Sistemi zgjedhor përçan grupin demokrat
Ndryshimi i sistemit zgjedhor nga mazhoritaro-proporcional në proporcional-rajonal, ka përçarë grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Në një mbledhje jashtë radhe, grupi kuvendor demokrat për afro dy orë ka diskutuar dje për amendamentet kushtetuese, përfshi këtu edhe atë për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Pavarësisht konsensusit që ka shfaqur publikisht për këtë çështje, grupi është përfshirë nga një debat i ashpër, ku deputetë të ndryshëm janë shprehur kundra sistemit proporcional-rajonal, duke vënë kështu në rrezik dhe votimin e tij në Kuvend. Sistemi i propozuar është kundërshtuar dje nga pjesa më e madhe e deputetëve të djathtë, mes të cilëve, Preç Zogaj, Ferdinand Xhaferri, Aleksandër Biberaj, Sami Gjergji, Jemin Gjana, Rexhep Uka, Pal Dajçi, Edi Paloka etj., të cilët kanë bërë të qartë se ai nuk favorizon Partinë Demokratike. Burime pranë grupit demokrat bënë të ditur se deputetët që kanë kundërshtuar, kanë prurë në vëmendje argumentin se ky lloj sistemi, për shkak edhe të situatës brenda të majtës, favorizon Partinë Socialiste, e cila në proporcional duket se ka më shumë vota. Megjithatë, pavarësisht oponencës së deputetëve, kryeministri Berisha i cili duket se është i prirur më tepër për miratimin e paketës në tërësi të reformës kushtetuese me konsensusin edhe të PS-së, ka lënë të hapur vijimësinë e këtij debati edhe në forumet e tjera drejtuese të PD-së. Në këtë drejtim, Berisha ka bërë të ditur se shumë shpejt do të mblidhet kryesia e partisë, e cila pritet të marrë në shqyrtim jo vetëm amendamentet kushtetuese që kanë lidhje me reformën zgjedhore, por edhe ato që prekin kompetencat e Presidentit, të drejtën e mocionit nga Kryeministri, zgjedhjen e Presidentit, apo edhe ajo e kufizimit të mandatit të Kryeprokurorit. Përsa i përket çështjes së paketës së amendamenteve të paraqitura nga vet PD, Berisha ka bërë të qartë para grupit se është kundra ndryshimit të nenit 93 të Kushtetutës, nen që ka të bëjë direkt me dekretet e presidentit. Kryeministri Berisha u ka bërë të qartë deputetëve se përsa u përket ndryshimeve në Kushtetutë, neni 93 i draftit nuk duhet të kalojë për debat, pasi e ka konsideruar atë si një ndërhyrje në kompetencat e Presidentit. Ndërkohë, përpara se të shkohet për miratimin e këtij sistemit zgjedhor apo edhe të amendamenteve të tjera kushtetuese, PD duket se do të kërkojë dhe një herë konsensusin e aleatëve. Për këtë ai ka njoftuar grupin se shumë shpejt do të thërrasë tryezën e krerëve të partive aleate në qeverisje, ku dhe do të synohet që të merret dhe konsensusi i tyre. Po ashtu, Kryeministri ka kërkuar fillimin e negociatave për konsensus të plotë me opozitën e majtë, me qëllimin kalimin në Parlament të paketës së reformës zgjedhore dhe atë të ndryshimeve në Kushtetutë. Pas mbledhjes, kryetari i grupit kuvendor demokrat ka bërë të ditur për mediat se pavarësisht debateve, në fund, grupi vendosi të mbështesë sistemin zgjedhor proporcional-rajonal.