, e kanë të fiksuar në kujtesë atë  euforinë e portreteve fotografike dhe të banderolave nga kapanoni në kapanon me shkrime lavdeshtreemërorësh: Stalin, Tito, Enver. Duhej t’i binje me kazmë shkëmbit apo të transportoje dherat me karrocë, përmes ovacioneve për atë trinitet që përmendëm.
Në komunizmin europian e më gjerë, këto kulte ranë si ekzaltime boshe, kur destalinizimi nxori në shesh anën e trishtë të medaljeve, krimet e pafundme politike, me rënien hap pas hapi të gjendjes ekonomike, që ishte e falimentuar, por që mbahej në këmbë me fraza mashtruese e demagogjike. Në BS kolkozet sollën urinë vdekjeprurëse. Te né, në Shqipëri, s’na u ndanë tollonat e mjerimit.
E, megjithatë, merrnim çmime të zbukuruara me dafina, të bollëkut ushqimor, nga përtej oqeanit! Sikundër edhe E. Rama na mburret se paska qenë kryetari më i imirë bashkiak, në shkallë botërore krahasimi! Sikur nuk dihen tanimë ato lidhjet si me antishqiptarin Dik Marti, që do të zbulonte transplante organesh të serbëve të shkretë, në vende ku nuk bëhet dot as operacioni i apendicitit! Dështimi i Dikut u qartësua me dorëheqjen e tij në pamundësinë për të provuar të pamundurën. Sikundër kërkohej të bëhej e besueshme edhe ajo historia imagjinare  e Griseldës, për t’i paraqitur shqiptarët kundërshtarë si njerëz të krimeve që shihen në filmat horror dhe që e terrorizuan shpirtërisht Tanja Fajonin!
Ndonëse E. H. vdiq si stalinist, pohuar kjo edhe në kujtimet e Nexhmijes, pas destalinizimit Stalini nuk përmendej më si më parë, kur duhej t’i vihej edhe cilësori “i Madh”! Me daljen zbuluar të krimeve të Stalinit, u qartësuan edhe krimet politike të tij. Stalini e kishte pas përdorur Shqipërinë si plaçkë tregu! Provat për këtë ishin të shumanshme. Nuk është nevoja të përmendim dëshmitarët. Ajo “gëlltitja” që u ishte ofruar armiqve shekullorë të vendit tonë, kishte marrë dheun. Pas destalinizimit, të vazhdoje me ekzaltimin e ksaj figure, që kishte shitur Shqipërinë për interesa vetjake, do të thoshte të lëvdoje armikun e vendit tënd. Antikombëtarizmi do të dilte açik. Por stalinizmi mbeti, ama.
Kështu u gjallëruan edhe më shumë rrënjët e së keqes. Më e dhimbshmja: U forcua vit pas viti ajo që u quajt mendësia komuniste. Për hir të këtij mentaliteti festohet figura e Enver Hoxhës në çdo 16 shtator në Pezë. Stimuluesi kryesor i kësaj së keqeje është E. Rama, që duhej të jepte llogari në atë “Kurbanin” e tij.
Doemos që kryqëzimi i unazës me rrugën e Kavajës është një qendër referimi dhe ka emrin e saj të ndryshuar. Por sot ajo mbahet mend si “21 dhjetori!”. - Ku do të takohemi? - “te 21 dhjetori!”. Ja çdo të thotë ndryshimi i reflekseve të njerëzve që përbëjnë një mendësi vështirësish të ndryshueshme. Sot është e rrallë të thuhet 30 lekët e autobusit, apo 30 lekët e gazetës. -Sa bën kjo gazetë: 300 lekë apo 200 lekë? Eja e mësojua shitësve të byrekut që të mos thonë se bën 300 lekë, por 30 lekë!
Emrat e rrugëve, hallall të mbushen me filoshqiptarë të shquar, që e kanë dashur Shqipërinë më shumë se disa shqiptarë, në kohën e internacionalizmit proletar, madje edhe sot. Ne e duam sa na deshte, Miss Edith Durhamin, Bajronin, Uillsonin e të tjerë. Por ne kemi edhe emra të panevojshëm, duke nisur nga lagjja Komuna e Parisit.
Nga  “Ditari i një viti” (1956) i një libri të pabotuar endé, po e mbyll këtë shkrim, me titullin “Atdhetari i zjarrtë, Paolo Kadikamo, i lënë në harresë!”
***
Mund të them me plot gojën se kurrë s’mund t’i fitonim ato ndjenja të zjarrta patriotike që fituam në kolegjin e S. Demetrio Koronës, sikur të kishim mësuar në një shkollë të Shqipërisë, për arsye se malli i Atdheut ndjehet më shumë dhe më thellë kur je larg Atdheut dhe se kolegji i S. Demetrio Korones ishte bërë një vatër e vërtetë atdhedashurie. Por edhe vetë gjendja e Shqipërisë aso kohe, e pushtuar dhe nën mjerimet e luftës, të frymëzonte të bëheshe fli për të.
Pastaj, në të tri klasat e para të gjimnazit kishim si profesor të ndjerin Paolo Kadikamo (Cadicamo). Unë do të dëshiroja që qytete të  Shqipërisë të kishin ndonjë rrugë të pagëzuar me emrin e këtij “arbëreshi” të madh, që e mbante të zjarrtë në shpirtin e tij dashurinë për  vendin stërgjyshor. Paolo Kadikamo na nxiste ta donim vendin tonë dhe na këshillonte të mësonim, se vetëm kështu do të bëheshim të dobishëm dhe të denjë për t’i shërbyer këtij vendi të marrë nëpër këmbë. Ishte i vetmi që më 28 nëntor varte flamurin në shtëpinë e tij dhe na shtynte që në atë ditë të mos vinim në shkollë, por të mblidheshim duke mbajtur fjalime dhe duke kënduar këngë atdhedashurie. Paolo Kadikamo ishte studiues i gjuhës shqipe dhe na këshillonte të merreshim me studimin e veprave të De Radës, të Skiroit dhe të të gjithë poetëve arbëreshë, nga të cilët do të nxirrnim thesare për pasurimin e gjuhës amtare. Qé Paolo Kadikamo që më përkrahu të jetësoj nismën për t’i vënë një pllakë mermeri De Radës në muret e atij kolegji, ku kishte  dhënë mësimin e  gjuhës shqipe gjer në ditët e fundit të jetës së tij. Qé Paolo Kadikamo që më vuri në takim me të nipin e De Radës në Makia, nga i cili kopjova të gjithë Milosaon dhe lexova të gjitha dorëshkrimet, më të shumta të pabotuara, të poetit arbëresh.
Kur më 1920 bëhej lufta e Vlorës, Paolo Kadikamo na mblodhi të gjithë ne, shqiptarët; në këtë mbledhje morën pjesë edhe arbëreshë, edhe italianët. Ai na mbajti një fjalim të zjarrtë në të cilin deklaroi burrërisht se shqiptarët nuk luftojnë veçse për lirinë e tyre; se Vlora është shqiptare dhe italianët s’kanë asnjë të drejtë mbi të, ose bëhen tërthorazi shkaktarë që të gjithë shqiptarët të luftonin gjer në fund kundër italianëve për lirinë e tyre; se ishte gati të jepte dorëheqjen si profesor në një kolegj italian, në qoftë se Italia do ta detyronte të tradhtonte gjakun e tij arbëresh. Unë nuk mbaj mend që të kem parë një skenë aq të prekshme se atë ditë. Na bëri edhe né të vegjlit që, po të kishte mundësi, të linim shkollën dhe të rroknim pushkët. Në pamundësi të një pune të tillë, u përvujtëm, e përqafonim dhe e puthnim Paolo Kadikamon si të ishte një “shenjtor” i atdheut tonë.
Entuziazmi ka qenë i papërshkueshëm.
Më thoni ju, tani, në qoftë se nuk e meriton një shenjë mirënjohjeje Paolo Kadikamo nga ana e Shqipërisë së lirë.
Unë u rrita, pra, në një vatër të tillë dhe besoj që zjarri që mora nga ai kolegj më ka vyer gjatë të gjithë jetës sime”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›