E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: "Rrathët e Devishit" quhet romani im më i ri

POGRADEC-Rrathët e Dervishit". Kështu quhet libri i ri, i plakut të urtë Sabri Godo, i cili dje u përcoll drejt banesës së fundit, libër që s'mundi ta shohë të botuar. Sekretin e ka nxjerrë vetë babai i kushtetutës që na udhëheq edhe sot, gjatë një interviste të lënë përgjysmë në messhtator të këtij viti në Pogradec. Ai erdhi bashkë me gruan e tij, në një hotel zhytur në liqen, 10 kilometra larg Pogradecit, qytet të cilin e frekuentonte shpesh. Mikun tim, Sabri Godon e kisha njohur që para 35 vjetësh kur punoja gazetar tek revista "Hosteni”. Pasi folëm gjatë, duke thithur cigaren ai më tha që intervistën do ta vijonim vizitën e ardhshme, por sëmundja e mposhti plakun e mençur e të urtë. Në Gazetën Shqiptare vjen sot, intervista e pabotuar e Sabri Godos, një intervistë ndryshe, me shumë njerëzore e më pak me politikë.
Z. Sabri ju vini shpesh në Pogradec?
Po, është e vërtetë në Pogradec vij gjithmonë me një kënaqësi të veçantë. Më duket sikur ky qytet të bën magji që edhe kur largohesh prej tij merr me vete pamjet e mrekullueshme të qytetit e liqenit, ajrin e pastër, mbresat e njerëzve të mirë dhe të gëzueshëm që jetojnë në këtë qytet. Unë kam shumë kujtime nga Pogradeci. Kam hyrë në bisedë me shumë njerëz që të thonë gjëra të këndshme dhe të mençura që të ngelen në mëndje për një kohë të gjatë… Në Pogradec desha të theksoj ka njerëz optimistë me vlera pozitive, që e çmojnë miqësinë… Ja, po ta them sinqerisht, po të kisha mundësi jo vetëm do të pushoja në Pogradec por do të qëndroja në këtë qytet gjysmën e vitit dhe gjysmën tjetër në Tiranë. Në Pogradec kam shumë të njohur dhe miq si piktorë, mjekë, shkrimtarë dhe intelektualë të shquar. Dhe një fakt tjetër, desha të theksoj se në Pogradec ka qytetari e cila shkon në një harmoni të plotë me bukuritë që ka ky qytet. Kam gjezdisur shumë vende të botës, por liqen kaq të bukur me këto brigje të mrekullueshme, nuk kam parë asgjëkund dhe këtë e them me shumë sinqeritet.
Zoti Godo keni ardhur thjesht për pushime apo jeni duke shkruar diçka?
Po është e vërtetë se përveç se kam ardhur që të pushoj pak, se kohët e fundit kam qenë pa qef, kam pasur disa probleme shëndetësore dhe për të rimarrë forcat më mirë se në Pogradec nuk ka, miqësisht po ju them se kam ardhur që të ripunoj një romanin tim të shkruar shumë vite më parë. Jam duke e ripunuar këtë roman që ka kaluar vite më parë pa u vënë re. Romani ka një histori të çuditshme, që mua gjatë ripunimit po më pëlqen shumë ajo që po bëj. Kjo më tremb pasi armiku i një shkrimtari është kur i pëlqen shumë ajo që shkruan.
Mund të na i thoni titullin e këtij romani që po ripunoni?
(Qesh) Nuk kisha qejf ta bëja publike po e them romani i ri mund të titullohet "Rrathët e Dervishit". Besoj se shumë shpejt do të futet në shtyp dhe kam besim që pas ripunimit do të pritet mirë nga lexuesit.
Zoti Godo nuk shpëtojmë dot pa ju bërë një pyetje nga politika ju si bashkëhartues i Kushtetutës dhe si politikan i njohur si e vlerësoni situatën më të fundit?
Të falënderoj për këtë pyetje që më bëtë dhe ja ku po e them troç. Është folur nëpër disa gazeta se Godo ka mbrojtur dhe mbron Presidentin e Republikës z Bamir Topi. Jo, mua nuk më interesojnë emra por mua më intereson vetë institucioni i presidentit i cili nuk duhet nëpërkëmbur. Një shtet ka disa kolona që mbahet institucionin e Kuvendit, të Presidentit, Qeveria dhe të Gjykatave. Them se Presidenti nuk ka bërë shkelje dhe ky ngërç mund të zgjidhet në këtë vjeshte. E theksoj se Institucioni i Presidentit duhet të jetë dinjitoz dhe të mos nëpërkëmbet.
Ah, nëse ky sulm bëhet me qëllime të tjera për të hequr presidentin, këtu puna ndryshon krejt. Por nuk ka lëndë për shkelje të presidentit as të Kushtetutës. Duhet të jemi të kursyer në deklaratat që bëjmë se bëhemi qesharakë, duhet të jemi seriozë në ato që nxjerrim nga goja. Unë shpresoj se duke filluar nga kjo vjeshtë do të zgjidhet konflikti maxhorancë-Opozitë.
Duhet të kuptojnë palët, që vendit i bëjnë dëme të pallogaritshme duke i sjellë penalizime nga Evropa. Madje është e turpshme që në sytë e Evropës, jemi shfaqur si një popull grindavec. Dhe të gjitha këto kanë një kosto që këtë kosto e paguajmë ne të gjithë.
Unë desha të shtoj se edhe gazetat duhet të jenë të kujdesshme kur nxjerrin një frazë të pakujdesshme në shtyp. Shikoj shpesh me keqardhje që lëshohen plot gjëra të pa përgjegjshme. Dhe diçka desha të shtoj, duhet vënë mirë në binarë gjyqësori në të gjitha shkallët e tij se kështu nuk mund të ecet.
Z Godo ju thatë se romani që do të futni së shpejti në shtyp "Rrathët e Devishit" ju pëlqen veçanërisht dhe do jetë me interes për lexuesin diçka rreth subjektit?
A e lemë vazhdimin e intervistës fundjavën tjetër kur të vij në Pogradec dhe do të jap linjat kryesore të romanit ….

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›