E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo kritikon Topin: Uli në tryezë Ramën dhe Berishën

Patozi: PS të respektojë vendimin e gjykatave. Gjiknuri: S’ka vendim që mban mbyllur kutitë

Në kushtet kur ndërkombëtaret intensifikojnë thirrjet e tyre për zgjidhje dhe PS vazhdon greven e urisë, politikani Sabri Godo, shprehet se është urgjente ulja në një tryezë e Berishës dhe Ramës para se situata të dalë jashtë kontrollit. “Zgjidhje ka vetëm një, që palët të takohen në mes të rrugës, të ulen në bisedim. Duket sikur s’ka shteg për bisedim, sikur rrugët janë të mbyllura, secila dorë e ka prerë në përqëndrimin e vetë, po kjo nuk mund të jetë kështu përjetë. Unë e kam fjalën te një takim i drejt për drejtë i Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Kryetaret ose delegacionet e partive, si ta gjejnë të udhës, por zgjidhja përfundimtare duhet të gjendet aty, duke lëshuar secila nga palët”, tha për “Alsat”, Sabri Godo. Presidenca, u shpreh ai, pa dyshim duhet të lozë një rol më aktiv. “Unë mbeta disi i habitur kur shoh, i pyetur për këto ngjarje, presidenti nuk gjen gjë tjetër të të thotë vecse ai pozicionohet për demokracinë, kjo nuk qëndron fare. është një situatë kritike, mund të dalë nga kontrolli dhe presidenti duhet të bëjë paralajmërimet e veta. Nuk është ai që do të zgjidhi këtë situatë por ai duhet ta thotë të tijën”, tha Godo.

Sakaq, mazhoranca dhe opozita vijuan dje debatet ligjore në distancë sa i takon kushtetutshmërisë ose jo të kërkesës së opozitës për hapjen e kutive të votimeve në komisionin hetimor parlamentar për zgjedhjet. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, deklaroi dje se Edi Rama në mënyrë të turpshme pretendon se nuk ka asnjë vendim gjykate që pengon hapjen e kutive. Nisur nga qëndrimi se një vendim i tillë ekziston, Patozi citoi edhe një qëndrim të Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të vitit 2003. “Komisionet hetimore parlamentare, duhet të respektojnë parimin e ndarjes së pushteteve, parim i cili nënkupton në mënyrë të veçantë, përcaktimin e marrëdhënieve ndërmjet autoritetit të gjykatave dhe pushteteve të tjera”, citoi vendimin e gjykatës kreu i grupit demokrat. Sipas Patozit, ky vendim në mënyrë të qartë thekson se: “Element esencial i ndarjes së pushteteve është pavarësia e gjykatave dhe gjyqtarëve. Vendimet gjyqësore mund të ndryshohen vetëm nga një autoritet më i lartë gjyqësor”. Po kështu, Patozi pretendon se hapjen e kutive e ndalon edhe një vendim tjetër i Kolegjit Zgjedhor. “Vendimi i Gjykatës së Apelit më datë 27. 07.2009, e ndalon hapjen e kutive, duke rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste, kur gjykon padinë për vendimin e KQZ-së, i cili kishte hedhur poshtë kërkesën e dy komisionerëve socialistë për rinumërim të votave”, nënvizoi Patozi. Sipas tij, Rama duhet të respektojë vendimet e gjykatave dhe jo të trajtojë si të tilla vendimet e forumeve të partisë. Në kundërpërgjigje të akuzave të kreut të grupit parlamentar të PD-së, deputeti socialist,Damian Gjiknuri, deklaroi se argumentet e Patozit nuk kanë asnjë bazë ligjore. “Nuk ka asnjë vendim gjykate që të ndalojë hapjen e kutive, ose hetimin e materialeve zgjedhore dhe dokumenteve zgjedhore që ndodhet në kutitë e votimit nga ana e Parlamentit. Kjo është një e drejtë kushtetuese e padiskutueshme”, deklaroi Gjiknuri. Si një nga autorët e Kodit të ri Zgjedhor, Gjiknuri theksoi se hapja e kutive kërkohet për të frenuar fenomenet negative në kuti, për të krijuar premisat e duhura për të pasur zgjedhje më të mira në të ardhmen dhe për të nxjerrë përgjegjësitë e duhura. “Mos-hapja e kutive është thjesht vetëm një kokëfortësi politike për të fshehur problemin që kanë ato zgjedhje dhe ne vërtet duam të shkojmë përpara, por duke hedhur dritë se çfarë nuk shkoi mirë në të kaluarën”, theksoi Gjiknuri. Sipas tij, PS është e vendosur ta çojë deri në fund këtë kërkesë dhe ajo nuk mund të shihet si një kapriçio politike, por si një e drejtë kushtuese e të gjithë popullit opozitar. Deputeti i PS-së theksoi se në rast se opozitës i hiqet e drejta e transparencës, demokracia shqiptare duhet të vihet në pikëpyetje. Po kështu, Gjiknuri theksoi se sakrifica e grevistëve lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me konsolidimin e demokracisë shqiptare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›