Topalli: Presidenti, post ceremonial
Paketa e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Partia Demokratike ka sjellë dhe një kundërvënie midis institucioneve më të larta shtetërore. E ndërsa kreu i shtetit dy ditë më parë kërkoi kujdes nga klasa politike në prekjen e Kushtetutës dje Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, megjithëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë i është kundërpërgjigjur atij, duke theksuar domosdoshmërinë e këtyre ndryshimeve si pjesë e reformës rrënjësore të shtetit shqiptar. Në një intervistë për VOA-n, Topalli ka mbrojtur nismën për ndryshimin e Kushtetutës, duke vlerësuar se historia dhe përvoja e viteve të fundit ka sjellë si domosdoshmëri ndërhyrjen në të. “Kjo është reformë që kërkon kurajo të madhe, reformë që jam e bindur që do të krijojë pakënaqësi tek ndonjë individ, parti e caktuar apo institucion, për shkak të lidhjes së ngushtë që bëjnë me veten e tyre, me interesa të caktuara apo karriget e tyre”,- u shpreh Topalli. Duke u ndalur në çështjet konkrete që përfshinë kjo paketë, kryeparlamentarja ka mbështetur propozimin për ta zgjedhur Presidentin me shumicë të thjeshtë në votimin e pestë. Kjo, sipas saj, do të sillte stabilitet politik dhe do të shmangte krizat e mundshme.
“Përsa i takon variantit të menduar për zgjedhje të Presidentit nga populli, mendoj se ajo do të ishte pastaj një përmbysje totale kushtetuese, pasi Shqipëria është një Republikë Parlamentare dhe në republikën parlamentare, institucioni qendror ku bëhet gjithë politika, arena e debatit, reformat, është Parlamenti. Ndërsa Presidenti është një institucion gjerësisht ceremonial, me një shtyllë të fuqishme në fushën ushtarake, meqenëse Presidenti është Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Kjo është komponentja që ka Presidenti i Republikës së Shqipërisë, pjesa tjetër është ceremonial”,- u shpreh Topalli. Gjithashtu ajo ka vlerësuar edhe sistemin zgjedhor proporcional-rajonal, si një sistem që garanton stabilitet politik.