E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumaker te Mercedes më 2010-n?

Majkëll Shumaker mund të rikthehet në Formula 1 në një makinë si Mercedez më 2010-n, me një kontratë për një sezon. Ai që e mbështet në një intervistë të dhënë për BBC është Edi Xhordan. Shtëpia automobilistike gjermane po ushtron presing mbi shtatë herë kampionin e botës për ta bindur të tentojë këtë rikthim në pistë, pas atyre problemeve me qafën, që e kanë detyruar të mos e zëvendësojë Filipe Masën të dëmtuar në radhët e Ferrarit në garat e fundit të sezonit 2009. "Ekziston një mundësi reale, e cila ka shanse të realizohet, thotë Xhordan, ish-numri 1 i sezonit 1991 i skuderisë së përbashkët me të cilën Shumakeri debutoi në Formula 1 në të njëjtin vit, dhe unë besoj se kjo do të ndodhë".

Sipas Xhordan, Mercedesi ka si synim t‘i besojë Shumakerit detyrën e bërjes së njeriut që do të hapë rrugën për herë të parë në drejtim të realizimit të objektivave. Një objektiv real është edhe Sebastian Vetel, talenti i madh dhe premtues i Formula 1, i cili në skuderinë gjermane synohet t‘ia rrëmbejë Red Bullit në sezonin 2011. "Mundësia e rikthimit të Majkëllit në F1 ka filluar të flitet te një mbledhje mes tij, Ros Braun dhe administratorit të deleguar të Mercedesit, Daimler Dieter Zetsche në rastin e Çmimit të Madh të Abu Dhabit", ka shtuar Xhordan në prononcimin e tij për BBC. Por, për momentin, Shumaker nuk mundet të drejtojë një makinë Mercedes, sepse ka akoma një kontratë konsulence me Ferrarin. Por nuk besoj se nëse Shumi do t‘ia kërkonte, presidenti i Maranellos, Luka di Montezemolo, do t‘i refuzonte rikthimin e tij në pistë, edhe sepse do të ishte në interes të të gjithë ambientit të Formula 1. Megjithatë jam i sigurt që Majkëll është shumë i joshur nga ideja e drejtimit të një Mercedesi nën drejtimin e Braunit", përfundoi Xhordan. Lakonik dhe i hapur për çfarëdo lloj interpretimi ishte komenti i zëdhënëses së Shumakerit, Sabine Kehm, e cila u është përgjigjur pyetjeve të bëra nga BBC në lidhje me këtë çështje, duke pohuar: "Është shumë e vështirë që të ndodhë, por kurrë mos thuaj kurrë". Të njëjtat fjalë të përdorura nga Shumaker në një intervistë të dhënë rreth një muaj më parë për prestigjiozen gjermane "Der Spiegel". Shtatë herë kampioni i botës është lindur në Hurt Hermuhlajm më 3 janar 1969. Ai është i martuar me Korinna Boeç dhe ka dy fëmijë, Majk xhunior dhe Xhina Maria. Jeton në Zvicër, në Shato-syr-le-Vuflons. Në karrierën e tij ka garuar në 250 gara: 91 fitore (rekord), 68 "pole position" (rekord), 153 pode (rekord), 76 xhiro të shpejta (rekord), 1.369 pikë të grumbulluara në total (rekord). Për të 7 tituj botërorë (rekord). Ka debutuar më 1991 në "Spa", me makinën Xhordan, në moshën 22-vjeçare. Pastaj 5 sezone me Beneton dhe dy tituj kampionë bote. Më 1996-n është transferuar te Ferrari, me të cilën ka zhvilluar plot 181 gara dhe ka fituar 72, ka triumfuar në 58 "pole", 116 pode, 53 xhiro të shpejta dhe ka grumbulluar 1.066 pikë në total. Dhe me "kokëkuqen" ka fituar edhe pesë tituj të tjerë kampionë bote. Është tërhequr nga ky sport pas garës së fundit të sezonit 2006 në Brazil, duke lënë pas shumë rekorde të pathyeshme dhe duket se në Formula 1 vështirë të ketë një që të përsërisë historinë e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›