E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, 10 mln dollarë pë 2008

 

Drejtori i AKKP-së, Besnik Maho flet për “Shekullin” rreth marrëdhënieve të tij me Berishën, Alibeajn, si dhe për presionet që has gjatë punës së përditshme

Maho: Presionet që kam pasur për shkak të punës

AKKP: Në 2008, fond të dytë për ish-pronarët

Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Besnik Maho, në një intervistë për gazetën flet rreth objektivave të këtij institucioni në vitin në vijim, që nga krijimi i fondit fizik të pronave me toka bujqësore, troje, pyje, kullota e livadhe të cilat administrohen sot nga ministria përkatëse dhe deri tek shpërndarja e tyre për subjektet e interesuara. Maho vë në dukje se, ky proces krijon probleme sa i përket krijimit të fondit fizik të kompensimit, pasi Këshilli i Ministrave nga njëra anë tregohet shumë i vëmendshëm duke ndihmuar komunat dhe bashkitë nëpërmjet transferimit të pronës shtetërore, duke përmbushur një nga detyrimet e veta në bazë të ligjit, por nga ana tjetër vetë ministritë si dhe Këshilli i Ministrave në tërësi ka një detyrim që buron nga ligji, që detyron të gjitha ministritë të kontribuojnë në krijimin e fondit fizik të kompensimit. Ndërkohë përsa i përket kompensimit monetar të ish-pronarëve, kreu i kësaj agjencie bën të ditur se për vitin 2008, ndryshe nga vitet e tjera, është parashikuar që të shpërndahen dy fonde: 5 miliardë lekë në gjashtëmujorin e parë dhe një shumë po kaq e madhe për gjashtë mujorin e dytë. Gjithashtu, ai tregon edhe për vështirësitë që has në punën e përditshme edhe përsa i përket aspektit personal, ku siç bën të ditur ai, presionet nuk kanë munguar.

Z.Maho, në cilat drejtime synon puna e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për këtë vit?

Puna e Agjencisë për vitin 2008, synon në disa drejtime kryesore, të cilat në thelb janë vazhdimësia e atyre qëllimeve që kanë qenë edhe vitin e kaluar, por që synohet që këtë vit të bëhen realitet. Së pari, synohet krijimi i fondit fizik të kompensimit. Krijimi i këtij fondi nga ana jonë është përcjellë në dy projekt-akte në Këshillin e Ministrave dhe në Ministrinë e Drejtësisë për të marrë miratimin apo ndryshimet përkatëse, me qëllim që në varësi pastaj edhe të procedurave që parashikojnë këto dy projekt-akte, të mundësojmë krijimin e fondit fizik të kompensimit. Në të dy këto projekt-akte rruga që parashikohet është e ndryshme, ndërsa qëllimi është i njëjtë. Krijimi i fondit fizik të kompensimit me toka bujqësore, troje, pyje, kullota e livadhe të cilat administrohen sot nga ministria përkatëse, ajo e Bujqësisë, e Mbrojtjes, e Brendshme dhe e Ekonomisë, duke hequr nga administrimi i tyre të gjitha ato pasuri që përmenda më sipër dhe që nuk shfaqin interes publik dukshëm apo që nuk i shërben më interesave të këtyre ministrive. Qëllimi është miratimi i këtyre pasurive me Vendim të Këshillit të Ministrave, e më pas administrimin dhe shpërndarjen e tyre nga agjencia në favor të subjektit të shpronësuar. Sa i përket këtij qëllimi, procedura dhe rruga që ndiqet është e ndryshme, por të paktën për njërën nga këto dy projekt-akte si burim kryesor i dhënies se informacionit është Agjencia e Inventarizimit të Pronave Shtetërore. Problemi që shfaqet në këtë drejtim është që kjo agjenci është thuajse në përfundim të gjithë inventarit të pronave shtetërore, që pretendohet se ndodhen në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por jo të gjitha ato pasuri që evidentohen të inventarizuara nga kjo agjenci ekzistojnë realisht të regjistruara në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pra, duhet së pari që të verifikohen nëse të gjitha këto pasuri janë të regjistruara apo jo, me qëllim që të ekzistojnë jo vetëm faktikisht, por edhe juridikisht. Së dyti, në kuadrin e decentralizimit që po ndodh nga viti 2001 e deri më sot, është fakt që një pjesë e madhe e pasurive pronë shtetërore po kalojnë në administrim dhe në pronësi të pushtetit lokal, komunave dhe bashkive. Ky kalim krijon probleme sa i përket krijimit të fondit fizik të kompensimit pasi Këshilli i Ministrave nga njëra anë po tregohet shumë i vëmendshëm, duke ndihmuar komunat dhe bashkitë nëpërmjet transferimit të pronës shtetërore, duke përmbushur një nga detyrimet e veta në bazë të ligjit, por nga ana tjetër vetë ministritë si dhe Këshilli i Ministrave në tërësi ka një detyrim që buron nga ligji, që detyron të gjitha ministritë të kontribuojnë në krijimin e fondit fizik të kompensimit. Pikërisht, për këtë të fundit ministritë kanë dhënë atë informacion që tregon se një sërë pasurish janë vënë në dispozicion të agjencive, por ky informacion është një informacion bruto dhe ka nevojë të verifikohet, të shikohet nëse i plotëson të gjithë elementet përkatëse, të certifikohet dhe më pas të miratohet nga Këshilli i Ministrave, për t’u bërë më pas disponibël nga agjencia për t’u shpërndarë.

Ju, i keni drejtuar ndonjë kërkesë konkrete ministrive për këtë çështje?

Sa i përket ministrive kjo përbën projekt-aktin e dytë të krijimit të fondit fizik të kompensimit, ku thuhet se ne jemi të gatshëm dhe vëmë në dispozicion krijimin e një grupi të përbashkët specialistësh tanë në bashkëpunim me specialistë të tyre, si edhe të Zyrës së Regjistrimit, me qëllim që të verifikojnë çdo informacion që ata japin. Sa i përket këtij projekt-akti është bërë një hap konkret, ku para disa kohësh kam bërë një takim me z.Alibali ku kemi rënë dakord që një pjesë e informacionit që i ka përcjellë Ministria e Mjedisit për një sërë hektarësh prone shtetërore të cilat kjo ministri është e gatshme që t’i kalonte në dispozicion, t’i verifikojmë nëse i ka të gjithë elementet përkatëse ose jo. Pra, lëvizja ka filluar. Në përmbushje të këtij qëllimi, unë kam pasur një takim para pak kohe edhe me kryeministrin Sali Berisha i cili është treguar mëse i gatshëm për të na mbështetur në dy drejtime kryesore. Së pari, në krijimin e fondit fizik të kompensimit, për të cilin Kryeministri më ka dhënë mbështetjen maksimale që ministritë përkatëse do të tregohen të vëmendshme për të kontribuuar në përmbushjen e këtij qëllimi, si dhe e reja që është për këtë vit dhe që duhet theksuar, është se na ka dhënë mbështetjen për shpërndarjen e fondit prej 500 milionë lekësh të reja në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, me qëllim që për 6-mujorin e dytë agjencia të ketë qëllim që të shpërndajë një fond të dytë shtesë po kaq, ose edhe fond më të madh monetar.

Pse jeni kaq optimist se fondi do të shpërndahet 6-mujorin e parë, madje flisni edhe për një fond të dytë, ndërkohë që vitin e kaluar lekët u ndanë në kufijtë limit të ndërrimit të viteve?

Absolutisht, ky optimizëm vjen nga rezultatet. Agjencia tashmë ka përmbyllur hartën e vlerës në të gjithë Republikën dhe harta e vlerës është miratuar për të gjitha qarqet e vendit me Vendim të Këshillit të Ministrave, si akt zyrtar. Pra ne u kemi dhënë shansin sot të gjithë subjekteve të shpronësuar, të të gjitha qarqeve, që në varësi të procedurave dhe kritereve që do miratohen me Vendim të Këshillit të Ministrave të marrin pjesë në garë, të konkurrojnë për të përfituar nga fondi prej 500 milionë lekësh të reja. Së dyti, ky nuk është vetëm optimizëm, por edhe detyrim i agjencisë që buron nga ligji, që kërkon shpërndarjen e fondit monetar brenda 6-mujorit të parë të çdo viti.

Z.Maho, dihet tashmë që puna e Agjencisë është e ndërvarur edhe me Ministrinë e Drejtësisë. Si i keni marrëdhëniet me ministrin e Drejtësisë, z.Enkeleid Alibeaj?

Marrëdhëniet me të janë korrekte. Janë marrëdhënie zyrtare bashkëpunimi, ku ai, në çdo akt dhe propozim që është çuar është trheguar i vëmendshëm dhe shpresojmë që ky bashkëpunim të çojë në përgjigje më korrekte, të cilat do t’i shërbejnë qëllimit të procesit. Pra janë marrëdhënie inkurajuese për të vazhduar më tej dhe për ta përmbyllur me sukses këtë proces jetik për vendin.

Folët për mbështetje nga ana e Kryeministrit, si dhe për marrëdhënie korrekte me atë të Drejtësisë, megjithatë, në anën tjetër kërkohet një punë shumë konkrete nga ana e ministrive për krijimin e fondit fizik. Çfarë keni bërë më shumë me ministritë në këtë drejtim, të cilat, për hir të së vërtetës, i kanë shkelur gjithnjë afatet e kërkuara nga agjencia që ju drejtoni?

Unë mendoj se ka ardhur koha që kambanat duhet të bien fort për të gjitha ministritë, por pa përjashtuar edhe agjencinë ku unë drejtoj, dhe vetë veten time. Nuk jam unë, ai që i kërkoj llogari ministrave, por njëkohësisht më takon që t’u kujtoj atyre detyrimin ligjor për të kontribuuar në krijimin e fondit fizik të kompensimit. Theksoj që, në këtë kuadër asgjë nuk mund të bëhet vetëm.

Z.Maho, a ekziston mundësia reale që fondi i kompensimit fizik të krijohet këtë vit?

Të jemi realistë, procesi i njohjes dhe kthimit e kompensimit ka ecur me ritme shumë të mira. Ne jo vetëm kemi përmbyllur punën e prapambetur nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për 1700 dosje, jo vetëm kemi përmbyllur hartën e vlerës, por jemi po kaq optimistë edhe në krijimin e fondit fizik të kompensimit si një nga burimet kryesore të përmbylljes se procesit të kompensimit, që është një proces më i vështirë sesa dhe vetë procesi i njohjes dhe kthimit. Vetë ligji ka përcaktuar një afat të mesëm, që përfundon në 2014, por le të hedhim hapin e parë këtë vit dhe të krijojmë atë fond i cili nuk mund të plotësojë interesat dhe të gjithë nevojat e gjithë subjekteve të shpronësuar, por të paktën të një pjesë të madhe të tyre. Pasi realisht, fondi monetar, pavarësisht nga dëshira jonë e madhe dhe synimi për ta shpërndarë jo vetëm për këtë gjashtëmujor dhe për atë të dytin, nuk mund të përmbushë të gjitha nevojat e subjekteve të shpronësuar. Vetëm krijimi i fondit fizik, do të ishte një burim më i madh mundësish për përmbylljen e procesit të kompensimit.

Shfaqeni optimist në arritjen e synimeve. Në fakt, sa optimist jeni në punën e përditshme dhe a keni pasur presione në punën që ju bëni, duke qenë që ky proces është sa ambicioz për juve, po aq edhe delikat?

Deri tani optimizmi im buron nga rezultatet, dhe ato janë të prekshme. A ka probleme? Sigurisht që ka probleme dhe një nga këto është pikërisht, krijimi i fondit fizik. Sa i përket presioneve, sigurisht që edhe presione ka pasur.

Nga kush i keni pasur këto presione dhe në ç’formë?

Presionet kanë qenë nga më të ndryshmet, madje edhe të karakterit personal. Me sa duket këtu njerëzit janë mësuar më shumë të kënaqen duke parë dështime sesa të shohin suksese. Kjo është e keqja e atyre që sot nuk pranojnë ecjen përpara të dikujt dhe një pjesë, kuptohen shumë qartë se si luajnë. Megjithatë e rëndësishme për mua personalisht është që institucioni të mbajë këtë ritëm që ka nisur. Pra, çdo kërkesë e qytetarëve të trajtohet e t’u shërbehet.

Si reagoni ju z.Maho kur merrni ankesa publike për institucionin që ju drejtoni nga nivele të larta të shtetit. Kam parasysh këtu edhe një deklaratë të z.Topi, i cili ka shfaqur pakënaqësi për pronat. Ju përpiqeni të nxirrni detyra, apo e cilësoni një deklaratë të radhës nga politika?

Qëndrimet e politikanëve të rëndësishëm, përfshi edhe Presidentin e Republikës përpiqem t’i shoh në ato aspekte që lidhen me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Për shembull, në rastin konkret, presidenti Bamir Topi ka evidentuar probleme të çështjeve të pronësisë në tërësi për gjithë Republikën. Gjithsesi, unë i kam lexuar me shumë kujdes qëndrimet dhe informacionin që ai përcjell për mediat, duke bërë një hetim timin të pavarur, me qëllim që t’i përgjigjem sa më mirë ecjes, mbajtjes përpara të procesit dhe kur është e mundur edhe gjetjes së personave përgjegjës.

A ka persona përgjegjës, z.Maho, në hetimet që kryeni?

Absolutisht po, ky është një proces që askush nuk është i përkryer dhe të paktën gjatë kohës së qëndrimit tim janë marrë masa disiplinore, deri edhe në shkarkime të nivelit të drejtorëve të zyrave rajonale, të specialistëve përkatës, në qendër dhe në qarqe, madje nuk përjashtohen as kallëzimet për ndjekje penale, duke qenë në çdo rast i patoleruar ndaj specialistëve që shkelin ligjin.

Detyra për ministritë

Sa i përket ministrive kjo përbën projekt-aktin e dytë të krijimit të fondit fizik të kompensimit, ku thuhet se ne jemi të gatshëm dhe vëmë në dispozicion krijimin e një grupi të përbashkët specialistësh tanë në bashkëpunim me specialistë të tyre, si edhe të Zyrës së Regjistrimit, me qëllim që të verifikojnë çdo informacion që ata japin.

Fondi i dytë

E reja që është për këtë vit dhe që duhet theksuar është se Berisha na ka dhënë mbështetjen për shpërndarjen e fondit prej 500 milionë lekësh të reja në 6-mujorin e parë të këtij viti, me qëllim që për gjashtëmujorin e dytë agjencia të ketë qëllim që të shpërndajë një fond të dytë shtesë po kaq, ose edhe fond më të madh monetar.

Detyrimet për ministritë

Unë mendoj se ka ardhur koha që kambanat duhet të bien fort për të gjitha ministritë, por pa përjashtuar edhe agjencinë ku unë drejtoj, dhe vetë veten time. Nuk jam unë ai që i kërkoj llogari ministrave, por njëkohësisht më takon që t’u kujtoj atyre detyrimin ligjor për të kontribuar në krijimin e fondit fizik të kompensimit. Theksoj që në këtë kuadër asgjë nuk mund të bëhet vetëm.

Fondi fizik

Pasi realisht fondi monetar, pavarësisht nga dëshira jonë e madhe dhe synimi për ta shpërndarë jo vetëm për këtë gjashtëmujor dhe për atë të dytin, nuk mund të përmbushë të gjitha nevojat e subjekteve të shpronësuar. Vetëm krijimi i fondit fizik do të ishte një burim më i madh mundësish për përmbylljen e procesit të kompensimit.

Presionet në punë

Presionet kanë qenë nga më të ndryshmet, madje edhe të karakterit personal. Me sa duket këtu njerëzit janë mësuar më shumë të kënaqen duke parë dështime sesa të shohin suksese. Kjo është e keqja e atyre që sot nuk pranojnë ecjen përpara të dikujt dhe një pjesë, kuptohen shumë qartë se si luajnë. Megjithatë e rëndësishme për mua personalisht është që institucioni të mbajë këtë ritëm që ka nisur. Pra, çdo kërkesë e qytetarëve të trajtohet e t’u shërbehet.

Kritikat ndaj Agjencisë

Qëndrimet e politikanëve të rëndësishëm, përfshi edhe presidentin e Republikës, përpiqem t’i shoh në ato aspekte që lidhen me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Për shembull, në rastin konkret, presidenti Bamir Topi ka evidentuar probleme të çështjeve të pronësisë në tërësi për gjithë Republikën. Gjithsesi unë i kam lexuar me shumë kujdes qëndrimet dhe informacionin që ai përcjell për mediat, duke bërë një hetim timin të pavarur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›