E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria e Tiranës hedh poshtë padinë e Mediut ndaj Ina Ramës



Tiranë - Prokuroria e Tiranës ka pushuar padinë penale të ish-ministrit Mediu ndaj kryeprokurores së vendit. Pasi ka ndenjur për javë të tëra në zyrën e Gent Xholit, prokuror i Tiranës, kjo padi nuk është futur në procedurë hetimi në themel duke u pushuar. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka pranuar të sqarojë pozicionin e tij pak ditë pasi në cilësinë e deputetit njoftoi, përmes avokatit të tij, kallëzimin penal ndaj kryeprokurores Ina Rama dhe kreut të grupit hetimor të çështjes “Gërdeci”, Sokol Stojani, për akuzën e nxjerrjes së akteve dhe të dhënave sekrete të hetimit. “Prokurorja ka shkelur ligjin dhe ka urdhëruar vartësit e saj, si Stojani, të shkelin ligjin. Së pari, ka bërë publike fakte të hetimit dhe ka bërë interpretim të njëanshëm të tyre, e cila bie ndesh me Kodin e Procedurës Penale, Neni 103. Ina Rama jo vetëm ka bërë kërkesën për heqjen e imunitetit tim me vendim politik, por edhe e ka shkelur qëllimisht ligjin, duke synuar që të realizojë qëllimin e saj kriminal në dëmin tim dhe të maxhorancës”, - tha ish-ministri.
I pyetur nëse kallëzimi penal ndaj Ina Ramës, i bërë ditë më parë, përbën një presion ndaj organit të akuzës, ish–ministri u përgjigj: “Nuk e bëj aspak për presion ndaj Prokurorisë, por është kjo prokurore, e cila, në mënyrë të vazhdueshme, ka nxjerrë të dhëna në media gjysmë të vërteta dhe mashtrime me qëllim kriminal që të krijojë një opinion kundër meje dhe të justifikojë qëllimin e saj joligjor, por politik. Asaj Prokurorie i është bërë presion në mënyrë të vazhdueshme që të shmangë hetimin dhe të akuzojë ish-ministrin e Mbrojtjes, dhe për këtë arsye e bëra kallëzimin dhe prita derisa dosja të shkonte në gjykatë. E përsëris, ky nuk është një presion, sepse çështja ime me Prokurorinë është në gjykatë, por respektimi i ligjit është detyrë për këdo”. Këto deklarata të ish-ministrit Mediu vijnë në një kohë kur dosja “Gërdeci” pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë më 4 maj.

23 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›