E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Marrëveshja, e nevojshme, do t’i shërbejë vendit

PR mirëpret qeverinë e Integrimit Europian, “Berisha 2”, me PD-LSI 

Partia Republikane vlerëson formimin e qeverisë së re “Berisha 2”, duke përfshirë në të edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Presidenti i Asamblesë së PR, Sabri Godo e quan aleancën deri tani të konsideruar të pazakontë, si zgjidhjen e duhur të ngërçit që krijoi 28 qershori. Për Godon bashkëpunimi, jo vetem që do të zgjasë por dhe do të funksionojë. “Ishte një marrëveshje e diktuar, këto zgjedhje krijuan një lloj ngërçi, ishte një moment i atillë në historinë e vendit që kërkonte një zgjidhje disi të themi pak të jashtëzakonshme. Unë e konsideroj këtë një marrëveshje të nevojshme dhe që do t’i shërbejë vendit. Është në provë por unë kam bindjen që do të funksionojë. I njoh mirë që të dy, Berishën dhe Metën do të kishin dashur zhvillime të ndryshme po ja që e diktoi koha”, tha Sabri Godo.

Për republikanin Sabri Godo, ka ardhur koha që zgjedhjet të përfundojnë. Aleatët të përcaktojnë shtyllat e përbashketa dhe të mos devijonë në përplasje për një post më shumë. “Me përqindjen e votave që mori LSI-ja asaj i takon të jetë forca e tretë politike në vend. Ne dhamë një kontribut të mirë në fitoren e së djathtes, mund të them me plot gojën se dhamë tre deputetë. Dy i mori PD duke fituar nga votat tona dhe një e morëm drejtpërdrejt. Pak a shumë mund të mbetemi në nivelin që kemi qenë, duke marrë parasysh pjesëmarrjen në administratën publike në tërësi. Nuk është e thënë në të njëjtën ministri”, vijoi Godo.

Lideri historik i PR-së, komenton edhe qëndrimin në opozitë të Partisë Socialiste dhe lojën në këto zgjedhje. “Të gjithë ankohen për një lloj pabesie të PS, jo vetëm nuk u dha një krah aleatëve por dhe i pengoi duke dashur të marrë çdo gjë për vete, kështu që tani është e natyrshme të paguajë çmimin e një politike të gabuar, sidomos në zhvillimin e fushatës”, u shpreh më tej Godo. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›