E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Të thirret menjëherë tryeza e dialogut

Dy nga politikanët e njohur shqiptarë, Sabri Godo dhe Pëllumb Xhufi, kanë bërë thirrje për nisjen e menjëhershme të një tryeze politike mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për zgjidhjen e krizës politike të ridimensionuar edhe pas protestave të opozitës. Duke folur për "Shqip", kreu i nderit i Asamblesë së Partisë Republikane, që është një nga aleatët më të ngushtë të Partisë Demokratike, ka kërkuar thirrjen e menjëhershme të tavolinës së dialogut. Ndërkaq, politikani dhe diplomati i njohur Pëllumb Xhufi, ka theksuar se protesta e opozitës ka sjellë një kulturë të re në vend, që imponon një zgjidhje politike, e cila sipas Xhufit duhet bërë menjëherë, pasi një e tillë u bë edhe për Dushkun, jo më tani që kemi të bëjmë me deformim më të madh.
Godo
Themeluesi dhe drejtuesi veteran i republikanëve shqiptarë dhe i së djathtës, Sabri Godo, duke folur për "Shqip" për zhvillimet e fundit politike, deklaroi se "duhet thirrur menjëherë tryeza e bisedimeve. Pavarësisht se në plan të parë duken të papajtueshëm në qëndrimet e tyre në lidhje me çështjet që janë në diskutim. Politika ka rrugë të shumta dhe koha ka provuar se gjithnjë flitet ballas, edhe nëse nuk arrihet në ndonjë përfundim. Lëvizja përfundimtare do të jetë kthimi i opozitës në Parlament, ajo ka tashmë gjysmën e deputetëve dhe ka forcë të mjaftueshme të diskutojë e të kontaktojë pretendimet e veta. Këtë unë mendoj se mund ta bëjë më mirë se duke folur nga rruga. Duhet t‘i paraprihet ndonjë takim mes këtyre forcave politike. Të përdorësh qetësinë dhe tolerancën është më mirë se të përdorësh duart". Ndërkaq, në lidhje me metodat e negociimit, apo nëse duhet të dalë në shesh ndonjë ndërmjetës, Godo theksoi se "nuk besoj se ndërhyrja e individëve nga jashtë mund të sillte ndonjë përfundim. Unë nuk mendoj se nuk jemi si në situatën e vitit 1997, kur morëm një negociator ndërkombëtar që është Vranicki. Ne duhet të marrim përgjegjësi vetë për punët tona, kjo do të ishte rruga më e mirë. Duhet që dikush ta bëjë i pari ftesën për bisedime, edhe pse shkohet me mendjen se asgjë nuk dalin nga këto bisedime më mirë të bëhen. Fakti që bisedohet krijon premisa për hapa të mëtejshëm. Tryeza e bisedimeve duhet të nisë sa më parë".
Xhufi
Ndërkaq, ish-nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, deklaroi për "Shqip" se Berisha duhet të nisë menjëherë dialogun tani, se sa kur të jetë në pozita më inferiore. Sipas Xhufit, "mua më duket një situatë e acaruar, e cila vjen nga deformimi i radhës i votës në zgjedhjet e kaluara. Më duket që angazhimi i opozitës, PS-ja dhe partive të tjera, pavarësisht nga përgjegjësitë që ato kanë për zgjedhjet e fundit, është një fakt pozitiv pa paragjykuar rezultatin e kësaj lëvizje. Pozitiviteti i këtij fakti është se ata japin garanci për një kulturë elektorale në Shqipëri, si rezultat i së cilës jam i sigurt që zgjedhjet e ardhshme do të jenë shumë më të mira dhe më së fundi zgjedhjet e para të drejta e të lira". Xhufi, i cili ka pas vetes një karrierë të rëndësishme si shkencëtar, diplomat dhe politikan, theksoi se "ka një ngërç që janë të ndërgjegjshëm të gjithë. Në radhë të parë e ndiejnë aktorët kryesorë, të cilët nuk kanë një ndërgjegje të pastër dhe i kanë futur duart në kutitë e zgjedhjeve". Ish-nënkryetari i LSI-së theksoi se dy krerët e partive kryesore nuk duhet të bëjnë replikë nga larg: "Pra, ekzistojnë të gjitha kushtet që të ketë një dialog politik jo në distancë me shigjeta të helmatisura. Duhet një kontakt politik që të dalë në zgjedhje politike. Në fund të fundit, në raste të tjera të ngjashme, ajo që ka zgjidhur problemin ka qenë zgjidhja politike. Mjafton të kujtojmë zgjedhjet e 2001-shit, kur u deformuan zgjedhjet për të fituar 6-8 mandate më shumë. PS-ja që bëri këtë hile u detyrua të bëjë disa lëshime politike ndaj opozitës, siç ishte heqja dorë nga zgjedhja e Presidentit apo zgjedhja konsensuale e disa zyrave të rëndësishme, siç është zyra e shefit të Shërbimit Informativ. Në zgjedhjet që kaluam, deformimet që kanë ndodhur, abuzimet me kutinë e votimit mund t‘i kenë sjellë partisë përfituese edhe vetë fitoren në zgjedhje, pra rasti është më i rëndë se i Dushkut. Ndërkaq, në lidhje me kohën dhe metodat e negociimit, Xhufi tha se "arsyeja është për t‘u ulur në diskutime. Këtu ka funksionuar që palët kontestuese duan të tregojnë dhëmbët fillimisht dhe duke pretenduar kërkesat maksimale. Unë gjykoj që kësaj radhe i takon mazhorancës, Kryeministrit, i cili do të humbin terren sa më shumë ditë të kalojnë dhe do të detyrohet të negociojë në pozita sa më inferiore. Prandaj, edhe për hir të interesave të vendit, duke përfituar edhe nga përvoja e hidhur e vitit ‘97, ku shumë gjëra u bënë nga qëndrimi i ngrirë i tij, të ulet e të nisë një dialog. Duhen krijuar të gjitha premisat për krijimin e kushteve që zgjedhjet e ardhshme, qofshin ato pas një viti, dy vjetësh apo katër, të jenë totalisht të lira e të ndershme. Ky është standardi që do të ballafaqohen zoti Berisha dhe zoti Rama, se tashmë falë edhe betejës së opozitës, është krijuar një kulturë e re, kundër kulturës së dhunës dhe mashtrimit. Duhen krijuar kushtet për të nxjerrë një mësim të madh".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›