PD, Bulku: Rama sadist, futi në grevë gratë
Deputetja e PD-së, Rajmonda Bulku, e quajti dje sadist kryesocialistin Edi Rama për vendimin e futjes së grave të PS-së në grevën e urisë, ndërsa i bëri të ditur se do të mbajë përgjegjësi për shëndetin e grevistëve. Duke i kujtuar Ramës se gretë nuk mund të jetojnë në të njëjtat kushte me burrat, deputetja e Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku, i kërkoi kryetarit të Partisë Socialiste që të nxjerrë nga greva e urisë vajzat dhe nënat me fëmijë që janë pjesë e saj. Jam këtu përpara për ti thënë zotit Rama se ke hyrë në një rrugë të pashpirt e mizore duke futur gratë në grevë. Zoti Rama, të ndrysh në grevë urie nëna me foshnje, gra me përgjegjësi familjare do të thotë se në qenien tënde nuk ekziston asnjë ndjesi njerëzore. Kjo nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat e familjes e fëmijëve. Po të mendosh se çfarë terrori psikologjik krijon tek fëmijët, duke i mbyllur nënat në vetëflijim, kjo krijon një dramë, që nuk shërohet, - u shpreh deputetja e Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku. Ajo u shpreh se shumë prej fëmijëve të atyre grave që janë në grevë mendojnë se nënat e tyre po i çon ti drejt flijimit? Ajo akuzoi kreun e PS-së se po zhvillon një grevë të paprinciptë, duke vendosur në të njëjtat kushte burrat dhe gratë. A mendon ti, zoti Rama, se ata fëmijë gjatë natës, kur mbyllin sytë, kanë frikë se nënat e tyre nuk do ti kenë më pranë? Ky është një terrorizëm i vërtetë. Ti je një sadist dhe për shëndetin e secilit ti je përgjegjësi. A e kupton ti, zoti Rama, se gratë nuk mund të jetojnë në kushte si burra?, - deklaroi deputetja demokrate znj. Bulku.