Godo punëson mjekë kosovarë për spitalet e verilindjes
Qyteti i Republikës së Kosovës, Gjakova, do të mbulojë me mjekë specialistë spitalet e Bajram-Currit, Hasit dhe Kukësit
Godo detyron specializantët të kryejnë 5 vjet punë në spitalet e rretheve
Heqje licence për mjekët që nuk pranojnë të shkojnë të punojnë nëpër fshatra apo rrethet nga vijnë
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, do të lidhë kontrata dypalëshe me mjekët e spitalit të Gjakovës, për të shërbyer në spitalet në verilindje të Shqipërisë. Braktisja e spitaleve të rretheve nga bluzat e bardha dhe dyndja e të gjithëve drejt kryeqytetit ka boshatisur tre spitale në verilindje të vendit. Prej të cilëve, mungesat më të mëdha për staf mjekësor aktualisht po i vuajnë spitalet e Hasit, Kukësit dhe Bajram–Currit.
Punësimi
Vijnë nga rrethet e gjithë Shqipërisë për të studiuar për mjekësi në Tiranë. Pas përfundimit të studimeve preferojnë më mirë të punësohen në kryeqytet sesa të rikthehen në rrethet nga kanë ardhur. Një pjesë arrijnë të gjejnë punësim, pjesa tjetër, edhe të papunë, preferojnë të vazhdojnë të rrinë. Nga ana tjetër, ka edhe nga ata mjekë familjarë që kanë lëvizur nga spitalet e rretheve drejt spitaleve të Tiranës. Kjo ka sjellë që dita-ditës institucionet shëndetësore në kryeqytet të jenë të dyndura me mjekë, ndërsa në rrethe të kërkohen me qiri. Ministrja e Shëndetësisë, e njohur me situatën në të cilën gjenden spitalet, ka ndërmarrë vendime të ndryshme. Synimi i saj parësor ishte punësimi i mjekëve shqiptarë në këto spitale përmes stimujve, duke u rritur rrogën deri në dyfishimin e rrogave për ata mjekë që shkojnë të punojnë në rrethe. Më tutje, ministrja vendosi ndëshkime dhe detyrime. Kështu përmes një urdhri të ministres Godo, detyrohen që specializantët të kryejnë 5 vjet punë në spitalet e rretheve, për ata mjekët që nuk pranojnë të shkojnë të punojnë nëpër fshatra apo rrethet nga vijnë, ka heqje licence. E me gjithë këto nisma dhe strategji, Ministria e Shëndetësisë nuk ka mundur të arrijë synimet.
Gjendja
Në gjendje kome. Kështu gjenden spitalet e veriut të vendit, ku tre spitalet e Kukësit, Bajram-Currit dhe Hasit u shërbejnë banorëve të zonës vetëm me mjekim klinik, ndërsa ai i specializuar dhe urgjenca merren në Kosovë. Spitalet marrin këtë emër vetëm nga ndërtesa e cila qëndron stoike, për sa i përket stafit mjekësor dhe shërbimeve, as bëhet fjalë. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë turit të saj dyditor që përfundoi dje në verilindje të vendit, ka vizituar dhe qytetin e Gjakovës, rreth 40 kilometra larg Kukësit, ku gjatë takimeve me autoritetet atje, ka marrë premtimin se mjekë specialistë nga qyteti kosovar do të punësohen në spitalet në verilindje të Shqipërisë, deri në përmirësim të situatës. Gjatë vizitës në spitalin e Bajram-Currit, ministrja Godo informoi se në bazë të marrëveshjes me Kosovën, banorët e verilindjes së Shqipërisë do të kurohen falas në rastet e emergjencave apo të mungesave të specialistëve në spitalet e shtetit fqinj. Duke u ndalur tek mungesa e mjekëve specialistë, ajo garantoi se MSH, e mbështetur nga qeveria, do të motivojë çdo specialist për t'u punësuar në spitalet rajonale të zonave të thella veriore, ku ata mungojnë. Në kuadër të inspektimit të qendrave shëndetësore në vend, ministrja Godo vizitoi dhe spitalin e Hasit, me 70 % të përdorimit të shtratit, ku u shtrua si problem kryesor nevoja e infermierëve, si edhe aparaturave për sallën e lindjes. Ajo shprehu bindjen se "vjeshta do t’i gjejë spitalet e rajonet jashtë krizës dhe të mbuluar më së miri", si dhe kërkoi me këtë rast mbështetjen e mjekëve si për ecurinë e reformës spitalore, ashtu edhe për të rikthyer marrëdhënien e mirë mes pacientit dhe mjekut. Ndërsa, gjatë vizitës në spitalin e Kukësit, ministrja Godo garantoi se “ndryshimi i këtij spitali është prioritet i MSH-së dhe pritet të fillojë shumë shpejt, menjëherë pas atij të Elbasanit”.