E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo llogarit mandatet, Brace paralajmeron zgjedhjet

01/12/2009  PS interpreton deklaratat e mazhorancës për pavlefshmërinë e mandateve

Braçe: Rruga e Berishës na çon në zgjedhje të parakohshme

Oli Xhilaga

Partia Socialiste zhvendos vëmendjen në mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Një pretendim të tillë socialistët e bazojnë në deklaratat e ardhura nga drejtuesit e lartë të mazhorancës, sipas të cilave mandatet e deputetëve të PS-së do të quhen të pavlefshme, e kjo për shkak të bojkotit. Por një qëndrim i tillë për kampin socialist as më shumë e as më pak do të çonte në shpërndarjen e Parlamentit të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme. Madje, një pozicion i tillë i drejtuesve të djathtë, përfshi këtu dhe Kryetaren e Kuvendit, i cili vjen duke u bërë më i dukshëm së fundi, shihet si një sinjal pozitiv për kampin opozitar, pasi në pretendimin e tyre kjo është një rrugë që do ta bënte me të thjeshtë largimin e kësaj qeverie dhe të kryeministrit të saj Sali Berisha. Një konstatim i tillë u bë dje nga njëri prej ligjvënësve socialist, Erion Braçe, i cili gjatë një konference për shtyp komentoi deklaratat e kryeministrit Berisha lidhur me pasojat që do të ketë kampi rozë në rast se vijon bojkoti ndaj Parlamentit. Duke dhënë dhe një qëndrim në emër të partisë që ai përfaqëson mbi këto deklarata, deputeti i PS-së vlerësoi se “kryeministri po ecën në një rrugë që normalisht të çon në shpërndarjen e Parlamentit dhe shpërndarja e Parlamentit çon në zgjedhje të parakohshme”. Por socialistët shkojnë më tej kur mirëpresin një zhvillim të tillë. “Urojmë që kryeministri ti shkojë kësaj rruge”, - theksoi Braçe sa i takon kësaj çështje. Ndërkohë një pretendim i tillë u ngrit pak ditë më parë dhe nga kreu i PLD-së Spartak Ngjela, i cili kërkoi nga kreu i shtetit që, në rast se deri në fund të dhjetorit nuk gjendet zgjidhja mes palëve, atëherë ai të shpërndajë Parlamentin. Sipas tij, presidenti shqiptar shpërndan Parlamentin në qoftë se ka krizë parlamentare. “Kriza parlamentare është e dukshme. Nuk bëhen dot reformat, shoqëria kërkon reforma, Perëndimi kërkon reforma. Reformat nuk pranohen, sepse opozita nuk pranon kryeministrin. Ose ikën kryeministri ose shpërndahet Parlamenti. Presidenti Topi duhet të shpërndajë Parlamentin, në rast se nuk zgjidhet kriza parlamentare deri në fund të dhjetorit. Duhet ti drejtohet popullit me një mesazh dhe të kryejë detyrën. Kuptohet, pasi tu ketë dhënë palëve një datë limit për tu marrë vesh”, - qe shprehur Ngjela gjatë një interviste. Por nga ana tjetër ligji themeltar i shtetit përcakton qartë rastet kur kreut të shtetit i jepet e drejta të shpërndajë Kuvendin. Në nenin 96 të Kushtetutës thuhet se Presidentit mund ti lindë një e drejtë e tillë, por dhe kjo në respektim të disa procedurave. Pasi ky nen lidhet me emërimin e kryeministrit të ri dhe në pikën 4 të tij saktësohet qartë se, nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë kreun e ri të ekzekutivit, atëherë Presidenti ka të drejtë të shpërndajë Kuvendin.

Neni 96 i Kushtetutës

1. Presidenti i Republikës në fillim të legjislaturës si dhe kur vendi i kryeministrit mbetet vakant emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend.

2. Në qoftë se kryeministri i emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, Presidenti emëron një kryeministër të ri brenda 10 ditëve.

3. Në qoftë se edhe kryeministri i emëruar rishtas nuk miratohet nga Kuvendi, brenda 10 ditëve Kuvendi zgjedh një kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron kryeministrin e ri.

4. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin.

Protesta në Athinë

Partia Socialiste e degës së Athinës do të zhvillojë sot një protestë, ku në qendër është pikërisht kërkesa për hapjen e kutive. Me moton “Dua të shoh votën time” emigrantët shqiptarë që janë anëtarë dhe mbështetës të Partisë Socialiste do të protestojnë përpara zyrave të prezencës së OSBE-së në Athinë. Një protestë e tillë është marrë përsipër të organizohet nga drejtuesit e selisë rozë. Madje, mësohet se kreu socialist Edi Rama nuk do të jetë pjesë e një manifestimi të tillë.

Reagim i Kodhelit

“Të hapen kutitë, ska zgjidhje tjetër për Berishën”

Partia Socialiste vijoi dhe dje replikat në distancë me kreun e ekzekutivit, Sali Berisha. Deputetja e PS-së Mimi Kodheli nuk kurseu gjuhën e ashpër ndaj deklaratave që kryeministri Berisha lëshoi dje nga qyteti i Lezhës. “Njeriu që ditën e Bajramit përdori gjuhën e urrejtjes, njeriu që me fjalorin e tij turpëroi gra, fëmijë e të moshuar, njeriu që prej ditësh po krijon shpifjet më monstruoze që mund ti mendojë vetëm një njeri i sëmurë, po përpiqet të heqë vëmendjen e shqiptarëve nga kutitë e votimit”, - vlerësoi Kodheli gjatë fjalës së saj. Gjithashtu deputetja socialiste gjatë deklaratës së saj nuk harroi ti mëshonte me forcë kërkesës së PS-së për hapjen e kutive të votimit. “Ta harrojë Sali Berisha se mund të fshehë të vërtetën e 28 qershorit. Një popull i tërë kërkon hapjen e kutive, një e treta e të cilave, sipas OSBE-së, është numëruar keq ose shumë keq. Sali Berishës i ka mbetur vetëm 1 zgjidhje: të hapë kutitë. Pa hapur kutitë nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm zgjedhje”, - vuri në dukje Kodheli. Ndërkohë, sikundër dihet, në datë 3 dhjetor përfundon dhe afati kohor që kampi opozitar i la për reflektim në ultimatumin e tij kreut të mazhorancës.

Deklarata

Dade: Opozita do të vazhdojë aksionin politik

Deputetja socialiste Arta Dade komentoi qëndrimet e fundit të ardhura nga kryeministri Berisha në adresë të kreut dhe përfaqësuesve të PS-së. “Ditët e fundit Sali Berisha i është vërsulur me tërbim opozitës me shpifje të padenja për një kryeministër. Ai nuk ka kurajë të ballafaqohet me të vërtetën e kutive të votimit dhe rreket të tërheqë opinionin publik me baltën e shpifjeve ndaj liderit të opozitës”, - deklaroi ajo. Sipas Dades, Sali Berisha nuk mund të mbulojë krimin dhe korrupsionin elektoral duke u futur në familjet e në shtëpitë e të tjerëve, gjë të cilën ne nuk e kemi bërë kurrë. “Ne sjemi marrë asnjëherë as me jetën private të Sali Berishës, as me jetën private të familjarëve të tij, jemi marrë vetëm me kapjen e shtetit për llogari të interesave të pushtetit familjar. Sali Berisha ta harrojë se mund të gjejë ndonjë shteg për ti shpëtuar ballafaqimit me popullin opozitar, në rast se ai nuk i hap kutitë e votimit. Asgjë nuk e shpëton Berishën, as sulmet ndaj opozitës për ta zmbrapsur atë. Përkundrazi, bën efektin e kundërt dhe opozita do të mbetet në vazhdim të aksionit të saj politik për hapjen e kutive të votimit”, - vlerësoi Dade gjatë fjalës së saj.

Filloreta Kodra

“Rama të heqë dorë edhe nga psikologjia e dhunës”

Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar që kryetari i Partisë Socialiste të reagojë duke kërkuar falje ndaj të gjitha grave që janë përballur me dhunën e tij. Nënkryetarja e LSI-së Filloreta Kodra, njëherësh zëvendësministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ka deklaruar dje se të gjithë shqiptarët janë njohur me faktet e shumta të rënda të bëra publike nga maxhoranca, të cilat përbëjnë një nga faqet e turpit për Edi Ramën, që me heshtjen e tij i ka vërtetuar e pranuar plotësisht ato. Gjithashtu ajo ka komentuar edhe lëvizjet e fundit politike të opozitës dhe kreut të saj. “Edi Rama duhet të heqë dorë edhe nga psikologjia e dhunës ndaj ligjit e institucioneve që po injekton në shoqërinë e politikën shqiptare, duke u bërë frymëzues i rrezikshëm i një vije politike punistomafioze, të cilën shqiptarët e kanë flakur tej që pas instalimit të pluralizmit”, - ka thënë Kodra. Ajo tha se në një kohë kur Shqipëria është më afër se kurrë liberalizimit të vizave dhe integrimit europian, opozita e Edi Ramës po sillet në mënyrën më të keqe antiatdhetare, antiinstitucionale dhe antieuropeiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›