Godo inspekton spitalet në veri, mungesa në mjekë dhe aparatura
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo ka zbritur në veri të vendit, në kuadër të inspektimit të qendrave shëndetësore në vend. Ajo është ndalur fillimisht në spitalin e Bajram Currit, ku ka theksuar se problem kryesor në këtë rreth është mungesa theksuar e specialistëve. Ministrja Godo, pas takimit me drejtuesit dhe mjekët e këtij spitali u shpreh se me mbështetjen e qeverisë, jemi të gatshëm të motivojmë çdo specialist për të ardhur në këtë spital. Ministrja Godo gjatë këtij takimi, vuri theksin edhe te reforma spitalore e nisur ne vend, si një hap i rëndësishëm për ndryshimin e sistemit shëndetësor.
Gjithashtu, vuri në dukje edhe marrëveshjen ministrisë tonë me atë të Kosovës, sidomos për veriun e Shqipërisë, për kurimin falas në Kosovë, në rastet e emergjencave apo te mungesave te specialistëve. Në spitalin e Hasit, Ministrja Godo takoi drejtuesit dhe mjeket e këtij spitali. Si problem kryesor u shtrua ai i burimeve njerëzore. Si një spital me 70% të përdorimit të shtratit, ky spital shihte emergjente nevojën e infermierëve si edhe aparaturat për sallën e lindjes. Ministrja Godo, pasi u njoh me problemet dhe foli nga afër me stafin për ecurinë e reformës spitalore, shprehu gatishmërinë për plotësimin e nevojave të këtij spitali Në Vazhdim të takimeve të saj, Godo ndaloi në bashkinë e Gjakovës, me ftesë të kryebashkiakut të zonës. Gjatë këtij takimi, Godo mori mbështetjen e kryebashkiakut, për mbulimin e spitalit të Tropojës me specialistë nga Kosova, me anë të kontratave të bëra nga shteti shqiptar, deri në përmirësimin e situatës. Ky bashkëpunim, do të shtrihet edhe për spitalet e tjera te veriut si Hasit dhe Kukësit. Në fund të vizitës, Godo, u ndal në Spitalin e Kukësit. Gjatë takimit me stafin e këtij spitali, ajo theksoi si problem kryesor investimin e menjëhershëm ne këtë spital. Gjithashtu Godo shpjegoi se në të tërë vendin, do të ketë kosto të njëjta për shërbime të njëjta, do të jetë stanndartizimi i kartelave klinike, protokollet terapeutike dhe diagnostike. Për të tëra këto, janë ngritur grupet e punës dhe ndryshimi do jetë i dukshëm dhe kjo është edhe një garanci suksesi për reformat e ndërmora në shëndetësi, si një nga prioritetet e qeverisë shqiptare.