E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Pas Kodit, është koha për formalizimin e koalicionit të ri të së djathtës

Në një intervistë të posaçme për gazetën “55”, Presidenti i nderit i Asamblesë Kombëtare të PR-së, Sabri Godo, flet për nevojën e krijimit të shpejtë të koalicionit të djathtë që do të rikonfirmojë fitoren, por edhe për zgjidhjen e duhur që iu dha çështjes humanitare të varrezave të ushtarëve grekë, të rënë në Shqipëri

Z.Godo, Kodi i Ri Zgjedhor kaloi me një shumicë dërrmuese votash, 112. Me aq sa ju jeni në dijeni të ndryshimeve që ai ka pësuar, cili është vlerësimi juaj për këtë kod?
Demokracia kështu funksionon, vendos shumica dhe atëherë vendimi kthehet në ligj dhe ligji duhet zbatuar nga të gjithë shtetasit. Tani ndodhemi përpara këtij fakti që ky kod u miratua me një shumicë të rrallë, kështu që mbetet që ai të zbatohet e respektohet nga të gjithë. Pakica ruan të drejtën që të bëjë kundërshtime, por duhet ta ketë të qartë dhe këtë gjë, se ligji duhet respektuar. Është thënë që në të Drejtën Romake e cila hapet me këto fjalë: “Vendimi konsiderohet i drejtë dhe shtetasi duhet t`i nënshtrohet atij”. Tani na mbetet ta zbatojmë këtë kod më së miri dhe për këtë duhet të japin kontribut të gjithë që zgjedhjet të jenë korrekte dhe të lira në Shqipëri si një domosdoshmëri absolute. Tashmë ne jemi përpara ngjarjeve të mëdha ku në muajin prill do të hyjmë në NATO dhe më pas kemi aderimin në BE, prandaj ne duhet t`i themi Europës në mënyrë të qartë se “bëmë zgjedhje të lira”, si kushti themelor i zhvillimit të demokracisë në këtë vend. Ajo që mbetet për t’u bërë tani është organizimi i së djathtës në një koalicion të përbashkët. Ne si PR kemi bërë disa kërkesa dhe tani që u miratua kodi, terreni është i lirë që të marrim kontaktet e para me PD-në, të japim kontributin tonë që të bëhemi një koalicion i djathtë i cili të mund t’i mbledhë të gjitha votat e së djathtës që të sigurojë qeverisje edhe për katër vitet e ardhshme. Tani që gjërat janë në zhvillim e sipër duhet të trajtohen me seriozitet dhe me frymën e bashkëpunimit.

Duke folur për Kodin Zgjedhor, nuk mund të anashkalohet edhe greva e 10 deputetëve që kontestuan që në fillim amendimet (e miratuara tashmë). A mendoni se ka realisht terren për shqetësimet e ngritura nga LSI, PDK e PS’91, apo ato kanë qenë thjesht një lojë politike për t`iu imponuar dy forcave të mëdha?
Kur bëhet një ligj nga shumica, pakica është e detyruar ta zbatojë. Greva e urisë nuk kishte vend, ka një përshtypje të përgjithshme jo vetëm në Shqipëri, unë tani isha në Maqedoni ku dhe takova shumë njerëz të cilët gjykonin se ky nuk ishte një akt i pjekur politik, nuk duhej të çohej puna domosdoshmërisht në grevë për të thënë që “unë do të vdes në qoftë se nuk bëhet kjo që them unë”. Sikur kjo të kishte funksionuar, atëherë do të ishte mbarimi i shtetit, sepse do të krijonte një precedent krejt të papranueshëm, pasi sipas kësaj logjike gjithësecili që kundërshton diçka do të mjaftonte të hynte në grevë urie dhe gjithçka do të ishte përmbysur. Një shoqëri demokratike nuk funksionon në këtë mënyrë! Ndaj, e përkrah të drejtën e protestës së opozitës por duhet të ruhen disa limite dhe të mos bëhet një gjë imponuese, pasi atëherë nuk funksionon as shteti, as shoqëria.

Është folur shpesh nga LSI për mundësinë e krijimit të një poli të tretë në politikën shqiptare. Besoni se janë hapësirat për prishjen e bipolarizimit klasik, qoftë edhe për të përfaqësuar masën e madhe “gri” të atyre që tradicionalisht nuk shkojnë në votime?
Hapësirë ka, pasi ekziston një pjesë e elektoratit që abstenon, nuk merr pjesë në zgjedhje, sepse nuk i pëlqen asnjëra palë, ose sepse përton të shkojë atje, kjo mund të konsiderohet si një rezervë ku mund të shtrihet një forcë e tretë. Në qoftë së LSI ka forcë t’i bindë të tjerët dhe beson se mund të zgjidhi problemet e tyre ka terren. Nëse funksionon apo jo është diçka tjetër.

Çfarë përfiton koalicioni i djathtë me këtë Kod të Ri dhe cila është strategjia elektorale që duhet të përvijohet për të shkuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009?
Strategjia është se duhet t`u bëhet e qartë njerëzve se çfarë programi kemi ne për të ardhmen! Kemi një numër të madh problemesh për të zgjidhur si zhdukjen e korrupsionit, zvogëlimin e papunësisë, zhvillimin e infrastrukturës së shkollave e spitaleve. Pra mazhoranca aktuale duhet t`i bëjë të ditur elektoratit se çfarë do të zgjidhe dhe deri kur do t`i zgjidhë këto problemet në të ardhmen, pasi shoqëria gjithnji ka probleme dhe koha sjell gjithnji probleme të reja dhe zhvillimi i përgjithshëm. Në qoftë se kjo mazhorancë do të dijë të flaës qartë për ato që mund të quhen mungesa në ditët e sotme dhe të flaës në mënyrë bindëse se si do t`i zgjidhë atëherë them me bindje se do të fitojë përsëri, në mënyrë të padiskutueshme.

Në gjykimin tuaj, si po funksionon aktualisht koalicioni qeverisës , pasi në rastin e Kodit Zgjedhor, disa forca si PDK e PBDNJ u rreshtuan kundër PD-së?
Në këtë rast mendoj se duhet të sqarohet se cila do të jetë forca përbërëse dhe me çfarë programi do të ecim, me program të përgjithshëm, duke ruajtur secila do nga partitë profilin e vet, kjo duhet të bëhet tani. Këto parti që thuhet se janë kundër kodit zgjedhor dhe për këtë arsye shkëputen nga e djathta, mbase duhet të rishikojnë qëndrimin e tyre, pasi kodi zgjedhor tashme mund të konsiderohet një çështje e mbyllu, është e qartë se ne me këtë kod do të shkojmë në zgjedhje, për efektshmërinë e tij këtë do të na e provojnë zgjedhjet që do vijnë, kështu që ky është kapitull i mbyllur. Tani si e djathtë na mbetet të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë brenda këtij kodi dhe hapësirave që krijon ky kod. Secili duhet të rishikojë qëndrimin e tij dhe të marrë një vendim. Z.Ndoka qëndrimin e tij personal e ka pothuajse të përcaktuarm, megjithatë në politikë mbetet në fuqi thënia “kurrë mos thuaj kurrë”, nuk dihet se çmund të ngjasë deri më qershor, çfarë zhvillimesh mund të ketë. Sa për PBDNJ-në kjo parti ka ndjekur gjithmonë një vijë që të jetë me forcën që është në pushtet sepse kështu realizon më mirë politikën e vet.

Pas zhvillimesh të vrullshme, reforma në drejtësi duket se ngec shpesh tek disa titullarë , më shumë se tek instancat e caktuara të sistemit gjyqësor. Mendoni se reforma strukturore që ka filluar duhet të shoqërohet edhe me ndryshimin e mendësisë së njerëzve që veprojnë brenda këtij sistemi?
Vendi dëshiron që të ketë gjykatës të tjerë, jo gjykatës që do vijnë nga jashtë por gjykatës që të marin vendime në bazë të së drejtës, kjo është kërkesa e qytetarëvë, dhe kur nuk e gjejnë këtë kërkojnë rrugë të tërthorta për ta realizuar dhe të drejtën e tyre, përdorimin e ndërhyrjeve në këtë rast që çon më pas drejt korrupsionit, dhe ky është një problem i madh që po e përjetojmë të gjithë sot. Jam optimist se kjo reformë do të rregullojë disa gjëra por nuk mund të themi se do ta zgjidhë problemin njëherë e përgjithnjë, sepse lufta ndaj korrupsionit si në gjyqësor dhe në sektorë të tjerë, por veçanërisht në gjyqësor është shumë e vështirë dhe shkon në thellësi, ne nuk do të mund të ecim përpara sa kohë nuk kemi një gjyqësor tek i cili të besojë qytetari. Mund të them se ujërat po lëvizin për mirë në shume drejtime, pasi po bëhet një luftë kundër korrupsioni dhe ekziston kjo frymë, por kjo duhet të shoqërohet më tej me reforma dhe me ligje, në mënyrë që transparenca dhe kontrolli të jenë më publike dhe të shtrihen në të gjitha sferat e gjyqësorit.

Si e gjykoni marrëveshjen që ka nënshkruar Ministria e Punëve të Jashme shqiptare me atë greke, për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri?
Unë gjithmonë e kam mbrojtur propozimin që këtu të kenë një vend ushtarët grekë që ranë gjatë Luftës Antifashiste, siç ndodh në të gjitha vendet e botës, veçse këto duhen bërë në marrëveshje me qeverinë shqiptare, dikur më përpara ka pasur tendenca që të quhen si varreza për çlirimin e Vorio-Epirit nga politikanët radikalistë, gjëra që unë i kam kontestuar sa herë që kam pasur rastin edhe kur kam qenë në Athinë. Kam thënë se ne jemi dakord që këtu të jenë këto varreza sepse ne luftuam së bashku në një front, por jam i mendimit që këto të mos përhapen në mbarë vendin, sepse ne jemi njerëz që duam të punojmë për ta bërë jetën më të mirw, dhe jo të kthehemi në një vend të përzishëm që të shikojmë varreza ngado që të kthejmë kryet. Sa për pretendimin që kishin më përpara grekët që të krijohen 4 qendra për grumbullimin e eshtrave, kjo nuk funksiononte. Këtë çështje unë e kam diskutuar privatisht edhe me ekspertë të Ministrisë së Jashtme, dhe më në fund u bë ajo që duhej bërë, u vendos që këto të përqëndrohen në dy pika. Tani mbetet për t`u parë se si do të administrohet kjo, përsa i përket asaj sa varreza do të ketë dhe ku do të jenë, kjo çështje tashmë mund të konsiderohet e mbyllur. Ministria e Jashtme i mbrojti ashtu siç duhej tezat e veta dhe arriti atë që duhej të arrinte, çedoi deri atje ku duhej të çedonte.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›