Kodi, s'merren parasysh kërkesat e të vegjëlve
Tiranë- Në 2009-ën zgjedhjet do të bëhen me sistem proporcional rajonal. Sot dy partitë e mëdha i kanë dhënë dorën e fundit Kodit të ri zgjedhor. Ata kanë votuar pa asnjë ndryshim këtë kod, pavarësisht se 11 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë janë sot në grevë urie pikërisht për të bërë disa ndryshime në Kod. Në përfundim të mbledhjes, para medias ka dalë, Fatmir Xhafa, përfaqësues i PS në komsionin e reformës zgjedhore. Ai është shprehur se: “Sot nuk kemi më një sistem mazhoritar, por një sistem proporcional rajonal”.
Xhafa nuk ka reaguar ndaj pyetjeve të gazetarëve lidhur me deputetët grevistë, por ka lënë të kuptohet se gjithçka ka përfunduar lidhur me reformën zgjedhore dhe se i mbetet Kuvendit të Shqipërisë të vendosë për këtë draft. Sipas Xhafës, rregullimi i ri ligjor siguron një transparencë më të gjërë. “E rëndësishme është eliminimi i disa dukurive negative të fshaqura historikisht në proceset e mëparshme zgjedhore”, shtoi ai.
Me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Zgjedhor, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të votohet me sistemin proporcional. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që tashmë nuk është më institucion kushtetues do të përbëhet nga 7 anëtarë, 2 nga Partia Demokratike, 2 nga Partia Socialiste, 1 nga partitë e vogla të majta, 1 nga partitë e vogla të djathta dhe një anëtar propozohet nga Parlamenti.
Komisioni i reformës zgjedhore nuk mori parasysh asnjë nga kërkesat e bëra nga LSI dhe partitë e tjera të vogla. Në bazë të Kodit të ri Zgjedhor partitë e vogla nuk do të kenë përfaqësues në komisionet e administrimit të votave në zgjedhjet e ardhshme. Edhe pse ata janë prej tre ditësh në grevë urie, brenda në sallën e Parlamentit, kolegët e tyre deputetë të PD-së dhe PS-së kanë vendosur të kalojnë në Parlament draftin për Kodin e ri zgjedhor pa reflektuar asnjë nga kërkesat e të vegjëlve.