E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkimi nga posti i sekretarit në PD, Mustafaj nuk tërhiqet nga gara

Mustafaj: “Do ta vazhdoj garën për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës”. Kryeministri Berisha e zëvendësoi Mustafajin me Gerti Bogdanin

Eljona Ballhysa
Ish-ministri i Jashtëm, deputeti Besnik Mustafaj, është mëse i vendosur për të vazhduar garën për postin e kryetarit të Degës së Partisë Demokratike të Tiranës. Megjithëse kryeministri Berisha, duke zbatuar kompetencat e tij si kryetar i PD-së, e ka shkarkuar Mustafajin nga posti i sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë në PD, ky vendim i fundit nuk ka ndikuar në nismën që Besnik Mustafaj ka ndërmarrë për të garuar për kreun e PD-së së Tiranës. Në një prononcim për gazetën “Albania”, Mustafaj është shprehur se ai do ta vazhdojë garën për kreun e PD-së së Tiranës, ndërsa shkarkimin e ka cilësuar si zbatimin e një të drejte statutore të kryetarit të partisë së tij.
Qëndrimi
Besnik Mustafaj është një ndër themeluesit e Partisë Demokratike, i cili në dhjetor të vitit 1991, në krah të Berishës, ka firmosur krijimin e partisë së parë pluraliste. Ai ka mbajtur prej vitesh në PD postin e sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë, ndërsa që në vitin 2005 është emëruar në postin e ministrit të Jashtëm. Prej kohësh ai është njohur si krahu i djathtë i kryetarit të PD-së Berisha dhe një ndër miqtë e tij. Por kjo miqësi duket se zgjati deri në momentin kur Mustafaj dha dorëheqjen nga posti i ministrit, duke mos e bërë të ditur arsyen e vërtetë të largimit të tij nga kabineti “Berisha”. Vetëm pak kohë më parë, Mustafaj, duke qenë dhe deputet i zgjedhur në kryeqytet, zyrtarizoi publikisht kandidimin e tij për postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Tiranës në zgjedhjet që pritet të mbahen në fund të këtij muaji, në rast se nuk do të ketë shtyrje tjetër. Por që nga momenti i deklarimit të kandidimit Mustafaj është “sulmuar” nga eksponentë të PD-së, të njohur si njerëz të afërt të kryeministrit Berisha. Mustafaj, gjatë gjithë kësaj kohe, ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj qeverisë dhe mënyrës së organizimit dhe funksionimit të PD-së, duke sulmuar sekretarin e Përgjithshëm, Ridvan Bode, kryetarin aktual të PD-së së Tiranës, Sokol Olldashi dhe së fundi dhe kryeministrin Berisha, i cili deklaroi publikisht, në kundërshtim me statutin, mbështetjen e kandidaturës së Aldo Bumçit për kreun e PD-së së Tiranës. Të gjitha këto sollën që, vetëm pak ditë më parë kryetari i PD-së, Berisha, ta shkarkojë Mustafajin nga posti i sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë në PD. Në vend të tij Berisha ka emëruar Gerti Bogdanin. Duket se vendimi i Berishës është thjesht simbolik, pasi nuk mund të krahasohet pesha diplomatike dhe eksperienca e Mustafajit në fushën e diplomacisë apo marrëdhënieve me jashtë me atë të Bogdanit. Nga ana e tij, Mustafaj, duke mos komentuar arsyet pse e shtynë Berishën të firmosë shkarkimin e tij, duke u bazuar në statut, ai shprehet se kryetari i partisë është në të drejtën e tij statutore. Ndërkohë që shprehet se ky vendim nuk e dekurajon atë të vazhdojë garën për kreun e PD-së së Tiranës.

Statuti i PD-së
Kryetari i partisë
Neni 46
1. Kryetari kryeson organet qendrore të partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai përfaqëson partinë në të gjitha aktet e jetës civile. Ai emëron zëdhënësin e shtypit të partisë dhe sekretarin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
2. Ai ndihmohet nga dy nënkryetarë dhe sekretari i Përgjithshëm.
3. Kryetari i partisë zgjidhet në përputhje me Nenin 39 të Statutit, me sistem maxhoritar, me dy raunde. Modalitetet e votimit përcaktohen nga rregullorja e brendshme.

23 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›