Godo, kundër Berishës për çështjen e Bollanos
Presidenti i Nderit i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, Sabri Godo, ka reaguar dje ndaj vendimit për dënimin e kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Duke komentuar dhe deklaratën e një dite më parë të kryeministrit Berisha, Sabri Godo është shprehur se kryeministri është ndikuar në deklaratën e tij nga vizita që pritet të zhvillojë në Shqipëri kryeministri i Greqisë, Karamanlis. Sipas Godos, Bollano, në mënyrë të përsëritur, ka shkelur ligjet e Republikës së Shqipërisë “duke u sjellë si pirat me tabelat në gjuhën shqipe”. Godo gjithashtu ka deklaruar se kryeministri Berisha duhej ta kishte shkarkuar me kohë Bollanon nga posti i kryetarit të Bashkisë.
Vetëm dy ditë më parë Gjykata e Vlorës e dënoi kryetarin e Bashkisë së Himarës me 6 muaj burg për shkak të heqjes së tabelave në gjuhën shqipe. Pas kësaj reagoi kryeministri Berisha, i cili e cilësoi vendimin e Gjykatës arkaik dhe me nuanca politike. “Kryeministri Berisha, duke mbetur gjithmonë shumë i ndjeshëm ndaj respektimit dhe garantimit të të drejtave dhe lirive të çdo qytetari, si dhe për respektimin e plotë të pavarësisë së sistemit gjyqësor, mendon se interpretime dhe zbatime të ligjeve, të cilat mund të mbartin nuanca politike dhe arkaike, nuk i shërbejnë qëllimit të vendosjes së ligjit”, - shkruhej në deklaratën e dy ditëve më parë të zëdhënëses së kryeministrit Berisha.
23 Prill 2009