Godo: Berisha-Rama kaluan lëmshin në duart e Topit

“Nuk e di pse kjo duhej të kthehej në një lloj feste kombëtare, sepse rezultate nuk ka”
Mazhoranca dhe opozita ia kanë kaluar përgjegjësinë e negociatave Presidentit Bamir Topi dhe kjo e vështirëson edhe më shumë pozicionin e tij. Ky është mendimi i presidentit të nderit të Partisë Republikane, Sabri Godo, në një prononcim për gazetën “Shqip”. Në vlerësimin e tij, roli të cilin partitë i kanë caktuar tashmë kreut të shtetit, e bën edhe më të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje nga negociatat mes palëve. “Presidenti tashmë ka një lloj përpëlitje, i mbetet tashmë atij të çojë më tej këto negociata, sipas asaj që pohuan palët. Kjo e ndërlikon edhe më shumë rolin e Presidentit, sepse ai duhet të shërbente si ndërmjetës që palët të merreshin vesh. Tashmë partitë e kanë kaluar lëmshin në duart e tij”, analizon republikani Godo. Sipas tij, Presidentit tashmë i ka mbetur vetëm të hyjë në tratativa sa me një palë, sa me tjetrën, për të gjetur një ujdi.
Nga ana tjetër, Godo konsideron si mangësi në këto negociata edhe faktin se palët nuk kanë përpara një dokument, mbi të cilin të debatohet dhe të gjendet zgjidhja. Në tërësinë e tij, Godo e cilëson takimin e mbajtur dy ditë më parë në Presidencë si të pasuksesshëm. “Nga tryeza nuk doli ndonjë gjë e qartë, u brohorit më shumë fakti se u bë një takim dhe nuk e di pse kjo duhej të kthehej në një lloj feste kombëtare, sepse rezultate nuk ka. Të paktën duhet të ishte thënë se kur do të mbahej tryeza e radhës”, thekson ai.
Sipas tij, sukses do të kishte në rast se palët do të kishin lënë që takimin e radhës ta zhvillonin ekspertët, të cilët mund të binin dakord për detajet përfundimtare të negociatave. Presidenti i nderit të PR-së thekson gjithashtu se, pavarësisht atyre deklaratave që pasuan takimin në Presidencë, mbetet mister ajo që palët duan dhe ajo çfarë kanë ndërmend për të bërë, në mënyrë që kjo krizë të tejkalohet. Por, sipas Godos, negociatat mes palëve nuk mund të vazhdojnë në mënyrë të pafundme. Republikani shprehet se si datë e përfundimit të tyre shihet edhe 4 marsi, moment në të cilin pritet edhe skadimi i mandateve të deputetëve të opozitës. “E keqja është se ditët ikin, se ka edhe një skadencë për këto negociata, sepse është 4 marsi, dita kur do të zgjidhet çështja e mandatit të deputetëve që kanë munguar në Kuvend, do të kthehen apo jo”, shpjegon Godo.
Sipas tij, negociatat duhet të shihen edhe si zgjidhje për këtë problem, i cili sa vjen edhe po afron. Sipas përfaqësuesve të lartë të mazhorancës, si Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në fillim të muajt mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë të pavlefshëm mandatet e deputetëve të Partisë Socialiste, veprim që sipas tyre mbështetet te Kushtetuta. Nga ana tjetër, opozita shprehet se djegia e mandateve nuk ka për të ndodhur dhe se lufta e tyre është politike dhe joligjore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar qëndrimin se pret një shkresë zyrtare nga Kuvendi, në të cilën të kërkohet kryerja e procedurës së zëvendësimit të deputetëve, sipas listës përkatëse të partisë që ka marrë pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit.
#