Makina në humnerë, vdes 48-vjeçari
Tepelenë- Një person ka humbur jetën, pasi makina me të cilën udhëtonte ka dalë nga rruga dhe ka përfundur në humnerë. Aksidenti ndodhi në rrugën rurale Tepelenë-Progonat, një kilometër në dalje të fshatit Bënçë.
Sipas burimeve të policisë viktima është shtetasi Selami Qeli, lindur dhe banues në Tepelenë. “Grupi hetimor konstatoi se në vendin e quajtur Ura e Skaranit, në dalje të fshatit Bënçë, automjeti tip Fiat 131, me targa TP 0967 B, ka përfunduar në humnerë”- thanë burimet e policisë lokale.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rrugës, duke rënë disa metër poshtë. Ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që ngjarja është parë nga një bari i fshatit Bënçë të Tepelenës.
Ka qenë ky shtetas që ka njoftuar përmes telefonit sallën operative të policisë, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, por 48-vjeçari kishte humbur jetën.
Në automjet përveç drejtuesit të automjetit nuk udhëtonte asnjë shtetas tjetër. “Ai punonte si pllaka shtrues dhe po zbriste nga Progonati për në Tepelenë”- thanë të njëjtat burime.
Për shkak të terrentit tejet të vështirë nxjerra e trupit të viktimës është bërë disa orë më vonë, pas ngjarjes.