E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Vetëvlerësimi i PD-së për fitoren e zgjedhjeve i tepruar

 

Partitë e vogla të djathta shprehen të shqetësuar për indiferencën që aleatja e tyre e madhe, Partia Demokratike ka treguar për procesin e përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në muajin qershor. Pas kërkesës së përsëritur të demokristianëve, kësaj radhe janë republikanët ata që japin “sinjalin sos” për domosdoshmërinë e mbledhjes së tryezës së koalicionit të djathtë qeveritar, si një hap i parë për organizimin e ardhshëm zgjedhor. Partia Republikane konstaton një vetëvlerësim të tepruar nga ana e demokratëve për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme, duke injoruar kërkesat e aleatëve për koordinim të menjëhershëm të të gjithë veprimtarisë së koalicionit.

Republikanët

Është presidenti i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, Sabri Godo ai që ngre shqetësimin për vonesat e shfaqura nga demokratët për riorganizimin e aksionit politik të koalicionit të djathtë në funksion të fitores së zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme. Sipas tij besimi që po tregon Partia Demokratike në fitoren e garës së ardhshme elektorale është i papranueshëm, pasi nuk mbështetet në realitetin. Për këtë arsye Godo vlerëson si emergjente mbledhjen sa më parë të tryezës së koalicionit të djathtë për të nisur së pari komunikimin midis partive aleate dhe për të programuar më pas një strategji të përbashkët për fushatën elektorale. “Duket sikur ka neglizhencë ose le të themi ka një vetëvlerësim të tepruar se i kemi të fituara zgjedhjet. Prandaj unë them se e shumta brenda 15 nëntorit duhet doemos të komunikojnë partitë e djathta me njëra-tjetrën dhe për këtë duhet mbledhur tryeza”, - ish-kryetari i Partisë Republikane Sabri Godo. Republikanët vlerësojnë se kjo tryezë duhet të shërbejë edhe si arena ku secila prej partive që bëjnë pjesë në këtë koalicion të hedhë opsionet e veta për mënyrën sesi e djathta duhet të dalë në zgjedhje. “Në këtë tryezë duhet të sqarohet pozicioni i secilit nëse është apo jo për një program të përbashkët të së djathtës që duhet të mbrohet në zgjedhje. Më pas secila parti duhet të ndjekë profilin e vet organizativ të strukturave të saja”, - shtoi më tej Godo.

Akuza

Duke folur pikërisht për organizimin e koalicionit të djathtë, presidenti i asamblesë republikane ka shtruar si një kërkesë edhe përcaktimin nga secila forcë politike e spektrit dhe linjës së saj politike që do të mbajë në zgjedhjet e ardhshme. Në këtë drejtim Godo ka shprehur shqetësimin për lëkundjet që kanë treguar një sërë partish që sot janë pjesë e koalicionit për pozicionimin e tyre politik. “Duhet të hidhen kartat në tryezë se çfarë do të bëjë për shembull PBDNJ-ja që duket si e gjinisë asnjanëse kur nuk është as andej as këtej, ose që në çdo rast do të shkonte me atë që fiton zgjedhjet”, - thekoi më tej Godo. Ndërkohë ai ka paralajmëruar edhe rrezikun e krijimit të një “Dushku” të ri zgjedhor në rast se nuk do të ketë një korrektim kombëtar të votave. “Po të bazohemi me këto që janë folur deri tani me zgjedhjet rajonale, atëherë unë them se në një farë mënyre do të shkojmë prapë tek “dushku” dhe kjo është shumë e rrezikshme, - ka deklaruar Godo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›