Godo: Topi, urgjent bisedime me Berishën dhe Ramën
Sabri Godo i sugjeron kreut të shtetit, Bamir Topi, thirrjen urgjente në një tavolinë tjetër bisedimesh mes Berishës dhe Ramës. Sipas tij, është urgjente ulja në një tryezë e Berishës dhe Ramës para se situata të dalë jashtë kontrollit. "Zgjidhje ka vetëm një, që palët të takohen në mes të rrugës, të ulen në bisedim. Duket sikur ska shteg për bisedim, sikur rrugët janë të mbyllura, secila dorë e ka prerë në përqendrimin e vetë, po kjo nuk mund të jetë kështu përjetë. Unë e kam fjalën te një takim i drejtpërdrejtë i Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Kryetaret ose delegacionet e partive, si ta gjejnë të udhës, por zgjidhja përfundimtare duhet të gjendet aty, duke lëshuar secila nga palët", - tha Sabri Godo. Republikani thotë se për këtë tryezë duhet të nisin shpejt negociatat dhe në nivel më të ulët. Por diçka shumë e rëndësishme, sipas tij, është që Presidenti të marrë në dorë pozicionin e tij si kryetar shteti. "Presidenca pa dyshim duhet të lozë një rol më aktiv. Unë mbeta disi i habitur kur pash - i pyetur për këto ngjarje - Presidenti nuk gjen gjë tjetër të të thotë veçse ai pozicionohet për demokracinë. Kjo nuk qëndron fare. Është një situatë kritike, mund të dalë nga kontrolli dhe Presidenti duhet të bëjë paralajmërimet e veta. Nuk është ai që do të zgjidhë këtë situatë, por ai duhet ta thotë të tijën", - tha Godo.