Gërdeci, edhe 6 muaj kohë për hetimet
Prokuroria e Përgjithshme arrin të shtyjë me gjashtë muaj të tjerë, afatet hetimore për tragjedinë e Gërdecit
Gërdeci, edhe 6 muaj kohë për hetimet
Gjykata e Tiranës miraton akuzën e vrasjes masive për Delijorgjin, Pinarin dhe Minxollin
TIRANË- Gjykata e Tiranës, me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, i komunikoi paraditen e djeshme avokatëve të tre të pandehurve, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Ylli Pinari, akuzën e “vrasjes masive”, duke shtyrë kështu hetimin edhe për 6 muaj të tjerë. Rreth orës 10:00 të paradites së djeshme, prokurori i çështjes, Sokol Stojani, hyri në zyrën e gjyqtarit Asim Vokshi, që ndodhet në katin e parë të kësaj gjykate për të filluar seancën gjyqësore për komunikimin e akuzave dhe zgjatjen e afateve hetimore ndaj tre të pandehurve. Seanca gjyqësore e shqyrtimit të kësaj kërkese të Prokurorisë së Përgjithshme u shqyrtua me dyer të mbyllura dhe në zyrën e gjyqtarit Vokshi, duke mos lejuar median të jetë e pranishme gjatë shqyrtimit të kërkesës së akuzës.
***
Mësohet se asnjëri prej tre të pandehurve, Delijorgji, Minxolli dhe Pinari nuk kanë preferuar të paraqiten në seancën gjyqësore, duke kërkuar të përfaqësohen nga avokatët e tyre mbrojtës. Përveç mungesës së tyre, gjatë seancës së djeshme kanë munguar edhe dy avokatët e të pandehurit Ylli Pinari, duke detyruar gjykatën të caktojë avokat kryesisht për këtë seancë. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se kërkesat e organit të akuzës janë shqyrtuar veç e veç nga njëra-tjetra, duke filluar nga Delijorgji, Minxolli dhe në fund për ish-drejtorin e MEICO-s, Pinarin. Gjatë këtyre seancave, prokurori Stojani ka lexuar kërkesën e prokurorisë për zgjatjen e afateve të paraburgimit edhe për gjashtë muaj, ku shkak për këtë zgjatje është bërë ngritja ndaj tyre e akuzës së “vrasjes në rrethane cilësuese të një apo më shumë personave” në bashkëpunim. Avokatët mbrojtës, gjatë fjalës së tyre, kanë pretenduar se ndryshimi i akuzës nga ajo e “shkeljes së rregullave të sigurisë teknike” në “vrasje në rrethana cilësuese” është bërë në mungesë të provave. “Në rastin e shpërthimit të Gërdecit, nuk kemi të bëjmë me vrasje në rrethane cilësuese të kryer me dashje, pasi asnjë nga të pandehurit nuk ka pasur dijeni apo nuk e kanë parashikuar që kjo do të ndodhte”,-thanë mbrojtësit, duke kundërshtuar akuzën e re dhe zgjatjen e afateve hetimore për 6 muajt e ardhshme.
***
Ndërkohë, prokurori sqaroi mbrojtjen se “të pandehurit kishin dijeni për rrezikun që bartte kjo punë që kryhej pa asnjë masë apo kushte të sigurisë, si teknike ashtu edhe fizike. Mungesa e marrjes së këtyre masave dhe pasoja e shkaktuar nga shpërthimi si dhe provat e mbledhura gjatë kësaj faze hetimore, tregojnë se tre të pandehurit kanë konsumuar veprën penale të parashikuar në nenin 79 pika ëdh të Kodit Penal”,-shtoi Stojani. Pas dëgjimit të palëve, gjyqtari Vokshi vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke i komunikuar akuzat e reja të “vrasjes në rrethana cilësuese” dhe zgjatjen në mënyrë automatike të hetimeve edhe për 6 muaj të tjera, deri më 18 mars 2009, kohë kjo kur detyrohet organi i akuzës të përfundojë hetimet dhe të dorëzojë dosjen në gjykatë. Deri dje, të pandehurit kryesorë për tragjedinë e Gërdecit qëndronin në qeli nën masën e sigurisë “arrest me burg” për kryerjen e veprës penale të “shkeljes së rregullave teknike të demontimit të lëndëve plasëse”, vepër e cila parashikon që brenda afatit gjashtëmujor, prokuroria të përfundojë hetimin dhe ta dorëzojë në gjykatë. Me ndryshimin e kësaj vepre penale, afatet hetimore zgjaten me një vit, që mbetën edhe 5 muaj e 15 ditë kohë që akuza të dorëzojë dosjen në gjykate për gjykim.
AKUZA
Të pandehurit rrezikojnë burgim të përjetshëm
Tre të pandehurit janë arrestuar dy ditë pas shpërthimit të fuqishëm në Gërdec, konkretisht më datën 17 mars të këtij viti me urdhër të prokurorisë së kryeqytetit, ndërsa togat e zeza të Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit e vlerësuan masën e sigurisë “arrest me burg” të ligjshëm. Më pas dosja hetimore për çështjen “Gërdeci” kaloi për hetime në Prokurorinë e Përgjithshme për shkak të dyshimeve të ngritura se ish-ministri i Mbrojtjes, deputeti Fatmir Mediu, për kryerjen e veprës penale të “shpërdorim të detyrës”.Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, tre të pandehurit Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Ylli Pinari akuzohen për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave; në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave të tjerë, që nëse deklarohen fajtorë për këto akuza dënohen me burgim jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm, ndërsa mbi Pinarin rëndon edhe akuza e “shpërdorimit të detyrës” ndërsa për Minxhollin është shtuar edhe akuza e “armëmbajtjes pa leje”.
VENDIMI
Gjykata e Lartë: “Gërdeci” s’është kompetenca jonë
TIRANË- Gjykata e Lartë ktheu të hënën në shkallë të parë shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë për të pandehurit Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Ylli Pinari, të akuzuar si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, konfirmohet se gjyqtari Gani Dizdari ka marrë në shqyrtim kërkesën për komunikimin e akuzave të reja dhe automatikisht zgjatjen e afateve hetimore edhe për 6 muaj ndaj të pandehurve, të cilëve brenda qelive të paraburgimit iu është komunikuar akuza e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”. Kjo kërkesë e prokurorisë nuk arriti të shqyrtohet, pasi avokatët mbrojtës të të pandehurve kërkuan nga Gjykata e Lartë të deklarojë mos kompetencën e këtij institucioni për gjykimin e kësaj dosjeje, pretendim që prokuroria e kundërshtoi. Por, gjyqtari Gani Dizdari, pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, vendosi të pranojë kërkesën e avokatëve duke e deklaruar këtë gjykatë jo kompetente për gjykimin e çështjes. “Kjo gjykatë nuk ka kompetencë për vleftësimin e kësaj kërkese të prokurorisë”,-mësohet të jetë shprehur gjyqtari Dizdari në vendimin e tij.