Trafiku i 50 pistoletave, tropojani përballë gjykatës
TIRANË- Prokurorisë së Krimeve të Rënda iu deshën vetëm katër muaj për mbylljen e hetimeve ndaj tropojanit Mehmet Zharku. Dosja kundër tij është dërguar në gjykatë, me akuzën e kryerjes së veprës penale të “trafikimit të armëve e municioneve, e kryer në formën e importimit dhe tregtimit” në bashkëpunim. Sipas kërkesës për gjykim, që tashmë ndodhet në duart e pesëshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Fran Prendi, i pandehuri Zharku në bashkëpunim me persona ende të paidentifikuar ka kryer trafik armësh nga Kosova në drejtim të Shqipërisë, kundrejt shumave të ndryshme. “Nga hetimet disamujore ka rezultuar se i pandehuri Mehmet Zharku kryente tregti me shtetas kosovarë, duke i blerë atyre pistoleta të tipave të ndryshme në këmbim të granatahedhësve, predha kundratank, granata dore e fishekë të ndryshëm”,-thuhet në kërkesën për gjykim. Sipas këtyre burimeve, të pandehurit në momentin e arrestimit këtu e 4 muaj më parë, iu gjetën dhe sekuestruan 50 pistoleta të tipit “mini-zastava”, 24 copë pistoleta të tipit “Bereta” që mendohet se janë sjellë nga kosovarët, ndërsa brenda territorit shqiptar ai kishte mundur të siguronte dhe blinte për t’i këmbyer me pistoletat 1 granata hedhës, 6 predha kundratank, 120 granata dore bashkë me ndezëset e tyre dhe 150 copë fishekë të llojeve të ndryshme.