Mediat greke: Nimiçi pret zgjidhje për emrin në shtator
Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Antonio Milloshoski thotë se është i kënaqur nga përgjigja e kryeministrit grek Kostas Karamanlis në letrën që ia dërgoi kryeministrit, Nikolla Gruevski.
Sipas tij, me këtë është pranuar debati për kërkesat e Shkupit për njohjen e minoritetit maqedonas në Greqi.
Në një intervistë për gazetën greke "Elefterotipia" Milloshoski e vlerëson si të pakuptimtë dhe artifiacial kontestin mes Athinës dhe Shkupit për emrin, të shkaktuar, siç potencon, nga Qeveria e ish-kryeministrit grek, Konstatin Micotakis në vitin 1992. Maqedonia, thekson ministri i Punëve të Jashtme, mbetet e palëkundshme në qëndrimet e saj për çështjen rreth emrit.
Ndërkohë, gazeta "Katimerini" lidhur me këtë shkruan se ndërmjetësuesi Metju Nimiç e le të hapur propozimin "Maqedonia Veriore" dhe vlerëson se të dy palët në shtator mund të arrijnë marrëveshje.
Qëllimi Nimiçit është që ta jetësojë procesin negocues dhe të krijojë kushte që të parashtrojë propozim të ri në shtator. Ndërmjetësuesi i KB-së, sipas "Katemerini", është i bindur se muaji i ardhshëm do të jetë kyç për arritjen e marrëveshjes për emrin. Nuk përjashtohet që pas takimeve me negociatorët e dy vendeve, Nikolla Dimitrov dhe Ademantios Vasilakis më 14 dhe 15 gusht në Nju-Jork, Nimiçi t'i vizitojë Shkupin dhe Athinën. (INA)