E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skicën e godinës së parë e bëri Ali Myftiu

01/12/2009  Flet Hyqmet Kotherja ish-normalist dhe studiues: Ja 100 vitet histori të shkollës Normale

ELBASAN- Më 1 dhjetor 1909 hapet e para shkollë Normale në shërbim të përgatitjes së mësuesve nga e gjithë Shqipëria me qendër në Elbasan. Shkolla erdhi si domosdoshmëri, por edhe si një përpjekje e madhe e patriotëve për zhvillimin e arsimit shqip. Në kujtim të kësaj date një shekull më pas Universiteti i Elbasanit që konsiderohet edhe si pasardhës i Normales organizon një konferencë mbarëkombëtare me pjesëmarrjen e gjuhëtarëve, albanologëve dhe profesorëve të njohur. Në ceremoninë për 100-vjetorin do të marrë pjesë edhe Kryeministri Sali Berisha. Njëkohësisht do të ketë vizita në muzeun e shkollës Pedagogjike kushtuar Normales dhe po kështu dhe një koncert. Shtyhet përurimi i monumentin të arsimit për shkak të problemeve në derdhjen e bronztë. Në këtë ditë, ajo që nuk ka mbetur më është godina e shkollës së parë. Nga kjo godinë mbetet vetëm një skicë vizatimi e realizuar nga Ali Myftiu. Ish-normalisti Hyqmet Kotherja në një intervistë tregon detaje për godinën dhe përpjekjet për ta ringritur atë....

Çfarë simbolizoi godina për hapjen e shkollës së parë Normale në Elbasan?

1 dhjetori i vitit 1909 do të mbetet një datë e paharruar dhe fatlume kur nxënësit e parë normalistë si Abedin Caushi, Adem Jahja, Avni Rustemi etj u ulën në bankat e shtëpisë së vëllezërve Zylfi, në të parën ndërtesë të shkollës Normale. Për fat të keq shkolla ku dhanë mësim Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peçi etj nuk ekziston më. Ajo u prish herët, aty rreth viteve ‘30. E vështirë ishte të hapje një shkollë të mesme shqipe, por akoma më e vështirë ishte mbajtja e saj në kushtet e tiranisë osmane, kur qeveria turke kërkonte me çdo kusht që ta mbyllte. ǒnuk bëri ajo për mbylljen e saj. Ndaloi mësimin e shqipes, burgosi mësuesit e parë, internoi ata figura që mbështetën, përkrahën dhe mbajtën shkollën Normale. U desh shumë mund e sakrifica nga atdhetarët elbasanas për ta ruajtur atë, sikurse shkruajnë vetë: “…Elbasani e mori nën sqetull këtë shkollë, e ruajti dhe e mbrojti me kurajë duke vuajtur ndjekje e poshtërime, ku u rrahën pa mëshirë…etj.”. Të panumërta do të jenë pengesat për transferimin e saj nga qyteti i lindjes, por ajo mujti të mbijetojë”.

Ku ndodhej godina e parë dhe nga vijnë dëshmitë për këtë?

Godina e parë ndodhej në rrugën “Sulë Misiri”, ngjitur me derën e ish-shkollës Ptoleme Xhuvani, në truallin e së cilës kanë mbetur vetëm themelet e saj. Deri në vitet ’90 ekzistonte dera e drunjtë që sot është e mbyllur me mure. Si gjurmë e saj ka mbetur harku me qemer guri i derës së ish- shkollës Normale dikur me dy seqe në dy anët. Mësuesi veteran Ali Myftiu, na ka lënë një skicë me vlerë të ish-godinës së shkollës Normale, e cila është përdorur rëndom nga botime të ndryshme që trajtojnë zhvillimin e arsimit tonë kombëtar, në ekspozita, muzeume etj. Kjo skicë stampoi pamjen e jashtme të shkollës Normale duke e shndërruar në emblemë të saj. Skica ka shërbyer jo vetëm për përgatitjen e maketit, por dhe për hartimin nga arkitektët të projektit të shkollës së dikurshme. Ndërtesa e shkollës Normale është ngritur aty rreth viteve ’50 te shekullit XIX-të, në mos më herët. Ndërtesa ka shumë elementë të përbashkëta me tipin e shtëpive karakteristike elbasanase me çardak si: dritaret, porta hyrëse, fasada me ngacmime dekorative e konstruksion druri e dërrase etj.

Pse janë harruar këto detaje mjaft të rëndësishme?

ǒështë e vërteta ne elbasanasit jemi ca indiferentë duke përfshirë dhe vetveten. Ka të tjerë që për diçka te vogël s’lenë gurë pa lëvizur deri sa të arrijnë atje ku duhet. Kjo nuk është harresë, por neglizhencë dhe nënvlerësim të vetvetes, por edhe të gjithë komunitetit qytetar. Shkolla Normale duhet të rindërtohet. Me këtë unë shpreh dëshirën dhe vullnetin e të gjithëve.

Cilat janë përpjekjet për ringritjen e godinës dhe pse u ndalën?

Në fund të vitit 1998 drejtues të Bashkisë zhvilluan një mbledhje dhe u shtrua si domosdoshmëri për ringritjen e godinës së Normales. Në fillim të vitit pasardhës zhvillohen edhe mbledhje të tjera, të cilat përcaktuan organizimin e punës konkrete. U caktuan personat përgjegjës që do të merreshin me hartimin e një platforme të detajuar. U përcaktuan edhe fazat si: Sigurimi i burimeve financiare, i truallit ku do të ringrihej godina, përgatitja e projektit dhe përmbajtjes së mjediseve me vlerë ekspozimi. Sa i takon financimit detyra i mbetej kryebashkiakut të atëhershëm. Trualli ishte pronë e shoqatës italiane CEFA. U bisedua në takimin e organizuar në bashki me përfaqësuesit e saj, të cilët pasi u prezantuan me këtë qëllim të madh u ra në ujdi që të jepnin lejen për rindërtimin e shkollës. Projekti filloi të përgatitet nga drejtori i urbanistikës mbi bazën e materialeve të përmendura më lart. Me thënë të drejtën tek sa shihnim në letër fasadën e shkollës në projekt u bëmë entuziastë. Nga një përllogaritje paraprake shpenzimet nuk do t’i kalonin 13 milionë lekë. Më së fundi u krijua edhe një projekt-ide mbi përmbajtjen e materialeve dokumentare e fotografike që do të ekspozoheshin. Kjo punë e nisur me aq dëshirë e vrull u shua brenda pak kohëve. Ndodhi gjëma e madhe e vitit 1999, kur genocidi pushtoi Kosovën. E gjithë vëmendja e pushtetit vendor e të organizmave të tij u përqendrua tek pritja dhe akomodimi i kosovarëve.

Pse duhet të ringrihet godina e Normales?

Ringritja e shkollës Normale paraqet interes pasi qytetit i shtohet edhe një godinë tjetër si dëshmi e trashëgimisë arkitektonike në fushën e ndërtimeve të banesave qytetare. Rëndësia e saj shtohet edhe më shumë pasi në kuadrin e zhvillimit të turizmit kulturor ajo përbën një objekt që do të tërheqë vizitorë të huaj pa reshtur gjatë tërë vitit duke mos lënë në harresë funksionin ekspozues të materialeve që tregojnë historikun e të parës shkollë të mesme në Shqipëri.

Bisedoi: Ledia Lleshi

Shkolla Normale

Shkolla Normale duhet parë si produkt i Kongresit Arsimor të Elbasanit 2-9 shtator 1909. Në këtë Kuvend rilindësit vendosën unanimisht hapjen e shkollës Normale në Elbasan. Shkolla Normale përgatiti mësues që përhapën kudo në trojet shqiptare gjuhën amtare, duke ngritur lart vetëdijen politike në luftën për liri e pavarësi. Mentarët e Kongresit të Elbasanit hartuan programin si dhe strukturën e lëndëve mësimore. Kjo e fundit e krahasuar me simotrat e saj në perëndim qëndron përkrah tyre në mos më lart sikur të ishte viti i parë universitar.

Axhenda e aktiviteteve në 1 dhjetor

Ora 10.00 Vizitë në muzeun e shkollës Pedagogjike nga normalistët.

11.00 Konferencë shkencore ndërkombëtare organizuar nga:

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit dhe

Qendra e Studimeve Albanologjike

Ora 11.00-12.00 në auditorin “Teatri” të universitetit, salla 107

Drejtojnë seancën: Liman Varoshi, Roland Gjini

Përshëndetja e Kryeministrit Sali Berisha

Kumtesa, Mehmet Çeliku (Elbasan): Institucionet kulturore kombëtare shqiptare për gjuhën

Beqir Meta (Tiranë): Procesi i konsolidimit të arsimit kombëtar në vitet 1920-1930 dhe ndikimi i Normales së Elbasanit

Tomorr Osmani (Shkodër): Rrugëtimi nga Kongresi i Manastirit në Kongresin e Elbasanit (objektiva kulturorë-arsimorë)

Në vijim konferenca i zhvillon punimet në sesione paralele

Ora 18.00 Shfaqja e dokumentarit “Normalistët”

(te teatri “Skampa”)

Ora 18.30 Koncert festiv

Konferenca do të vazhdojë edhe më 2 dhjetor me një sërë kumtesash nga profesorë, gjuhëtarë dhe albanologë shqiptarë e të huaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›