Xhamadani vija vija, nuk është Klanias qeveria!
Disa ditë më parë, Top Channel prezantoi në një mbrëmje gala, videoklipin e saj festiv për vitin 2011. Kanë marrë një këngë të zakonshme shqiptare, nga ato që shpesh anashkalohen për shkak të retorikës patriotike dhe në të vërtetë kanë bërë një videoklip modern, plot hare, plot entuziazëm dhe energji, dhe mbi të gjitha drithërues për çdo njeri që mendon se ky vend është i pabanueshëm. Nuk dua të bëj kritikun e artit për atë që pashë dhe që prej sonte në mbrëmje mund ta shikojnë miliona shqiptarë, por di të them se ishte diçka që përfaqësonte së pari medien që e ka prodhuar. Ishte diçka e madhe gjithëpërfshirëse, moderne dhe arrogante, e thjeshtë dhe depërtuese deri në qelizë. Diçka që dukej që e kish prodhuar një media e madhe.
I vetmi që mungonte në atë sallë, ku u shfaq për herë të parë ky videoklip, ishte kryeministri i Shqipërisë, një plak idhnak, që nuk ka fuqi të përmbajë inatet e veta që e zvogëlojnë përditë e më shumë në sytë e shqiptarëve, pasi i ka kthyer mëritë e veta në platformë qeverisëse plot me urrejtje e hakmarrje ndaj kundërshtarëve. Mungonte natyrisht dhe enturazhi i tij në media, ata që flasin, plaçkitin dhe urrejnë në emër të tij. Ata që mendonin se janë Shqipëria.
Videoklipi prej së shtunës është në faqet online të shqiptarëve, në ekranin e Top Channel dhe në shtëpitë e çdo shqiptari. Ajo është oferta dhe produkti i një shoqërie të lirë për shqiptarët. Është produkti i një medie, e cila urrehet prej atyre që mendojnë se janë Shqipëria dhe historia e këtij vendi.
Po kush janë ata?
Janë ata që media të tyre kanë TVSH, Klanin, dhe një sërë ekranesh e gazetash surrogate pas tyre. Gjatë gjithë këtij viti, por sidomos në këtë fundviti, ajo që ata i japin shqiptarëve është zymtësia e pushtetit, mediokriteti i pushtetit dhe mbi të gjithë pafuqia e pushtetit për të përfaqësuar Shqipërinë. Meqë udhëheqësi i tyre është i sëmurë dhe nuk ndjehet mirë, dhe ata nuk ndjehen mirë, në ekranet e tyre nuk ka festë, nuk ka hare, edhe pse kanë arsye të gëzojnë se ka qenë një vit i mbarë në plaçkitjen e vendit dhe pasurimin e tyre. Në ekranet e tyre duket se gati ka zi, edhe pse ata nuk janë në anën e atyre që janë vrarë më 21 janar, por në anën e atyre që kanë vrarë. TVSH, ekrani që paguhet me paret tona, ndjek nga pas kryeministrin si një brumbull dhe çdo natë na çon para një Shqipërie që të ngjan si një pirg plehu, me të cilin ushqehet brumbulli i tyre. Festivali i RTVSH, megjithëse ky institucion po mbush 50 vjet, ende ska filluar dhe po degradon nga viti në vit. Gjëja më e gëzuar për ta këtë vit është që Fevziu ka botuar libër për Enverin dhe që Berisha e ka marrë dy herë këtë libër live në TV Klan. Mungesa e respektit për paratë e qytetarëve shqiptarë që financojnë këto medie është turpëruese. Ata kanë në dispozicion miliarda, por kanë pafuqinë për të përfaqësuar shqiptarët dhe nuk prodhojnë dot asgjë. Si një dorë e padukshme prej Zoti, ua heq atyre aftësinë dhe kurajon të prodhojnë diçka cilësore për shqiptarët në këtë fundviti.
Mjafton një medie e lirë, cilësore dhe konkurrente, që të prodhojë diçka që përfaqëson shqiptarët dhe të bëjë diferencën me ta. Mjafton pak liri në këtë vend, ose më mirë të them pak kurajo për të ruajtur lirinë tënde, dhe shkon vetiu tek shoqëria duke përfaqësuar vlerat e saj.
A mund të prodhonte TV i Sandrit, apo i magazinierit të tij në TVSH, Petrit Beci, një produkt kaq të thjeshtë dhe cilësor? Jo. E para se ata nuk e kuptojnë pse duhen harxhuar aq para për një videoklip kur mund ti fusin në xhep. E dyta se ata nuk e kuptojnë pse duhet të bëjnë diçka festive kur nuk ua kërkon dikush. Por mbi të gjitha ata nuk e kuptojnë që vlerat nuk i ka në dorë qeveria, por shoqëria. Kënga e thjeshtë me tekst gati mediokër, Xhamadani Vija- Vija është sot një vlerë për shkak të asaj çfarë i ka shtuar asaj kënge një medie që ka kurajon të jetë e lirë jo për të bërë lek, por për të bërë shqiptarët të ndjehen krenarë në vendin e tyre, edhe pse ai vend drejtohet nga dikush me të cilën ata duhet të përballen dhe duke u vrarë. Është diferenca mes një plaku të lig e hakmarrës që çdo fundviti numëron sa ka vjedhur dhe ka vrarë, dhe një fuqie të re të shoqërisë shqiptare, që numëron sa shumë arsye kemi të jetojmë këtu, pa përfillur këta njerëz që nuk na përfaqësojnë as në gëzime. Xhamadani Vija- vija… nuk është Klani, as qeveria!
