Trafikoi 44 klandestinë me gomone, arrestohet
Vlorë- Një aksion i përbashkët midis policisë së Krimeve të Rënda, Tiranë dhe drejtorisë së Policisë së Vlorës, seksioni kundër krimit të organizuar kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Dilaver Hajdini, 42-vjeç, lindur në Burrel e banues në Vlorës, pas ky kërkohej për veprën penale të trafikut të qenieve njerëzore.
Arrestimi i tij është bërë për arsye se Gjykata e Krimeve të Rënda, Tiranë ka nxjerrë ndaj tij një urdhër për ndalim pas dhënies së masës së sigurisë “arrest në burg”. Hajdini akuzohet për veprën penale të trafikut të qenieve njerëzore.
Gjithçka i referohet datës 11 janar të vitit 2008, për të cilën shtetasi në fjalë është i dyshuari kryesor që ka organizuar ikjen me gomone të 44 personave në drejtim të shtetit Italian.
Policia ka mundur të zbardhë itinerarin e përshkuar nga klandestinët dhe të organizuar nga Hajdini dhe disa bashkëpunëtor të tij. Sipas policisë, në formën e strukturuar të grupit kriminal, ai ka organizuar largimin e klandestinëve.
Grupi i klandestinëve është nisur nga plazhi i Patokut në drejtim të Italisë me gomone. Pasi kanë përshkuar brigjet shqiptare dhe kanë zbritur në bregun e shtetit fqinj ata janë kapur dhe gomonia që i transportoi është sekuestruar nga policia italiane.
Pas kësaj janë identifikuar autorët e trafikut dhe policia ka mundur të ndalojë 42-vjeçarin Hajdini. Ai tashmë do të gjykohet për trafik të qenieve njerëzore, dhënie ndihmë në kalim të paligjshëm të kufirit. “Arrestimi i 42-vjeçarit është bërë në njësinë në pronësi të tij, e tipit argjendari”- thanë burime e policisë.